Opozita – Partia Socialiste e cilëson shkarkim të Kryeprokurores dhe jo mbarim të mandatit dekretin e mundshëm të Presidentit Nishani. Ky qëndrim i është bërë publik dje Presidentit nga Gramoz Ruçi


Ministër-president – Rama e ka cilësuar si një “ministër-president” Nishanin, pasi ai sipas tij, po vepron jo në frymën e Kushtetutës, por po zbaton porosinë antikushtetuese e dhënë nga Kryeministri Sali Berisha


Kapja e shtetit – PS e cilëson si një tjetër tentativë e kapjes së shtetit nga mazhoranca procesin për largimin e Ina Ramës nga posti i Prokurorit të Përgjithshëm


Rama: Drejt kapjes totale të shtetit. Ruçi depoziton argumentet te Nishani


BLEDAR HOTI


Partia Socialiste e cilëson si atentat kushtetues vendimin e pritshëm të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, për shkarkimin e Kryeprokurores Ina Rama. Ndaj këtij veprimi reagoi ashpër lideri i PS-së, Edi Rama, i cili theksoi se Nishani po vepron ende sikur të ishte një ministër i Berishës dhe jo kryetari i shtetit. “Në fakt, kjo është porosia antikushtetuese e Kryeministrit, që po e zbaton ministria e presidencës. Kryetari ynë i grupit parlamentar shkoi në këtë takim me qëllimin e mirë për ta ndihmuar Presidentin që të kujtohet se nuk është më ministër i Saliut, por kryetar i këtij shteti. Duke i shpjeguar që në fakt është m’u në prag të shkeljes së Kushtetutës dhe të ligjit. Përgjigjja që mori, merret lehtë me mend, siç do përgjigjej çdo ministër i Saliut. Por Prokurorja e Përgjithshme sot në detyrë nuk mund të shkarkohet dhe as të zëvendësohet përpara datës 23 maj 2013. Këtë thotë Kushtetuta, këtë kanë shprehur qartë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo do të ishte rrënuese dhe ky është një hap tjetër rrënues për jetën institucionale të vendit dhe një thellim në rrugën rrënuese të kapjes së të gjithë institucioneve”, tha Rama. Lideri i opozitës u shpreh se “njësoj si me Fierin, edhe me Prokuroren e Përgjithshme, Saliu flet në emër të ligjit, por në fakt përdor forcën abuzive të pushtetit për të marshuar përpara drejt kapjes totale të sistemit dhe të institucioneve të shtetit, duke e shkelur ligjin në çdo hap”. Për kreun e PS-së Berisha, padyshim që Kryeministri do t’i shkojë deri në fund edhe këtij atentati të radhës kundër Kushtetutës dhe do ta kapë edhe institucionin e pavarur, që nuk arriti dot ta nënshtrojë në 5 vjet as me presione, as me para.


Argumenti i PS-së


Partia Socialiste, në takimin me kreun e shtetit, ka paraqitur zyrtarisht arsyet se pse shkarkimi i kryeprokurorit duhet të ndodhë më 23 maj të vitit të ardhshëm. “Nuk janë partitë ato që përcaktojnë vlerat që duhet të mishërojë Prokurori i Përgjithshëm. Këto vlera i dikton Kushtetuta, prej së cilës Ju duhet të udhëhiqeni në çdo hap zoti President!”, thuhet në shkresën e firmosur nga kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, dorëzuar personalisht Nishanit. Më tej, theksohet se në këtë takim, Presidenti rrezikon të shkelë Kushtetutën në frymë e në germë. “Kjo është arsyeja që PS refuzon të marrë pjesë në një proces kërcënues për Kushtetutën, arsyeja pse Ju shkruajmë për t’ju ardhur në ndihmë që të mos shkelni Kushtetutën, duke ndërmarrë ‘takime konsultuese’”, thuhet në letër. Ruçi, i cili siç duket mund të ketë pasur fillimisht idenë e mos takimit me Presidentin, por t’i paraqesë me shkrim qëndrimin e PS-së, ka paraqitur tri argumentet e mëposhtme Nishanit se nuk duhet të shkarkohet Ina Rama pas 22 nëntorit. Ky veprim cilësohet shkarkim, jo emërim si mbarim mandati; duhet të argumentohen shkeljet e këtij veprimi dhe asnjë lloj doktrine kushtetuese nuk e njeh apriori fuqinë prapavepruese. “Norma kushtetuese që kufizoi mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm në 5 vjet fillon efektet e veta jo në datën e zgjedhjes së Prokurorit aktual (më datë 22.11.2007), por nga dita e hyrjes së normës kushtetuese në fuqi, pra më datë 23 maj 2013”, thuhet në shkresën e Ruçit.


 


Argumenti


“Njësoj si me Fierin, edhe me Prokuroren e Përgjithshme, Saliu flet në emër të ligjit, por në fakt përdor forcën abuzive të pushtetit”


 


Argumentet e PS-së


Ndërprerja e mandatit kushtetues, i pakufizuar në kohë, është me pasoja antikushtetuese dhe që implikon rëndë parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve


Norma kushtetuese që kufizoi mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm në 5 vjet fillon efektet e veta jo në datën e zgjedhjes së prokurorit aktual (më datë 22.11.2007), por nga dita e hyrjes së normës kushtetuese në fuqi, pra më datë 23 maj 2013


Çdo veprim për largim nga detyra, para përfundimit të mandatit të Prokurores së Përgjithshme do të ishte i kundërligjshëm. Ky do ishte ‘de facto’ shkarkim! Për një hap të tillë, mazhoranca dhe Ju si President duhet të faktoni shkeljet që parashikon Kushtetuta dhe ligji


 


4 faqe – Dokumenti i PS-së, i depozituar te Presidenti Nishani, përmban gjithsej katër faqe


3 argumente – Socialistët i kanë depozituar tri argumente kryesore Presidentit për antikushtetutshmërinë


5 parti – Presidenti zhvilloi konsulta me pesë parti politike: PD, PS, LSI, PR, PBDNJ dhe PDIU


1 orë – Në dispozicion të çdo partie politike, kreu i shtetit kishte lënë si afat një orë


 


Afrim Krasniqi


FRD, shkarkimi, tagër i Gjykatës Kushtetuese


Sekretari politik i Frymës së Re Demokratike deklaroi dje se bisedimet që po zhvillohen mbi vlerat që duhet të përfaqësojë figura e ardhshme e Prokurorit të Republikës, janë akti i parë i shkarkimit zyrtar të Prokurorit të Përgjithshëm. Duke ndarë mendimin se mandati i Ina Ramës përfundon në 2012-n, Krasniqi theksoi se “çdo tentativë tjetër për shkurtim mandati përbën shkelje të Kushtetutës dhe shkarkim të paligjshëm nga detyra”. “FRD paralajmëron se akti presidencial për nisjen e procedurës për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm përbën jo vetëm një akt antikushtetues, por edhe një zhvillim negativ të Shqipërisë në raport me shtetin e së drejtës, detyrimet tona në kuadër të integrimit dhe këshillën e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Presidenti mund t’i adresohej Gjykatës Kushtetuese, mund të konsultohej me ekspertë të njohur kushtetues, mund të kërkonte asistencë juridike të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Asgjë e tillë nuk ndodhi, ndërkohë që, vetëm sa pritet formalizimi i ndryshimit. Ky zhvillim përbën një mesazh negativ në procesin e vendimit të Komisionit Europian për ftesën e anëtarësimit të Shqipërisë, si dhe një akt provokues dhe antiligjor në 100-vjetorin e shtetit shqiptar”, tha Krasniqi. FRD paralajmëron se vetëm Gjykata Kushtetuese ka tagrin për të bërë interpretimin e mandateve kushtetuese dhe se çdo vendim nesër i kësaj Gjykate, kundër aktit të njëanshëm të shkarkimit të Kryeprokurores sjell pasoja direkt edhe për përgjegjësit konkretë të këtij shkarkimi. Ne jemi për shtetin ligjor, jemi për pavarësinë e institucioneve kushtetuese, jemi për respektimin e tagrit kushtetues të çdo institucioni.