22 nëntor – Mazhoranca dhe Presidenti ndajnë mendimin se mandati i kryeprokurores mbaron më 22 nëntor
23 maj – Opozita, por edhe një pjesë e konstitucionalistëve, ndajnë mendimin se mandati i Ina Ramës mbaron më 23 maj
71 vota – Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me një shumicë të thjeshtë në Kuvend. Ai zgjidhet deri në 71 vota
Kandidatët
Sandër Simoni – Sandër Simoni është aktualisht kryetar i komanduar i Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ndodhet në top-listën për kryeprokuror
Admir Thanza – Aktualisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese. I ka mbaruar mandati në këtë institucion, më parë ka qenë edhe anëtar i KLD-së
Ivi Kaso – Avokati i PD-së në mbrojtjen e çështjeve zgjedhore të 8 majit, punon si drejtor i Agjencisë Antikorrupsion pranë Kryeministrit
Neshat Fana – Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Neshat Fana është njeri i afërt i PD-së. Ai ka qenë avokat i Kryeministrit
Institucioni
Presidenti zhvillon takimet me partitë parlamentare, emrat që përfliten për pasardhësin e Ina Ramës
BLEDAR HOTI
Shkarkimi i Ina Ramës do të ndodhë brenda këtyre dy ditëve. Presidenti i Republikës, sipas burimeve, mësohet se brenda datës 23 nëntor do të nxjerrë dekretin për shkarkimin e Ina Ramës dhe emërimin e kryeprokurorit të ri. Kreu i shtetit, Bujar Nishani, nisi dje konsultimet formale me partitë politike, pasi mësohet se dekretimi për emërimin është gati. Vetë Presidenti i Republikës, në konsultat me partitë, ka bashkëbiseduar mbi cilësitë e kryeprokurorit të ri, pa dhënë në tavolinë ndonjë emër konkret. Tashmë i vetmi institucion i paprekur nga mazhoranca aktuale, pas zgjedhjes së Nishanit, Prokuroria e Përgjithshme, do të jetë siç duket dhurata e re për 100-vjetorin e Pavarësisë nga ana e Presidentit për Kryeministrin Sali Berisha. Pas shkarkimit të kreut të SHISH-it, Bahri Shaqiri, shkarkimit të nënkryetarit të KLD-së, emërimin në vend të tij të njeriut pranë mazhorancës, tashmë Prokuroria e Përgjithshme pritet të ketë një njeri të zgjedhur më pranë PD-së.
Emrat e përfolur
Kryetari i komanduar i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, përflitet si një kandidat potencial për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Një tjetër kandidat i përfolur është dhe ai i Ivi Kasos, drejtorit të Agjencisë Antikorrupsion pranë Kryeministrisë. Adnor Shameti, si një njeri më pranë LSI-së, drejtues i një universiteti privat, është një tjetër kandidat për këtë post. Admir Thanza, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, të cilit i ka mbaruar mandati; Neshat Fana anëtar i KLD-së, janë emrat e tjerë. Ndërsa në këtë garë nuk kanë mbetur prapa as prokurorët, të cilët kërkojnë të marrin postin e kryeprokurorit. Altin Dumani dhe Dritan Peka janë dy prokurorët që përfliten. Gjatë kësaj periudhe janë përfolur edhe emra deputetësh të PD-së, si dhe zv.ministra të Drejtësisë për postin e Ina Ramës. Porse kandidatët puro politikë, duket se do të lihen jashtë kësaj beteje të re të mazhorancës.
Takimi me partitë
Nishani zhvilloi dje paradite konsulta me përfaqësuesit e partive parlamentare, PD, PS, LSI, PR, PBDNJ dhe PDIU. Kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi, ka qenë i pari që është konsultuar me Presidentin për çështjen e prokurorit. Mësohet se Patozi ka deklaruar në këtë takim, se kërkon që emri i ri nuk duhet të jetë i implikuar dhe të vijë nga sistemi i drejtësisë. Për PD-në, ndryshe nga qëndrimi i PS-së, mandati i Ina Ramës ka përfunduar dhe se çështja lidhet me kriteret e kandidatit për pasuesin e Ina Ramës, i cili duhet të jetë një njeri që ka integritet moral dhe profesional, eksperiencë në sistemin e drejtësisë, mosimplikim në të shkuarën dhe një CV të besueshme. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, i shoqëruar në këtë takim nga dy nënkryetarët Neritan Alibali dhe Alfred Deshati, paraqiti këto cilësi për kryeprokurorin e ri: “integritet personal, duhet të ketë figurë të pastër morale, duhet të jetë i aftë profesionalisht e duhet të jetë bashkëpunues me institucionet, si dhe duhet të jetë i vendosur në luftën kundër korrupsionit dhe krimit”.
Mandati
Kreu i shtetit ka dhënë edhe sqarimet ligjore se pse mandati i Ina Ramës përfundon më 22 nëntor. “Në respekt të Kushtetutës së vendit dhe ligjit organik të prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës ka një mandat 5-vjeçar. Mandati përbën periudhën kohore gjatë së cilës i emëruari ushtron funksionin e tij. Në referim të të gjitha praktikave gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, fillimi i mandatit i referohet ditës së emërimit apo betimit (nëse kërkohet betimi) dhe përfundon në të njëjtën ditë dhe muaj të vitit të fundit të afatit të përcaktuar në ligj”, thuhet në njoftimin zyrtar. Presidenti i Republikës bën ditur se e vlerësoi shumë lart procesin e këtyre konsultimeve, por edhe të shkëmbimit të pikëpamjeve si pjesë e transparencës dhe e komunikimit midis institucioneve.
Partitë
LSI-ja, jo emër politik në Prokurorinë e Përgjithshme
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Lefter Koka, mësohet se ka kërkuar që emri i ri të mos vijë nga politika, duke paraqitur të njëjtat kritere që ka shtruar në tryezën e konsultimeve edhe kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi. Për përfaqësuesit e LSI-së, mandati i kryeprokurorit lë vend për interpretime kushtetuese dhe për këtë, qëndrimi i LSI-së do të përcaktohet nga strukturat drejtuese të kësaj force politike. Për kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, politika duhet të gjejë konsensus dhe të shohë përtej datave. “Emri i kryeprokurorit duhet të jetë përtej datave, pasi prokuroria është një ndërmarrje dhe një sektor në funksion të shtetit të së drejtës. Përditë ndeshemi me një sistem drejtësie me probleme. Duhet dhe shpresojmë që të gjendet një zgjidhje mbi dhe përtej partive politike. Nuk mund të ndërtojmë një shtet europian pa një sistem drejtësie sipas standardeve europiane ku prokuroria është epiqendra e saj. Për PBDNJ-in s’ka asnjë problem që përfundimi i mandatit të kryeprokurores do të diskutohet para ose pas procesit elektoral, pasi klima është e polarizuar dhe konfliktuale. Duhet të gjendet një zgjidhje konsensuale”, tha Dule.