Veç rilindjes së teatrit, sivjet festohet edhe 50-vjetori i krijimit


Bardha Nergjoni


Nëntori është muaji i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor “Skampa 2012”, që zhvillohet çdo vit në Elbasan. Edicioni i 14 vjen ndryshe. Dhe kjo jo vetëm prej këndvështrimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, por edhe për shkak të rikthimit të tempullit të artit pas djegies në gusht të vitit të kaluar. Tashmë, për herë të parë pas djegies, skena ka aktorët e saj ndërsa plateja dhe lozhat presin spektatorët. Udhëheqësi artistik i këtij festivali, Adonis Filipi, thekson se nën sloganin “Kontest”, ky edicion ka në thelb teatrin që diskuton vetveten dhe gjithashtu workshop-et, që do t’i shërbejnë pikërisht teatrit në studim dhe që zhvillohen nga Interact (rrjeti i teatrove botërore).


Ky edicion ka rëndësi të madhe, jo vetëm si rezultat i atmosferës festive, por përbën edhe një rëndësi të veçantë për vetë teatrin si institucion. Ky vit është një rilindje për teatrin “Skampa” pas djegies së një viti më parë. Skena dhe gjithçka tjetër e rikonstruktuar do të rikthejë spektatorin artdashës pranë teatrit. Për vlerat që mbart ky festival, duke pasur parasysh ndërveprimin mes artistësh, shërben edhe si një parabolë për promovimin e vlerave artistike, të mikpritjes, që karakterizojnë qytetin e Elbasanit.


Gjithashtu, “Skampa”, sivjet ka edhe 50-vjetorin e krijimit. Teatri profesionist është krijuar zyrtarisht më 16 korrik të vitit 1962 dhe ka një kapacitet prej 292 vendesh. Premiera e parë u vu në skenë më 28 tetor të po atij viti. Në historinë e saj 50-vjeçare numërohen rreth 300 premiera të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Nga ky teatër kanë dalë aktorë të shquar e të lauruar me tituj të lartë si “Artist i Popullit”, “Artist i Merituar” dhe “Aleksandër Moisiu”, ku dihet se aktorët e parë profesionistë u morën nga grupet teatrore amatore.


Nga ajo kohë, “Skampa” shërbeu si një laborator për përgatitjen e artistëve të mëdhenj të skenës dhe ekranit shqiptar. Lavdia nis me aktorë të tillë si Demir Hyskja, Robert Ndrenika, Lec Shllaku, Shpëtim Shmili, Astrit Cerma, Ermira Gjata, Olimbi Bilali, Valentina Kita, Zamira Begolli, Pirro Kita, regjisorët Spiro Duni dhe Adonis Filipi dhe emra të tjerë, të cilët më pas mbajtën gjallë teatrin dhe kinematografinë në vend. Mbresa të pashlyera kanë lënë pjesët teatrore “Shtatë shaljanët”, “Udha e zavalinajve”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Familja e peshkatarit”, “Tokë e ndezur”, “Skënderbeu”, “Qytet rrethimi”, “Dy krisma në Paris”, e shumë të tjera.


Këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera, thuajse gjysma e shfaqjeve janë shqiptare, dy prej të cilave vijnë nga Peja dhe Prishtina, duke i qëndruar konturit të pavarësisë. Ky edicion i festivalit teatror do të zhvillohet nga datat 19 nëntor deri më 24 nëntor për t’u mbyllur në prag të ditës së ngritjes së Pavarësisë në Elbasan. Xhani Shqerra, drejtues i projekteve artistiko-kulturore pranë Bashkisë së Elbasanit shprehet se ky edicion është i veçantë sepse vjen pas djegies dhe më pas rikonstruksionit të teatrit “Skampa”. “Është një ndër projektet më të rëndësishëm, në kuadër të organizimeve që bashkia ka në axhendën e saj për festimet me rastin e 100-vjetorit.


Evente të karakterit social-kulturor do të jenë të shumtë dhe një ndër këto është edhe festivali ndërkombëtar i teatrit bashkëkohor. Është një sipërmarrje impenjative. Këtë vit marrin pjesë 9 trupa nga vende të botës si Rumania, Italia, Maqedonia e deri Armenia, e cila këtë vit prezantohet për herë të parë. Nëntë trupa pjesëmarrëse kanë nisur mbrëmë festivalin, ku u paraqit Teatri Kombëtar i Shkupit, me pjesën “Miss Xhuli”, me regji të Saulius Varnas dhe “Epsidon teatër Group Armeni”, me pjesën “Vend i harruar”, me regji të Arthur Makaryan. Në këtë edicion vjen kompania teatrale “Scena Verticale”, me pjesën “Italianesi” nga Saverio La Ruina.