Pushtojnë qytetin e Gomas dhe pretendojnë të “çlirojnë të gjithë vendin”


Forcat rebele në Kongon lindore deklaruan dje se kanë në plan të marrin kontrollin e të gjithë vendit të stërmadh në qendër të Afrikës, pasi pushtuan tri ditë më parë qytetin e rëndësishëm të Gomas në prani të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.


Një zëdhënës për grupimin rebel që njihet si M23, një grup që besohet gjerësisht se mbështetet nga Ruanda, tha se kanë planifikuar të “çlirojnë vendin” duke lëvizur drejt kryeqytetit Kinshasa, gati 1500 kilometra më larg.


“Udhëtimi për çlirimin e Kongos ka nisur tani… A jeni gati të na bashkoheni?” deklaroi zëdhënësi para një turme në stadiumin e Gomës. Rebelët akuzojnë qeverinë se nuk u ka dhënë pozicione në ushtri dhe paga, në përputhje me një marrëveshje paqeje që i dha fund rebelimit të mëparshëm të vitit 2009. Krahas kësaj, rebelimi reflekton konfliktet etnike lokale të ndërthurura me dëshirën e Ruandës për të mbajtur ndikim mbi një rajon të pasur me minerale përtej kufijve të saj. Rebelimi i M23 ka acaruar marrëdhëniet mes Kongos dhe Ruandës. Qeveria kongoleze thotë se fqinji i ka organizuar kryengritjen në përpjekje për të vjedhur burimet e lindjes, ku gjenden mes të tjerash, diamante, flori dhe koltan, një lëndë e përdorur për telefonat celularë.


Kongo ka përmasat sa e gjithë Europa Perëndimore së bashku. Presidenti i Kongos, Kabila, dhe Presidenti i Ruandës, Paul Kagame, pritet të takohen me ndërmjetësimin e Ugandës. Në Nju Jork, Këshilli i Sigurisë së OKB-së dënoi njëzëri pushtimin e Gomas. Qeveria franceze kritikoi tërheqjen e paqeruajtësve të OKB-së, të cilët u dhanë fund luftimeve për qytetin me 1 milion banorë, pasi ushtria e Kongos u tërhoq. Zona ku po zhvillohet konflikti ka njohur disa nga masakrat më të tmerrshme të historisë së njerëzimit. OKB-ja ka 17 mijë trupa paqeruajtëse në terren, por një zyrtar deklaroi se këto qenë të pamjaftueshme për të mbrojtur një qytet kaq të madh sa Gomas.