Akuza: Në gjyq Aldo Hoxha, vrau Fatbardha Tafën. Deklarimet e motrës dhe nipit
Sokol Çobo
Një kapele e harruar nga nxitimi dhe paniku, ka zbuluar autorin e vrasjes së Fatbardha Tafës pasditen e 7 gushtit në kryeqytet. Ekspertiza e ADN-së ka përcaktuar se djersa dhe fija e flokut në këtë provë, i përkasin Aldo Hoxhës. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për këtë vrasje, e cila ka ndodhur gjatë tentativës për t’i marrë viktimës një varëse floriri, dhe ka dërguar çështjen në gjykatë, duke e akuzuar Hoxhën me akuzën e “vjedhje me pasojë vdekjen” dhe “plagosje e lehtë me dashje”. Dëshmitarja okulare, Lumturi Gjana, motra e viktimës, ka pohuar se “autori ishte rreth 20 vjeç, me fytyrë të gjatë e të hollë”, ndërsa djali i saj pohon se “ishte me fytyrë të imët e me faqe të futura brenda e të kuqe, me mollëza pak të dala e me disa puçrra dhe fliste me zë të trashë”.
Ngjarja
Hetimet e kryera nga prokurori Endrit Bimi kanë zbardhur të gjithë mekanizmin e vrasjes. Sipas dosjes së akuzës që disponon gazeta “Shqip”, Fatbardha Tafa dhe Lumturi Gjana, të shoqëruar nga fëmijët e tyre, më datë 07.08.2012 rreth orës 19:00, kanë qenë duke ecur në rrugën “Babë Rexha”, pranë shkollës “Dora Leka”, për të shkuar në lulishten tek ish-Fusha e Aviacionit. Drejt tyre ka ardhur një motor i zi, në të cilin udhëtonin dy të rinj. Drejtuesi i motorit mbante në kokë skafandër, ndërsa pasagjeri kishte në kokë kapele. Ky i fundit, Aldo Hoxha, ka zbritur nga motori dhe i është afruar shtetases Fatbardha Tafa, e ka sulmuar për t’i shkëputur varësen që mbante në qafë. Fatbardha, duke qenë më e gjatë se Aldoja dhe e fuqishme fizikisht, ka reaguar, është përleshur me të dhe është munduar të mos e lëshojë. Aldoja e ka goditur me thikë. Motra e Fatbardhës, Lumturi Gjana, ka ndërhyrë për ta ndihmuar. Në ndihmë të Aldos ka ndërhyrë drejtuesi i motorit. Gjatë përleshjes, është goditur me thikë edhe Lumturia. Fatbardha Tafa ka humbur jetën, ndërsa Lumturi Gjana është plagosur.
Në aktin mjekoligjor, të datës 13 shtator 2012, thuhet se Fatbardha Tafa ka konstrukt trupor të rregullt, e gjatë 168 cm. Në anën e jashtme të kufomës u vërejtën plagë prerëse-shpuese, nga të cilat tre plagë depërtuese dhe dy plagë sipërfaqësore, si dhe gërvishtje. Ndërkohë, në aktin mjekoligjor, në muajin gusht të këtij viti, thuhet se në trupin e Lumturi Gjanës vërehen dy plagë prerëse të lokalizuara në krahun dhe parakrahun e majtë, që kanë dëmtuar lëkurën, muskujt dhe tendinat. Këto dëmtime janë shkaktuar me thikë dhe kategorizohen si dëmtime që shkaktojnë humbje të aftësisë në punë në masën mbi nëntë ditë pushim.
Provat në kapele
Pas kryerjes së krimit, autorët janë larguar në panik, pa mundur të marrin një kapele që mbeti në vendngjarje. Këtë kapele e ka gjetur 30-40 cm larg një pellgu me gjak S.A., një banore që kishte shtëpinë pranë vendngjarjes, e cila kishte dalë në rrugë pas thirrjes për ndihmë të familjarëve të viktimës. Më pas këtë provë e mori nipi i viktimës, djali tetëvjeçar. Ai ka tentuar t’ia jepte një punonjësi policie, por ai nuk e ka pasur mendjen dhe kapelja mbeti në makinën ku kishte hipur për të shkuar në spital. Disa minuta pas ngjarjes, Luan Gjana, bashkëshorti i Lumturi Gjanës dhe kunati i viktimës, pas marrjes në dijeni nga e bija për çfarë kishte ndodhur, ka shkuar në vendngjarje, ka marrë fëmijët dhe është nisur për në Spitalin Ushtarak, te të dëmtuarat. Në makinë ka gjetur një kapele me ngjyrë jeshile të errët, me njolla. Pasi u sigurua se nuk ishte e familjarëve të tij dhe se atë e kishte lënë në makinë djali i kunatit, e ka dorëzuar në polici, ku është sekuestruar me cilësinë e provës materiale. Të pranishmit okularë në vendngjarje, Lumturi Gjana, M.Gjana, Y.P., E.T., kanë deklaruar se pasagjeri në motor kishte në kokë kapele, kurse drejtuesi i motorit kishte skafandër. Pyetjes se kush ishte personi me kapele në kokë, i përgjigjet dhe identifikohet nga akti i ekspertimit i muajit gusht të këtij vitit, ku rezulton se në kapelen me ngjyrë jeshile, në pjesën e brendshme të saj dhe në pjesët e anësore të strehës ka njolla të kuqërreme, si ato të gjakut dhe se, me mikroskop, në kapele u gjet fije floku, e seksit mashkull, me ngjyrë të errët, me gjatësi rreth 2 cm. Gjithashtu nga kapelja në fjalë u fiksuan gjurmë dhe mbetje djerse, që të gjitha objekte ekspertimi, të vlefshme për krahasim. Ndërkohë, edhe karakteristikat pamore të kapeles përkojnë me karakteristikat që kanë deklaruar të pranishmit në vendngjarje. Lumturi Gjana dhe dëshmitarët e tjerë në vendngjarje kanë deklaruar se kapelja ishte jeshile, ose jeshile e errët, me strehë apo sportive. Gjithashtu, nga deklarimet e bëra, në përgjigje të pyetjes se çfarë karakteristikash fizike e gjuhësore kishte pasagjeri me kapele, në motor, e që sulmoi Fatbardha Tafën, mësohet se ato përkojnë me karakteristikat e Aldo Hoxhës.
Mbetje djerse e fije floku
Provat në kapele, të njëjta me profilet gjenetike të Aldos
Nga akti i ekspertimit nr. 7505, i datës 11 gisht 2012, rezulton:
1. Profili gjenetik i Aldo Hoxhës, model krahasimi, përputhet me profilin gjenetik të përftuar nga fija e flokut, e gjetur në kapelen jeshile.
2. Profili gjenetik i Aldo Hoxhës, model krahasimi, është i përfshirë në profilin miks të përftuara nga mbetjet e djersës, marrë me tampon në kapelen objekt ekspertimi.
3. Profili gjenetik i Aldo Hoxhës, model krahasimi, është i ndryshëm nga profili miks i përftuar na njollat e gjakut në kapelen jeshile objekt krahasimi, por në këtë profil përfshihet profili i gjakut të objekt-ekspertimit të Lumturi Gjanës.
Deklarimet
- Lumturi Gjana thotë se “autori ishte rreth 20 vjeç, me fytyrë të gjatë e të hollë”.
- M. Gjana thotë se “ishte me fytyrë të imët, me faqe të futura brenda e të kuqe, me mollëza pak të dala e me disa puçrra dhe fliste me zë të trashë.
Përleshja
Autori, me plagë në qafë me forma të germës “U”: “Më goditi policia”. Dëshmia e 8-vjeçarit: E mbytëm
Fatbardha i futi thonjtë në fyt Aldos, Lumturia dhe djemtë e goditën me shkelma
Dëmtimet – Shenjat nuk përngjajnë me dëmtime të dhunshme, të njëanshme e të qëllimshme. Kështu, alibia e Aldos, se dëmtimet në trupin e tij janë pasojë e keqtrajtimit gjatë shoqërimit në polici, është e papranueshme
Akuza – Shenjat janë në ato pjesë të trupit, të cilat i lë zakonisht ai që mbrohet nga një sulm i papritur. Pra ato janë shkaktuar nga duar me thonj të Fatbardhës dhe Lumturisë
Fatbardha Tafa ka tentuar të përleshet me Aldo Hoxhën, madje për një moment e ka vënë me shpatulla në mur, duke e kapur prej fyti. Në ndihmë të saj ka ardhur e motra dhe nipërit e saj, Lumturia me djemtë, të cilët e kanë qëlluar autorin. Prokuroria thotë se në mbështetje të akuzës së “vjedhjes me pasojë vdekjen” janë edhe dëmtimet fizike të konstatuara në trupin e Aldo Hoxhës pas shoqërimit në polici, në orën 03:00 të datës 9 gusht 2012, të cilat, sipas aktit mjekoligjor, janë shkaktuar jo më parë se 48 orë.
Në aktin mjekoligjor rezulton se Aldo Hoxha ka konstrukt trupor të rregullt, me gjatësi 169 cm dhe vërehet se ka pasur dëmtime në qafë nga ana e majtë, ku duket një ekimozë me ngjyrë të kuqe të zbehtë, në trajtë të germës “U”. Një tjetër shenjë e ngjashme i është vërejtur poshtë qafës, ndërsa disa cm më larg, vërehet një gërvishtje lineare me gjatësi 3.7 centimetra. Në anën e përparme të supit të majtë, vërehet një gërvishtje lineare me gjatësi 4 cm. Në kuadratin e sipërm të djathtë të barkut, nga ana e djathtë, vërehet një gërvishtje me ngjyrë të kuqe të zbehtë, me drejtim të pjerrët nga lart poshtë dhe nga e majta në të djathtë drejtvizore me gjatësi 9 cm dhe gjerësi 0.3 cm. Shenja të tjera janë gjetur në shpatullën e majtë, në shpatullën e djathtë, ndërsa ka shenja edhe në ije. Në gishtin e katërt të dorës së djathtë, në rrënjën e thoit, është vërejtur gjak i mpiksur, i cili nuk zhduket nga fshirja me fashë të lagur. Nga ky akt mjekoligjor rezulton se këto dëmtime janë shkaktuar me mjete mprehëse. Sipas prokurorisë, shenjat e mësipërme janë shkaktuar jo më parë se 48 orë, nga momenti i ekzaminimit, çka do të thotë se koha e shkaktimit të tyre përkon me kohën kur ka ndodhur ngjarja. Duke iu referuar dëmtimeve si ekimoza, gërvishtje, të konstatuara në trupin e Aldo Hoxhës, formave gjeometrike të tyre në formën e germës “U”, si dhe vendeve ku janë shkaktuar, arrihet në përfundimin se ato janë pasojë e veprimeve edhe me thonj, pohon prokuroria. Gjithashtu, vijon akuza, shenjat e mësipërme janë në ato pjesë të trupit, të cilat i lë zakonisht ai që mbrohet nga një sulm i papritur. Pra ato janë shkaktuar nga duar me thonj të Fatbardhës dhe Lumturisë, si dhe nga goditjet me shkelma e grushte të të dy djemve të mitur. Në deklarimin e 8-vjeçarit Y.P., ka thënë se E. dhe djali i hallës M. kanë tentuar të mbysnin Aldon.
Prokuroria arrin në konkluzionin se dëmtimet e sipërpërmendura nuk përngjajnë me dëmtime të dhunshme, të njëanshme e të qëllimshme. Kështu, alibia e Aldos, se dëmtimet në trupin e tij janë pasojë e keqtrajtimit gjatë shoqërimit në polici, është e papranueshme. Keqtrajtimet në polici, zakonisht, kanë natyrë dhe paraqitje tjetër, që nuk përafrojnë me dëmtimet e konstatuara në trupin e Aldos. Për më tepër, pohon akuza, këto dëmtime Aldo i ka pasur para se të shoqërohej në polici, d.m.th. i kishte që në momentin e shoqërimit, në orën 03:00 të datës 09.08.2012, madje, të shkaktuara jo më parë se 48 orë, siç konkludon ekspertiza mjekoligjore. s.çobo