PS publikon faktet, Gjonçaj: Kjo ndodhi edhe më 8 maj në Tiranë


BLEDAR HOTI


Partia Socialiste jep alarmin e manipulimit të shifrave nga ana e Ministrisë së Brendshme, të cilat shkaktojnë heqjen e mandatit të Qarkut të Beratit dhe dhënies për Qarkun e Kukësit. Sekretariati për Çështjet Zgjedhore të PS-së ka kryer një punë verifikimi mbi listat e Ministrisë së Brendshme për numërimin e popullsisë dhe ka konstatuar një rritje të menjëhershme të popullsisë për Qarkun e Kukësit, kjo brenda katër muajve. Janë 682 shtetas të shtuar në komunat e këtij qarku, por kryesisht si më problematike janë në Topojan, Fierzë, Shishtavec dhe Tropojë. Këto 4 komuna drejtohen nga përfaqësuesit e PD-së. Të gjitha këto shkelje u bënë prezent në mbledhjen e KQZ-së nga përfaqësuesit ligjorë të PS-së.


Qëndrimi i Gjonçajt


Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj i kërkoi trupës së 7 anëtarëve të marrë në konsideratë shqetësimin e partisë më të madhe të opozitës në lidhje me lëvizjen e madhe demografike të vërejtur katër muajt e fundit në Qarkun e Kukësit. “Sipas formulës matematike të të dhënave të vëna në dispozicion nga Ministria e Brendshme për muajin maj 2013 Qarku i Kukësit duhej të kishte 3 deputetë dhe Qarku i Beratit duhej të kishte 8 deputetë, ndërkohë që sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga kjo ministri në muajin nëntor numri i popullsisë së Qarkut të Kukësit është i tillë që lejon llogaritjen e 4 mandateve për këtë qark. Bazuar në shifrat përkatëse të materialit të vënë në dispozicion nga KQZ, lehtësisht vihet që re se rritja e popullsisë për të 12 qarqet e vendit për periudhën qershor – nëntor 2012 është 0.39%. Ndërkohë që rritja për të njëjtën periudhë për Qarkun e Kukësit është 0.63%, më e madhja në të gjitha qarqet pas Tiranës me 0.75% dhe para Qarkut të Durrësit që vjen i treti me 0.51%”, tha Gjonçaj. Më tej, përfaqësuesi socialist paraqiti konkretisht komunat që kanë pësuar një rritje të lartë. “Për Komunën Topojan, rritja e popullsisë për periudhën në fjalë është me 166 banorë e shprehur ndryshe kjo me 5.99% ose rreth 10 herë mbi rritjen e popullsisë së qarkut dhe rreth 17 herë më shumë se rritja në përqindje e popullsisë në komunat e vendit; Për Komunën Fierzë rritja e popullsisë për periudhën në fjalë është 124 banorë ose e shprehur ndryshe kjo me 4.93% ose rreth 8 herë mbi rritjen e popullsisë së qarkut dhe rreth 14 herë më shumë se rritja në përqindje e popullsisë në komunat e vendit; Për Komunën Shishtavec rritja e popullsisë për periudhën në fjalë është me 88 banorë, e shprehur ndryshe kjo me 1.68% ose rreth 3 herë mbi rritjen e popullsisë se qarkut dhe rreth 5 herë më shumë se rritja në përqindje e popullsisë në komunat e vendit; Për Komunën Tropojë rritja e popullsisë për periudhën në fjalë është me 65 banorë e shprehur ndryshe kjo me 1.2% ose rreth 2 herë mbi rritjen e popullsisë së qarkut dhe rreth 3 herë më shumë se rritja në përqindje e popullsisë në komunat e vendit”, theksoi Gjonçaj. Opozita theksoi se këto veprime u konstatuan dhe në zgjedhjet e kaluara të 8 majit. “Gjithë konstatimet e mësipërme, por dhe shumë të tjera të cilat nuk po i paraqesim të detajuara, nuk janë tallje për banorët e Kukësit, por janë një denoncim për ata marifetxhinjtë e Ministrisë së Brendshme që përpiqen të shtojë numra dhe atje ku realisht nuk janë reale. Ju kujtoj se një eksperiencë e njëjtë ndodhi dhe me zgjedhjet e vendore në Bashkinë e Tiranës ku nga kjo foltore kemi denoncuar me forcë shtimin e numrave në këtë bashki nëpërmjet transferimeve të ndodhura në gjendjet civile të njësive bashkiake të kësaj bashkie. Më mirë se kushdo, këtë e dinë ata nëpunës të qeverisë, të cilët u urdhëruan për të bërë transferimet e gjendjes së tyre civile dhe të familjarëve të tyre pranë njësive të kësaj bashkie”, theksoi Gjonçaj.


 


Kërkesa I – PS kërkoi që KQZ-ja të hetojë mbi lëvizjet e njerëzve në këto katër komuna dhe jepen dokumentacionet shoqëruese përkatëse sipas VKM-së 1243


Kërkesa II – PS kërkoi një raport të hollësishëm mbi të gjitha “pastrimet” në listat e zgjedhësve nga dublimet prej vitit 2009 deri në muajin nëntor 2012


 


Sequi, takim me kupolën e KQZ


Sot në orën 14.30, ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, do të takojë kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterie Lleshi, dhe zëvendëskryetarin e KQZ, Denar Biba. Një njoftim i tillë bëhet e ditur nga zyra e shtypit e delegacionit të BE-së. Zgjedhjet parlamentare, përgatitja e infrastrukturës, përdorimi i teknologjive të reja do të jenë në fokusin e diskutimeve.


 


Mazhoranca


Kosovrasti: Rritja e popullsisë erdhi nga rruga Durrës-Kukës


Përfaqësuesit e mazhorancës në KQZ kanë qenë kundër kërkesës së PS-së që KQZ-ja të realizojë një hetim mbi vërtetimin e dokumenteve të paraqitura nga Ministria e Brendshme. Përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, kontestoi kërkesën e PS-së që KQZ-ja të nisë hetimin si institucion mbi ballafaqimin e këtyre të dhënave. “Ligji i gjendjes civile përcakton se veprimet e Regjistrit të Gjendjes Civile kryhen vetëm nga nëpunësit civilë në bashki dhe komuna. Nuk shoh asnjë arsye që të hidhen hije dyshimi mbi këtë proces. Nuk mund të krahasohet Qarku i Dibrës apo të Gjirokastrës me atë të Kukësit, nëse atje vërehet se rritja është e vogël. Është padyshim rritja më e madhe në Kukës, sepse ka arsye, pozicioni gjeografik, të kushteve të reja të mënyrës së jetesës së kësaj popullate, në raport me qenien në kufi, me autostradën, me lidhjen jo vetëm me këtë pjesë të Shqipërisë, por edhe në Kosovë dhe më gjerë”, tha Kosovrasti. Më tej ai theksoi se nëse i hiqet një mandat i Qarkut të Beratit, PD-ja është forca politike që preket, pasi do të ketë një deputet më pak. Të njëjtën logjikë, Kosovrasti përdori dhe në rastin kur Qarku i Kukësit mbetet me tre deputetë, ku sipas tij PD-ja, do të ishte më e penalizuar. Përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani, në lidhje me kërkesën e PS-së u shpreh se çështja është ligjore dhe jo politike dhe se KQZ-ja nuk e ka kompetencën për të hetuar. Sipas një mënyre, mund të ishte që Parlamenti të hetonte me anë të komisionit hetimor, ose Prokuroria e Përgjithshme të niste hetimin administrativ. Përfaqësuesi i PS-së, Gjonçaj, i kërkoi KQZ-së të hetojë mbi këto lëvizje të popullsisë. “Duhet t’i kërkohen shpjegime të hollësishme ministrisë, veçanërisht për komunat Topojan, Shishtavec, Fierzë dhe Tropojë dhe që kanë të bëjnë me: 1- Si është shtuar numri i popullsisë për muajt qershor – nëntor për komunat e lartpërmendura. 2- Kush janë këta persona, si dhe cili është dokumentacioni shoqërues që ata kanë paraqitur pranë njësive përkatëse vendore sipas përcaktimeve të VKM-së nr. 1243 datë 11.12.2009, e konkretisht:-  kërkesën me shkrim të tyre; dokumentacionin e pronësisë së banesës ose kontratat e qiramarrjes, fotokopje të letërnjoftimit të çdo personi madhor, dhe 3- Nga cilat njësi të pushtetit vendor janë transferuar këta shtetas”, tha Gjonçaj.