Dje nisi montimi i kioskave të vogla në rrugën “Murat Toptani”, një vit më parë u hapën për festën e fundvitit
Pedonalja e Tiranës mbushet nga materialet me të cilat do të montohen minikioskat me rastin e festave.
Përveç mishit të qengjit dhe të dashit, të pjekur në hell, për 100-vjetorin e pavarësisë do të shërbehen për qytetarët edhe nënprodukte të mishit. Qofte të llojeve të ndryshme, salsiçe, sallam e kremviçe do të piqen në skarat e rrugës “Murat Toptani” në kryeqytet, e njohur nga të gjithë si pedonalja e Tiranës. Dje pasdite janë bërë gati stendat dhe ka nisur montimi paraprak i tyre, njësoj si një vit më parë për festat e fundvitit.
Birrë, verë por edhe ushqime të tjera do të tregtohen me para, ndryshe nga mishi i 1 mijë deshve dhe 1 mijë qengjave që do të shërbehet i pjekur dhe do të jepet falas me rastin e festës.
Të gjitha produktet ushqimore të pjekura në skarë në natyrë do të tregtohen me çmime më të lira, por në këtë rrugë pedonale do të vijojnë të tregtohen shapka kineze me çmim të konkurrueshëm, zbukurime për 100-vjetorin e pavarësisë, lodra për fëmijë, ornamente për pemën e vitit të ri, si dhe çakmakë, aromatizues ambienti e gjithfarëlloj utilitetesh të tjera të ofruara nga shitës ambulantë.
Në fakt, në të gjithë kryeqytetet europiane, rrugët ku nuk kalojnë makinat, të njohura si pedonale përdoren për t’i ardhur në ndihmë artizanëve e zanatçinjve për të tregtuar produktet e tyre me kosto 0. Numri i turistëve por edhe i qytetarëve që kalojnë në pedonale është i lartë nga mëngjesi në darkë, dhe për këtë pedonalet shihen si një burim fitimprurës për produkte “made by hand”. Kjo i shërben edhe qytetit për t’i dhënë suvenirë e produkte shqiptare turistëve, por edhe zanatçinjve për të marrë fitime për punën e tyre.
Nga vendosja e stendave të qofteve e birrave dhe zënia e cepave nga tregtarët ambulantë , zanatçinjtë zor se do të gjejnë rrëza për të reklamuar produktet e tyre me vlerë, në këtë 100-vjetor të pavarësisë.