Kryesocialisti Edi Rama ka takuar sot dhjetëra të rinj që votojnë për herë të parë. Gjatë fjalës së tij, kreu i selisë rozë ka nënvizuar se arsimi ka nevojë për një reformë të thellë, për të ndryshuar në mënyrë rrënjësore situatën.


“Sot ata që janë në universitet, apo që përgatiten të mbarojnë shkollën e mesme ndeshen me zgjidhjen më të gabuar të një politike shumë hileqare. Që është, më mirë i hapim dyert e universitetit dhe i themi shkoni në universitet. Po ashtu lëmë në rënie të lirë universitetin privat, licencojmë universitete sa të na paraqiten, shkoni dhe atje. Çfarë ndodh?! Ndodh që në fakt vetëm shtyjmë kohën e përpalljes me një plagë të tmerrshme. Plaga e tmerrshme e papunësisë, e cila thellohet me të reja dhe të rinj të papunë edhe pse me diplomë. Ndërkohë që ju e dini mirë në Shqipëri, në çdo km katror gjen deri dhe 500 juristë, por duhet të bredhësh shumë kilometra për të gjetur një rrobaqepës, ose një marangoz, ose një hidraulik. Sepse të rinjve, atyre që janë me shkollë të mesme, nuk ju jepet një alternativë dhe zgjidhja është midis universitetit ose papunësisë. Ndërkohë që në Europën ku ne duam të bëhemi pjesë, zgjidhja është mes universitetit dhe shkollës profesionale, një zanati me të cilin njeriu edhe në moshë fare të re mundet të hapi pastaj edhe një biznes të vogël, të punësoj veten, të punësoj dikë tjetër, të punësojë familjen e tij të re dhe të krijojë mirëqenien e nevojshme për të jetuar normalisht”, është shprehur Rama.


Në të njëjtën linjë të kritikës së fortë dhe nevojës urgjente për ndryshim,  Rama ka folur edhe për gjendjen e teksteve shkollore, ku e ashtuquajtura reforma e Altertekstit ka krijuar një katrahurë të vërtetë në shkollat shqiptare. “Ne duhet të bëjmë një reformë shumë rrënjësore të Altertekstit. Britania e Madhe ka dy tekste matematike. Shqipëria e vogël ka 12, pa hyrë në shumë e shumë marrëzira që gjeneron Alterteksti. Ne duhet të bëjmë një reformë të Altertekstit dhe synimi është që universitetet të akreditohen dhe të rankohen, por dhe gjimnazet po ashtu. Jo të gjithë uniformë pa profilizime, pa asnjë ide të cilësisë”, ka theksuar Rama.


Kreu i opozitës i ka siguruar të rinjtë se PS në qeverisje është e vendosur për ta shkëputur një herë e mirë arsimin nga ndikimi politik, në mënyrë që asnjë drejtor shkolle të mos lejohet t’a bëjë shkollën mjedis politik të qeverisë dhe asnjë opozitë të mos pengohet të takojë mësuesit publikisht.


21 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)