Gjykata e Krimeve të Rënda i ka dhënë fund procesit për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Pas një kalvari të gjatë gjyqësor, të nisur që prej majit të vitit 2008, trupi gjykues ka vendosur të shpallë fajtor për ngjarjen vetëm ish-shefin e SHIK-ut, Ilir Kumbaro. Gjykata ka vendosur që ndaj këtij të fundit të ndryshohet cilësimi e akuzës nga keqtrajtim, në torturë dhe vendosi dënimin me 15 vjet burg, pra 2 vjet në shumë nga sa kishte kërkuar organi i akuzës.
Ndërsa për Arben Shefgjini dhe Avni Kodashi, për të cilët prokuroria u tërhoq nga akuza, gjykata i shpalli fajtor për veprime arbitrare dhe cenim të lirisë, por meqë këto vepra penale janë amnistuar, gjykata vlerësoi që të pushohet çështja në ngarkim të tyre.
Aktualisht, ish-shefit të SHIK-ut, Ilir Kumbaro nuk i dihet vendndodhja, pasi ai iu arratis drejtësisë britanike në dhjetor 2011. Kumbaro u arratis në një kohë që në Shqipëri, Gjykata e Lartë kishte dhënë një vendim unifikues, që i hapte dritën jeshile ekstradimit të Kumbaros në Shqipëri.
Reagimi i familjarëve
Djali i biznesmenit Remzi Hoxha është shprehur tepër i zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës së shkallës së parë për Krimet e Rënda. Ardian Hoxha ka deklaruar se procesi gjyqësor ka qenë një fars dhe se drejtësia ia vrau të atin për herë të dytë.
“Procesi rezultoi lojë fjalësh. Nuk u mbrojt drejtësia, por kriminelët. Megjithatë unë u them që asnjë të mos mendojë se do ti shpëtojë drejtësisë, në të gjitha format”, ka thënë i riu Hoxha. Familjarët e biznesmenit Hoxha disa herë kanë apeluar, madje kanë ofruar edhe dëmshpërblim në të holla, për të mësuar se ku ndodhen eshtrat e të afërmit të tyre. Ata kanë kërcënuar me vetëgjyqësi, nëse drejtësia nuk arrin të zbardhë dhe dënojë autorët e vrasjes dhe zhdukjes së biznesmenit Hoxha.
Historia e rrëmbimit
Paraditen e datës 21 tetor 1995, katër persona të prezantuar si punonjës të SHIK-ut kanë marrë me makinë biznesmenin shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, teksa ky i fundit ndodhej në firmën e tij të duraluminit “Albatros”. Sipas dëshmitarëve, Remziu u fut në një makinë me ngjyrë të bardhë dhe pas askush nuk di se çfarë ka ndodhur me të. Por ato ditë u rrëmbyen edhe gazetari kosovar Avdyl Loshaj dhe biznesmeni sarandjot Ziso Kristopulli. Të mbijetuar nga torturat gjatë hetimeve të vitit 1997, ata rrëfyen se SHIK-u i kishte rrëmbyer dhe keqtrajtuar duke i akuzuar si agjentë të huaj. Për Remzi Hoxhën dëshmuan se ishte torturuar, por nuk dinin se ku kishte përfunduar.
22 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)