Motivi
Kryetari i Qarkut të Fierit tregon arsyet e tërheqjes së padisë
Të tria shkallët e gjyqësorit i kanë cilësuar si të paligjshme ndryshimet e këshilltarëve të qarkut
Edmond Hoxhaj
Zvarritja për rreth një vit e çështjes gjyqësore që ka si objekt padinë e kryetarit të majtë të Qarkut të Fierit, Vangjel Ndreka, i cili ka kërkuar pavlefshmërinë e vendimeve të marra në mbledhjen e këshillit të qarkut më datë 16.11.2011 si dhe vendimet e formës së prerë të dhëna nga Apeli i Vlorës ka bërë që vetë ai të heqë dorë nga gjykimi i kësaj padie.
Pse e tërhoqi padinë Ndreka
Vangjel Ndreka ka theksuar para mediave se tashmë ka disa vendime të formës së prerë të gjyqësorit që e kanë cilësuar si të pavlefshme këtë mbledhje si dhe një vendim të marrë nga 54 këshilltarët e qarkut. Sipas Ndrekës, është pikërisht shtyrja e herëpashershme e gjyqit nga ana e të paditurve, që ka sjellë për pasojë humbjen e aktualitetit të çështjes. “Kjo çështje gjyqësore ka plot një vit që është në dyert e Gjykatës së Fierit dhe tashmë e ka humbur aktualitetin e vet. Tashmë zgjidhja e kësaj çështje është dhënë nga vendime të tjera gjyqësore dhe nga vetë Këshilli i Qarkut të Fierit. Nëpërmjet kësaj padie kam kërkuar në muajin nëntor të vitit të kaluar konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të vendimeve të marra nga këshilltarët e djathtë”, theksoi Ndreka, i cili lexoi para medias gjithë argumentet pse kishte hequr dorë nga padia në fjalë, që sipas tij nuk kishte më asnjë arsye të gjykohej dhe se ajo duhej të kishte përfunduar brenda 30 ditëve nëse gjykata do të kishte zbatuar ligjin. Kryetari i majtë i Qarkut të Fierit ka parashtruar edhe faktet me të cilat ka mbrojtur versionin e tij se gjyqësori tashmë është shprehur për pavlefshmërinë absolute të mbledhjes së të djathtëve të zhvilluar më datë 16 nëntor 2011.
Edhe ish-prefekti hoqi dorë nga padia
Pas deklarimeve të krerëve të mazhorancës, të cilët pohuan se tashmë kryetari i majtë i Qarkut të Fierit, Vangjel Ndreka, është tërhequr, ky i fundit e ka cilësuar si një shpifje të pastër një gjë të tillë. Megjithatë, nga informacionet e mbledhura rezulton se edhe e djathta ishte tërhequr më parë nga kjo çështje. Gazeta ka siguruar një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Fierit, ku ka qenë si objekt shqyrtimi padia e ish-prefektit të Fierit, Bujar Hasa, i cili ka kërkuar cilësimin si absolutisht të pavlefshme të vendimeve të marra në mbledhjen kostituive të këshillit të qarkut të datës 21 shtator 2011, kur u zgjodh kryetar kandidati i PS-së, Vangjel Ndreka. Por, pas datës 16 nëntor 2011, ish-prefekti ka kërkuar heqjen dorë nga gjykimi i kësaj çështjeje, me pretendimin se kërkesëpadia e tij ngelet pa objekt. Heqjen dorë nga kërkesëpadia e njëjtë me atë të djeshmen, prefekti e kërkoi pas mbledhjes së 16 nëntorit 2011, duke pretenduar se tashmë gjithçka e kishte zgjidhur vetë këshilli i qarkut.
Reagimet
Kreu i socialiste, Edi Rama dhe deputeti Armando Subashi sqarojnë qëndrimin për qarkun
PS: Nuk heqim dorë nga Fieri, padia u tërhoq se kaloi afati
Partia Socialiste mohoi dje akuzat e bëra nga Kryeministri Berisha për tërheqjen e socialistëve nga Qarku i Fierit. Kreu i PS-së, Edi Rama, preferoi t’i komentonte shumë shkurt deklaratat e Kryeministrit Berisha përmes rrjetit social “Twitter”, ndërsa arsyet se pse socialistët ishin tërhequr nga padia në gjykatën e këtij qyteti, u bënë publike nga deputeti socialist i Fierit, Armando Subashi. Edi Rama e konsideroi Berishën si një njeri, i cili kishte dështuar me qeverisjen dhe tani i kishin shteruar dhe argumentet. “Aq i dëshpëruar dhe pa argumente Kryeministri, sa keqpërdor Konicën për të sulmuar opozitën… Ç’fat Faik Beu që as në varr nuk e lanë rehat satrapet! I gjori Kryeministri! I kanë shterur argumentet, sepse ka dështuar me qeverisjen dhe tani i ka mbetur veç balta e shpifjeve e sharjeve ndaj opozitës”, deklaroi Rama menjëherë pasi Berisha e kishte akuzuar se ishte tërhequr nga çështja e Fierit. Ndërsa deputeti socialit, Armando Subashi, deklaroi nga selia e PS-së se vazhdimi i padisë në Gjykatën e Fierit nuk kishte kuptim se ai nuk kishte kaluar çdo afat ligjor. Nga ana tjetër, Subashi deklaroi se gjyqtari i çështjes kishte qenë jo profesional dhe i lidhur me pushtetin e Kryeministrit Berisha. “Por për të shpjeguar shumë shkurt atë çka ka ndodhur unë do të jap disa shpjegime. Në Gjykatën e Fierit që prej nëntorit të vitit të kaluar kishte ngelur një çështje pa u gjykuar, e cila zvarritej qëllimisht nga një gjyqtar politik, i shkolluar në kurset e Saliut dhe i emëruar prej Sali Berishës. Kishte 1 vit që ky gjyqtar nuk jepte vendimin që ne kishim kërkuar. Kishim kërkuar pavlefshmërinë absolute të vendimeve të Këshillit të Qarkut të Fierit në datën 16 nëntor të vitit të kaluar”, deklaroi deputeti i Fierit, Armando Subashi. Sipas tij, Kryeministri Berisha ka mbi tryezë vendime gjykatash të formës së prerë, të cilat i kanë dhënë të drejtë 11 këshilltarëve të Qarkut të Fierit të ulen në karriget e tyre, të ushtrojnë mandatin e vet kushtetues dhe mbi këtë bazë të vihet në vend drejtësia, të vihen në vend zbatimi i vendimeve të gjykatës. “Por Sali Berisha duke mos pasur asnjë argument për Fierin ka frikë të ballafaqohet. Sali Berisha nuk ka asnjë arritje për integrimin prandaj e bllokon atë. Gjykata është e qartë në vendimet që ka dhënë. Tani duhet vetëm respektimi i vendimeve të gjykatës”, deklaroi Subashi. F. Mejdini
Deklarata
Berisha: Rama me Fierin bëri intrigë
Berisha akuzoi dje në mbledhjen e qeverisë kryetarin e PS-së se përdori taktikisht Qarkun e Fierit për të bllokuar procesin e integrimit. “Zoti Rama bëri gabimin politik më fatal me bllokimin e tre ligjeve për statusin, i bllokoi duke përdorur si pretekst një çështje lokale që s’kishte lidhe me statusin. Sot, një ditë pas 20 nëntorit, datë kjo e fiksuar në raportin e Komisionit Europian për votimin e ligjeve që komisioni të bënte raportin për këshillin, Rama bëri një intrigë të turpshme në kurriz të çdo shqiptari, urdhëroi Vangjel Ndrekon të tërhiqet nga padia gjyqësore. Misioni u krye, s’na duhet më gjykimi. Ky është qëndrimi i Ramës ndaj procesit të integrimit. Po ta shohim historinë në këtë 100-vjetor del e vërtetë shprehja e Faik Konicës, ‘Zoti e ruajt Shqipërinë nga shqiptarët, sado e hidhur që mund të duket…kjo thënie u faktua”, deklaroi Berisha.