Zbulohet shkresa e Shaqirit. Skandali i zyrtarit të ministrisë


BLEDAR HOTI


Shërbimi Informativ Shtetëror ka qenë kundër draftit të Ministrisë së Mbrojtjes “Për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes. Një dokument i zbuluar nga deputeti i PS-së, Piro Lutaj, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare ka rrëzuar pretendimin e zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes se të gjitha institucionet e tjera të vendit, duke përfshirë vetë SHISH-in janë pro draftit. Në shkresën, e cilësuar si sekrete, e firmosur nga kreu i asaj kohe i SHISH-it, Bahri Shaqiri, i datës 22.6.2012, paraqiten kontestimet e këtij institucioni për draftin e Ministrisë së Mbrojtjes. “Për disa çështje shprehim qëndrimin tonë për mosdakordësinë dhe po i ripërsërisim duke menduar se është në interes të punës që të rishikohen duke parë mundësitë e implementimit të tyre në projektligj, konkretisht bëhet fjalë: Qëndrimi i parë, AISM (Agjencisë Inteligjente të Sigurisë së Mbrojtjes), ushtron veprimtarinë mbi ato që cenojnë Ministrinë e Mbrojtjes dhe misionin e FA-së. Qëndrimi i dytë, AISM shtrihet në të gjitha çështjet që lidhen me kërcënimet dhe cenimet ndaj sigurisë kombëtare. Nëse i referohemi përcaktimit të dytë, kjo agjenci i bie të jetë në funksion të sigurisë kombëtare dhe jo vetëm të MM-së dhe misionit të FA-së. Për të shmangur këtë lloj përplasjeje me akte të tjera ligjore, mendojmë që, në të gjithë projektligjin të përcaktohet qartë se AISM është në funksion të sigurisë së MM-së dhe FA-së”, thuhet në shkresën “top sekret” të shefit të SHISH-it, Bahri Shaqiri. Dublimi i punës së agjencive të shërbimit sekret është shqetësimi kryesor i SHISH. “Neni 2, pika 3, thekson se, agjencia e ushtron veprimtarinë edhe mbi civilë që cenojnë sigurinë kombëtare, duke e shtrirë veprimtarinë e saj në një fushë të pakufizuar dhe që ka paralelizëm me shërbime të tjera që me ligj kryejnë këtë funksion. Dhënia e kompetencës së Presidentit për emërimin e drejtorit do të binte ndesh me ligjin themeltar të shtetit. Në këtë rast një drejtor drejtorie rezulton të jetë në një rang me ministrin  e Mbrojtjes edhe pse është vartës i tij. Neni 18, pika 3 përcakton se ndalohet përdorimi i procedurave ndaj personave me imunitet. Ky nen kërkon të saktësohet dhe plotësohet, pasi rrethi i personave që kanë imunitet është shumë i madh”, thuhet më tej në letër.



Zyrtari i Imamit


Drejtori i Ministrisë së Mbrojtjes, Rezart Tërshana, ka habitur me deklaratën e tij, duke shkaktuar shumë debate në komision. “Ne kemi korrespondenca me institucione të ndryshme, por për arsye se ato përbëjnë një sekret shtetëror ne nuk ia bëjmë prezent komisionit”, tha Tërshana. “Nuk është hera e parë, që Ministria e Mbrojtjes bën një veprim të tillë dhe ka mbyllur dyert dhe po shkel ligjin me katër këmbë, Ministria e Mbrojtjes dhe e gjithë mazhoranca. Ju lutem ne duam të kemi në dispozicion ashtu siç ka ndodhur edhe në 2003-on, bashkangjitur relacionit, po t’i referoheni atij ka pasur të gjitha komentet që kanë ardhur nga CIA apo edhe nga partnerë të tjerë”, tha Ilir Gjoni, nënkryetar i komisionit. Socialisti Piro Lutaj tha se “duam të gjithë korrespondencën e autoriteteve që kanë përpiluar këtë ligj të vihen në dispozicion të komisionit për arsye se: e para, po abuzoni se janë informacion i klasifikuar dhe e dyta, po thuhet se kemi rënë dakord, ndërkohë që nuk keni rënë dakord”. Gjithashtu, opozita nëpërmjet deputetit Gazmir Bizhga kërkoi praninë e ministrit Arben Imami. Drafti u miratua në parim vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa javën e ardhshme do shqyrtohet nen për nen. Deputeti i PS-së, Arben Isaraj, në diskutimin e tij ngriti shqetësimin mbi të drejtën e Presidentit të Republikës për emërimin e kreut të ri të Agjencisë Inteligjente të Mbrojtjes. Ai deklaroi se një praktikë të tillë nuk e ka asnjë vend perëndimor, as SHBA-ja. “Unë kërkoja të sqaroja përplasjen që ka me Kushtetutën për drejtorin e Përgjithshëm të AIM-it. Në një republikë parlamentare nuk ka President që të bëjë emërime në shërbime. Ku e ka gjetur Ministria e Mbrojtjes? E ka CIA, DIA? Nuk e kanë një gjë të tillë”, tha Isaraj.