Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë për të premten, më 23 nëntor miratimin e projektvendimit për ndarjen e mandateve të zonave elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Ky vendim erdhi pas kërkesë së përfaqësuesve të PS në KQZ, të cilët kërkuan të kishin informacion më të detajuar nga Drejtoria e Gjendjes Civile lidhur me lëvizjet dhe mbi gjendjen aktuale të popullsisë në çdo njësi vendore.
Përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Gjonçaj iu referua veçanërisht 4 komunave të qarkut të Kukësit, ku sipas tij vihet re një rritje e palogjikshme e popullsisë.
Reagimi i përfaqësuesit të PD, Njazi Kosovrasti ishte i menjëhershëm duke e cilësuar si mosbesues qëndrimin e opozitës, ndërkohë që sipas tij, të dhënat mund të konfirmoheshin fare lehtë prej tyre duke qenë se janë servirur nga Drejtoria e Gjendjes Civile dhe për çdo dyshim opozita mund të verifikojë në regjistrin kombëtar të zgjedhësve. Mbledhja e sotme e KQZ kishte në rend të ditës “Shqyrtimin e Projekt-vendimit: ‘Për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, të vitit 2013’”. Harta e rishpërndarjes së mandateve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të ketë një konfigurim të ri, në varësi edhe të lëvizjes së popullsisë.
Rishpërndarja e mandateve për zonat zgjedhore në 2013 sjell një tkurrje të numrit të mandateve (-1) për qarkun e Korçës dhe Beratit dhe shtim të numrit të mandateve (+1) për qarkun e Tiranë dhe Durrësit.
Konfigurimi i hartës elektorale për 12 qarqet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të jetë si më poshtë:
Zona zgjedhore Qarku Berat 7 mandate
Zona zgjedhore Qarku Dibër 6 mandate
Zona zgjedhore Qarku Durrës 14 mandate
Zona zgjedhore Qarku Elbasan 14 mandate
Zona zgjedhore Qarku Fier 16 mandate
Zona zgjedhore Qarku Gjirokastër 5 mandate
Zona zgjedhore Qarku Korçë 11 mandate
Zona zgjedhore Qarku Kukës 4 mandate
Zona zgjedhore Qarku Lezhë 7 mandate
Zona zgjedhore qarku Shkodër 11 mandate
Zona zgjedhore Qarku Tiranë 33 mandate
Zona zgjedhore Qarku Vlorë 12 mandate
21 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)