Raport për nxënësit e infektuar nga parazitët, por edhe për mungesat për shkak të virozëve


Lorina Mixha


Shfaqja në masë e parazitëve në disa shkolla të Tiranës ka sjellë edhe angazhim nga strukturat e higjienës. Mjekët e shkollave, sipas autorizimit dhe udhëzimit operativ, duhet të kontrollojnë situatën në shkolla, të saktësojnë numrin e nxënësve të prekur, si dhe të mbajnë një raport të detajuar lidhur me shkallën e përhapjes së morrave në klasa, nga koka e njërit nxënës në tjetrën…


Shqetësimi


Dy ditë më parë, gazeta “Shqip” ka sjellë në vëmendje problemin e përhapjes së morrave te nxënësit e shkollave në disa institucione në kryeqytet, disa prej të cilave ndodhen në zemër të Tiranës.


Sipas Drejtorisë së Higjienës rastet e parazitëve evidentohen çdo vit në shkolla apo institucione arsimore parashkollore, por në varësi të përhapjes dhe rrezikut, bëhet vlerësimi i situatës si dhe merren masat e nevojshme.


Në këtë rast, Ministria e Shëndetësisë, autoriteti shëndetësor rajonal, por edhe drejtoritë e higjienës, kanë vendosur në shkolla nga një mjek, i cili sipas udhëzimeve dhe detyrave të përcaktuara qartë, bën edhe kontrollin e institucionit.


Për fëmijët e shkollave ku janë konstatuar parazitët, mjekët kanë njoftuar prindërit, mësuesit dhe kanë dhënë direktivat dhe udhëzimet për të mos përhapur parazitin si dhe për të pastruar kokat e nxënësve të prekur nga morrat.


Ndër masat e këshilluara edhe nga drejtoritë e higjienës janë përdorimi i shampove dhe solucioneve, preparate të posaçme për të luftuar parazitët, duke zbatuar dozën, kohën dhe udhëzimet për zhdukjen e morrave.


Po ashtu, sipas udhëzimeve të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë duhet të merren masa për të pasur në kontroll shkallën e përhapjes së “infeksionit” në kokat e fëmijëve, duke paraqitur edhe raporte për mungesat. Detajet e mungesave duhet të ndahen për shkak të infektimit nga morrat apo për shkak të prekjes nga virozat e stinës. Një pjesë e nxënësve dhe fëmijëve nga 0-12 vjeç janë prekur nga virozat e stinës, por pritet që fluksi më i lartë i të prekurve nga infeksionet e rrugëve respiratore dhe viruseve në qarkullim, sipas epidemiologëve, do të jetë në muajin dhjetor.


Informimi


Sakaq, përveç mësuesve dhe prindërve të cilët u njoftuan për prekjen e nxënësve dhe fëmijëve nga morrat, janë njoftuar edhe nxënësit e tjerë të shkollës për të marrë masa dhe për t’u kontrolluar në rast se janë prekur nga parazitët.


Aktualisht në treg gjenden shampo dhe solucione të cilat duhet të përdoren gati për dy javë me radhë, të cilat bëjnë pastrimin nga parazitët apo shkatërrimin e foleve të “morrave” në flokët e vogëlushëve.


Prindërit këshillohen të kontrollojnë periodikisht fëmijët dhe të mos përdorin metoda popullore, si në rastin e lyerjes së kokës me vajgur, pa ditur dozën e saktë, që mund të shkaktojë probleme me lëkurën e kokës së fëmijëve.


 


Shkollat


Mësueset, drejtuesit e disa shkollave 9-vjeçare në qendër të


Tiranës kanë njoftuar autoritetet e shëndetësisë, ndërkohë që i kanë bërë me dije prindërve për fenomenin dhe përhapjen e parazitëve në shkolla, duke kërkuar pastrim dhe dezinfektim të kokave të fëmijëve, në mënyrë të menjëhershme për të përmirësuar gjendjen


 


Rekomandimi


Drejtoria e Higjienës, autoritetet shëndetësore por edhe Instituti i Shëndetit Publik në këtë rast bëjnë konstatimin e rasteve të prekura nga parazitët. Mjekët e atashuar në shkolla bëjnë njoftimin te prindërit, si dhe japin rekomandimet se si duhet të veprohet