Ish-ambasadorët
Ryerson: Korrupsioni, një rrezik për pavarësinë
Ryerson komentoi edhe faktin se pse politikanët shqiptarë duan t’ua lënë në dorë zgjidhjen të huajve.
“Gjithnjë ekziston një prirje e tillë. Kjo ka të bëjë me njëfarë shmangie përgjegjësie nga shqiptarët”, tha Ryerson.
Dy ish-ambasadorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, kanë lëshuar kritika të forta ndaj qeverisë shqiptare. Të intervistuar nga VOA, William Ryerson dhe John Withers uruan 100-vjetorin e pavarësisë dhe bënë thirrje për rritjen e nivelit të demokracisë.
Withers
Ish-ambasadori amerikan, John L. Withers, e vlerëson si shumë të rëndësishëm 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në një intervistë për VOA, Withers është shprehur se mezi pret që të jetë në vendin tonë për të festuar këtë përvjetor. “Është hera e parë që shkoj në Shqipëri që nga largimi në gusht të vitit 2010. Mezi pres të shkoj përsëri. Shqipëria është një vend nga i cili kam kujtimet më të ngrohta. Atje kam shumë miq dhe kam njohur shumë njerëz, kam ndier mirësinë dhe bujarinë e tyre ndaj meje”, ka thënë Withers, i cili i ka rezervuar një falënderim të veçantë qytetit të Vlorës. Nuk kam fjalë për të shprehur mirënjohjen time për atë që po bën për mua qyteti i Vlorës, djepi i pavarësisë shqiptare. Ky është qyteti ku filloi gjithçka, ku u ngrit flamuri më 28 Nëntor 1912. Kjo u bë shkak për një sërë ngjarjesh të mëdha që i dhanë drejtimin, madje identitetin Shqipërisë së sotme. Të jesh atje në një kohë të tillë për të marrë këtë titull është një nder, më i madh se çdo nder tjetër që më është bërë ndonjëherë në jetë. Prandaj e vlerësoj thellë dhe në një farë mënyre jam i mrekulluar nga kjo ngjarje”, ka thënë ish-ambasadori. I pyetur se si do ta karakterizonte gjendjen e demokracisë sot në Shqipëri, zoti Withers ka dhënë këtë përgjigje: “Mendoj se pikëpamjet e mia janë të njohura. Sekretarja Clinton, në mënyrë mjaft të artikuluar shprehu mendimet e saj, por unë e shoh këtë rast të veçantë si momentin për të hedhur sytë te parimet më të larta, te parimet themelore, sesa të përpiqemi të analizojmë se cila është gjendja e demokracisë apo e politikës sot. Këto parime më të larta janë parime për të cilat unë gjithmonë kam qenë krenar dhe i kënaqur që i kam gjetur mes shqiptarëve kur isha atje”, ka theksuar Withers. Ndërsa sfidat kryesore me të cilat përballet Shqipëria sipas tij janë: “Mendoj se sfidat me të cilat përballet vendi në atë rajon janë të mëdha e të shumta. Sfida është këmbëngulja te parimet e udhëheqjes. Mënyra themelore për të arritur ëndrrën e 1912-s nuk është duke i bërë punët nga lart poshtë, por nga poshtë lart. Mësimi i vërtetë i demokracisë është se udhëheqësit drejtojnë me vullnetin e popullit dhe nuk mund të jetë ndryshe. Kam besim të plotë se Shqipëria ndodhet në prag të një lindjeje të re të lirisë”, ka shtuar Withers.
Ryerson
Ndërkaq, ish-ambasadori Ryerson, i pyetur se si i komenton mesazhet që dha sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, gjatë vizitës në Tiranë dhe se a do i kapërcejnë shqiptarët problemin e zgjedhjeve të lira dhe korrupsionit, ai tha: “Varet nga vetë shqiptarët nëse do ta bëjnë këtë. Kjo duhet filluar nga dikush. Kjo nuk duhet bërë pse, tha sekretarja Clinton. Ai dikush duhet të thotë i pari se nuk do e paguaj këtë gjë. Sekretarja Clinton ka të drejtë, korrupsioni është një rrezik për pavarësinë e Shqipërisë”.