Ministria e Drejtësisë: Do monitorojmë lëvizjet e bashkëshortëve që dhunojnë gratë


Shteti po përgatit sanksione të forta, nëse burrat dhunojnë bashkëshortet. Megjithëse kohët e fundit janë ashpërsuar dënimet për dhunën në familje, madje edhe janë shpeshtuar urdhrat e mbrojtjes, sërish jemi dëshmitarë se shumë gra dhunohen sistematikisht nga bashkëshortët, megjithëse drejtësia ka qenë në dijeni të problemeve mes çiftit. Madje, disa prej tyre janë masakruar, duke thyer edhe urdhrat e mbrojtjes, apo masat shtrënguese të gjykatës, që të mos afrohen për një distancë të caktuar nga vendbanimi i bashkëshorteve. Tashmë, shteti ndërmerr një tjetër masë për të parandaluar këto krime në familje, të cilat shpeshherë kanë përfunduar edhe me viktima. Burrat dhunues, krahas vendimit të gjykatës për urdhër mbrojtje, do të kenë në këmbë edhe një “byzylyk”, i cili do të monitorojë online të gjitha lëvizjet, ndërsa përcakton edhe momentin se kur do të afrohet afër banesës, që i është ndaluar të shkojë.


 


Dhuna në familja


Ministri Halimi tha se ky sistem do të aplikohet edhe për personat që ushtrojnë dhunë në familje. “Ata persona që do të kenë urdhër ndalimi ndaj bashkëshorteve të tyre, nuk do kenë mundësi t’u afrohen banesave të bashkëshortëve, sipas një perimetri që do të caktojë gjykata, duke harruar një histori të kronikave që ndjekim ditë pas dite dhe duke rritur sigurinë e grave që dhunohen nga burrat.


 


Mbikëqyrja elektronike


Në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë u përurua dje projekti “Për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim gjyqësor”, i cili ka nisur para disa muajsh. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha se ky sistem do të ulë ndjeshëm shpenzimet, ndërsa do të jetë një projekt pilot për personat që janë në arrest shtëpiak. “Ul në mënyrë të ndjeshme shpenzimet e miliona eurove, për ruajtjen dhe trajtimin e të dënuarve por dhe të arrestuarve në banesa. Sistemi nuk lejon daljen nga perimetri që cakton gjykata, por identifikon në kohë reale me vetëm 1.6 metra distancë, vendndodhjen e subjektit. Është sistem pilot për rastet e arresteve shtëpiake”, tha Halimi. Sipas ministrit, ky sistem redukton procedurën, kursen para për shtetin, redukton burokracinë, duke pasur nën kontroll sigurinë publike.


Sistemi do të përdoret pilot në fillim tek Shërbimi i Provës, për rastet e arresteve shtëpiake, duke u dhënë fund historive të largimit dhe moszbatimit të masave të gjykatave, do të përdoret edhe për personat në shërbim prove për përdorim të lëndëve narkotike, në mënyrë që ata të mos iu afrohen shkollave. Do të aplikohet për të dënuarit në moshë të re, të cilët duan të ndjekin dhe shkollën, për të dënuarit që marrin leje nga burgjet. Sistemi do të jetë eficent më 1 janar dhe do realizohet nga Shërbimi i Provës i cili do të bashkëpunojë ngushtë me policinë e shtetit dhe me gjykatat për realizimin e saj. s.ç