Intervista


Flet zëdhënësi i komisionerit të Integrimit, Stano: Do të shohim krimin dhe korrupsionin


Komisioni Europian nuk ka përcaktuar asnjë afat për sa i përket përmbushjes së rekomandimeve të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, por do ia paraqesë Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian në momentin që ato të jenë gati. Këtë sqarim e bëri dje zëdhënësi i komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Europian, Stefan Fule, Peter Stano, në një intervistë për “Top Channel” në Bruksel. Sipas tij, Shqipëria, pavarësisht se nuk ka afate për të ndjekur me rigorozitet, nuk ka as kohë për të humbur. KE-ja thjesht do të bëjë një raport, kur Shqipëria të dorëzojë përmbushjen e rekomandimeve të tjera dhe më pas do të pritet mbledhja e radhës së Këshillit të Ministrave të BE-së. Por me kalimin e kohës, kërkesat dhe dyshimet ndaj Shqipërisë bëhen edhe më të mëdha.


A do të hartojë komisioni një raport për vendet anëtare mbi çfarë është bërë apo nuk është bërë në Shqipëri deri më sot?


Mendoj se udhërrëfyesi i afatit kohor është përcaktuar shumë qartë në raport-progres. Komisioni ka deklaruar se çfarë pritet nga Shqipëria, në mënyrë që të jetë i aftë të rekomandojë statusin kandidat. Dhe ne do ta bëjmë këtë sapo të jetë arritur progresi i nevojshëm. E kemi thënë që në këtë fazë janë tri pika kyçe: reforma në administratën publike, reforma në gjyqësor dhe reforma për rregulloren e Parlamentit. Komisioni do të përgatisë raportin vetëm kur të realizohet përmbushja e tyre. Pra, ndërvarësia qëndron te fakti që ne mund të bëjmë raport vetëm pasi të jenë dhënë rezultate dhe këtë raport do t’ia paraqesim këshillit, pa marrë parasysh afatet e jashtme kohore. Dhe kur të prezantojmë këtë raport mbi tri çështjet që sapo përmenda ne do të shohim gjithashtu çfarë përpjekjesh janë bërë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.


Pra, për komisionin nuk ka afat kohor dhe asnjë datë fikse se kur duhet të hartohet ky raport?


Kur flisni për afatet kohore, e vetmja gjë që mund të them është se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur. Pra ajo që pritet nga Shqipëria është dorëzimi i të gjitha pritshmërive që janë formuluar së fundmi në raport-progres, sa më shpejt të jetë e mundur. Sepse kjo është në interesin e popullit shqiptar dhe në interesin e Shqipërisë. Ne si komision fokusohemi vetëm te përmbushja. Ne do të bëjmë hapat apo rekomandimet e duhura vetëm pasi të shohim përmbushjen. Dhe, përveç kësaj, nuk është vetëm Komisioni Europian ai i cili po vëzhgon performancën e Shqipërisë në rrugën e saj, në mënyrë që të përmbushë këto pritshmëri dhe këto prioritete, por janë edhe vendet anëtare ato që do të vendosin në fund. Pra është Bashkimi Europian që po vëzhgon performancën e Shqipërisë dhe vendimet do të merren bazuar në këtë performancë.


Ernest Bunguri


 


Ambasadori


Sequi: Ka vetëm një rrugë që të çon në Bruksel


Ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, u bëri thirrje edhe njëherë partive politike në vend që të bashkëpunonin për çështjen e integrimit, sepse të gjitha rrugët Shqipërinë e çonin vetëm në Bruksel. “Nëse shprehja është të gjitha rrugët të çojnë në Romë, unë them se ka vetëm një rrugë që të çon në Bruksel. Kjo është rruga e reformave, e shtetit ligjor, e sundimit të ligjit dhe e dialogut që do të doja ta theksoja. Veprimi nuk është një fushë ku mund të luajnë vetëm politikanët, por edhe institucionet dhe çdokush tjetër në dobi të publikut”, theksoi Sequi teksa prezantoi pasditen e djeshme një sondazh në lidhje me informacionin që kishin shqiptarët ndaj Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, Sequi deklaroi se shqiptarët nuk kishin informacionin e duhur për sa i përket procesit të integrimit dhe se politika duhet të bënte më shumë për t’i bërë qytetarët më të ndërgjegjshëm për këtë proces.