Sulmuesi i Tiranës shpreson ta ketë lënë pas periudhën e vështirë
Altin Manallari
Zhbllokohet më në fund Arbër Abilaliaj. Sulmuesi 26-vjeçar i bardhebluve e ka bërë një gjë të tillë të mërkurën në ndeshjen ndaj Otrantos nga Ulqini i Malit të Zi, në ndeshjen që vlente për të siguruar një vend në gjysmëfinalet e Kupës Pavarësia që do të zhvillohen më 27 nëntor, në Vlorë. Gjiganti 1.85 m i gjatë ka zgjedhur mënyrën më të mirë për të thyer tabunë e golit, që prej fillimit të këtij sezoni. Sulmuesi vlonjat realizoi një tripletë, e cila rezultoi vendimtare në fitoren e thellë 4-0 të 24 herë kampionëve të vendit ndaj shqiptarëve të Malit të Zi. Tirana kaloi në avantazh falë Abilaliaj, që gjen rrugën e rrjetës në minutën e 12. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat. Në të dytën, loja kishte më shumë ritëm dhe në minutën e 51, vlonjati bardheblu dyfishon rezultatin në 2-0. Vetëm 6 minuta më vonë, nga presioni i kundërshtarit, ulqinakët ndërhyjnë keqas në zonë dhe kryesori Jubica akordoi një penallti. Ishte përsëri Abilaliaj që shënon golin e tretë të sfidës, por edhe të tretin personal. Me këtë tripletë, Abilaliaj shpreson të kenë lënë pas shpinës periudhën pa gol, e cila zgjati që nga fillimi i sezonit dhe deri të mërkurën. “Më në fund jam i kënaqur që kam mundur të zhbllokohem më në fund, u shpreh protagonisti kryesor i fitores. Shënimi i tre golave në Kupën e Pavarësisë shpresoj të shërbejë si një kthesë për mua. Gjatë kësaj periudhe nuk kam pasur shumë fat. Me këtë rast besoj se kam lënë pas ditët e këqija apo episodet e errëta të kësaj periudhe”. Ish-sulmuesi i Flamurtarit, Partizanit, Besës, në sezonin e kaluar provoi një aventurë në kampionatin kroat në radhët e Inter Zapresiç, por gjatë kësaj verë nuk mundi të rinovonte kontratën dhe vendosi të rikthehet te Tirana. Për momentin nuk po mundet të gjejë shumë hapësira në formacion, por ai është i bindur se do të japë maksimumin për të ndihmuar skuadrën që të rivalizojë për titullin Kampion. “Duhet të shohim përpara, duke menduar për takimin e radhës, ndaj Bylisit, nënvizon ai. Është një ndeshje e vështirë, por shpresoj se do të bëjmë më të mirën për të fituar. Po ashtu ndeshjen e fundit për këtë vit (2012) do ta luajmë në shtëpi ndaj Laçit dhe shpresojmë që me një tjetër fitore të pozicionohemi mes tri vendeve të para në klasifikim”. Për sa i përket rivalitetit në skuadër, Abilaliaj tregohet modest, pasi pohon se “pak rëndësi ka se kush mund të shënojë unë apo Çota, por të rëndësishme janë pikët për Tiranën”. Ndërkohë po ashtu është i bindur se me fitoren e tretë radhazi skuadra e drejtuar nga trajneri Alban Tafaj i ka thënë lamtumirë krizës. “Besoj se edhe klubi ynë ka lënë pas atë situatë të keqe së bashku me hallet që ka pasur dhe do të ecim përpara së bashku”, përfundoi Abilaliaj.
Kthesa – Rrëfehet Arbër Abilaliaj: “Gjatë kësaj periudhe nuk kam pasur shumë fat. Shënimi i tre golave në Kupën e Pavarësisë shpresoj të shërbejë si një kthesë për mua”
Kriza – Sulmuesi bardheblu beson te skuadra: “Mendoj se edhe klubi ynë ka lënë pas atë situatë të keqe së bashku me hallet, që ka pasur dhe do të ecim përpara së bashku”
Aktivizimi – Është rikthyer te Tirana gjatë merkatos së verës, por deri tani ka gjetur shumë pak hapësirë në formacion, ku numëron vetëm 4 ndeshje të luajtura në fushë
SKEDA
Emri: Arbër Abilaliaj
Datëlindja: 6 korrik 1986 (26 vjeç)
Vendlindja: Vlorë
Gjatësia: 1.85 m
Pozicioni: Sulmues
Klubi aktual: Tirana
Numri: 9
Karriera
2002–2004 Flamurtari 21 (2)
2004–2008 Partizani 84 (24)
2008–2009 Besa 21 (4)
2009–2010 Tirana 19 (5)
2010–2012 Inter Zapresiç 38 (10)
2012– Tirana 3 (0)
Kombëtare
2001–2002 Albania U-17 8 (4)
2003–2004 Albania U-19 6 (2)
2005–2008 Albania U-21 3 (2)