Ish të përndjekurit godasin eskortën e Kryetares së Kuvendit, Tufa: Na ka fyer


Silvana Muça


Sulmohet me vezë nga një grup të përndjekurish politikë makina e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së hënës, rreth orës 8:30. Lajmin e bën të ditur Skënder Tufa, ish-koordinatori i grevës së urisë të të përndjekurve politikë, e cila u zhvillua pranë “Komunës së Parisit” disa javë më parë. Tufa thotë se në drejtim të makinës së saj, janë hedhur rreth 10 kokrra vezë, me pretendimin se zonja Topalli i ka fyer dhe provokuar të gjithë klasën e të përndjekurve politikë, ku bën pjesë edhe vetë. “Ishim pozicionuar pranë kryqëzimit të ‘Librit Universitar’ që në orën 7:30 të mëngjesit dhe prisnim që zonja Topalli të kalonte. Fatmirësisht nuk kishte gardistë, që të na pengonte ‘punën’ tonë, sepse ishin pozicionuar pranë një hoteli. Ata kanë qenë në dijeni të veprimit tonë dhe si pasojë e kësaj kishin marrë masat për të na penguar, por nuk ia dolën. Ne sapo i pamë, u spostuam 10 metra para se Kryetarja e Kuvendit të dilte nga kryqëzimi, në bulevardin kryesor, e sulmuam. Vezët prekën anën e shoferit. Mjeti nuk ndaloi, por vazhdoi rrugën”, ka treguar ngjarjen Tufa. Sipas tij, ishin shtatë persona që kanë marrë pjesë në protestën paqësore. Katër prej tyre – Skënder Tufa, Vllasi Koçi, Petrit Hyrjeti dhe Petrit Lice kanë qenë personat që gjuajtën në drejtim të mjetit. Ndërsa pas tyre kanë që në gatishmëri Besim Valteri dhe dy persona të tjerë. Tufa thotë se sulmi i bërë ndaj zonjës Topalli është vetëm fillimi dhe se protesta të tilla do të kenë vazhdimësi. “Kanë qenë disa arsye, që na çuan në vendimin për të qëlluar me vezë Kryetaren e Kuvendit, por ajo që na ka indinjuar më shumë, është se nuk ka pranuar që në Parlament të mbahet 1 minutë heshtje për vëllain tonë, Lirak Bejko, i cili u vetëflijua në grevën e urisë, në emër të indiferencës qeveritare, pas kërkesës së bërë nga disa deputetë. Kjo gjë na ka fyer tej mase dhe nuk ia falim. Por edhe moszbatimi i ligjit, për marrjen e dëmshpërblimit për vitet e burgut, na ka detyruar që ta qëllojmë me vezë Topallin. Një tjetër arsye që na çoi në sulm, është fyerja dhe poshtërimi që qeveria na ka bërë. Nuk i tolerojmë gjëra të tilla dhe do t’ia kthejmë reston”, ka arsyetuar Tufa. Ndër të tjera, ai ka kërkuar nga shoqëria shqiptare që të ngrenë zërin në format më demokratike, siç ishte kjo e vezëve, në raste padrejtësish. Ndër të tjera, ata thonë se do të vijojnë sulmet, ndaj të gjithë qeveritarëve që tregohen indiferentë për problemet e tyre. Tufa pretendon se në drejtim të tij ka ardhur një telefonatë nga Garda, për t’i kërkuar takim. “Fatmirësisht deri më tani nuk ka pasur asnjë të shoqëruar në polici. Në raste të tilla, qeveritarët preferojnë që të heshtin. Nga mesdita, më mori një person nga Garda në telefon, për t’u takuar me mua. Nuk pranova që të shkoj, sepse nuk kam asnjë punë me gardistin. Po e them publikisht, se lufta me qeverinë sa ka filluar dhe se do të vijojë deri në zgjidhjen e problemeve tona”, ka përfunduar organizatori i sulmit, Skënder Tufa. Ndërkohë, burime nga Policia e Tiranës pohojnë se nuk ka pasur asnjë person të shoqëruar, ndërsa nuk kanë marrë asnjë ankesë apo informacion nga Garda e Republikës.


 


“Sulmuesit”


Ishin shtatë persona që kanë marrë pjesë në protestën paqësore. Katër prej tyre – Skënder Tufa, Vllasi Koçi, Petrit Hyrjeti dhe Petrit Lice kanë qenë personat që gjuajtën në drejtim të mjetit. Ndërsa pas tyre kanë qenë në gatishmëri Besim Valteri dhe dy persona të tjerë