Pushtimi i qytetit Goma në lindje të Kongos nga rebelët, zbuloi një aferë që përfshin edhe Shqipërinë. Rebelët e ushtrisë M23 kapën armatimet e lëna pas nga ushtria kongoleze. Në pamjet e regjistruara nga gazetarët e agjencisë “Reuters” zbulohet se ushtria kongoleze përdorte armatim shqiptar. Bëhet fjalë për predha mortajash të rënda 120 milimetra që kanë dalë nga rezervat e ushtrisë shqiptare dhe kanë përfunduar në duart e ushtrisë kongoleze.
Në video shfaqet një ushtar i forcave rebele tregon arkat me predha mortajash mbi të cilat ka mbishkrime në gjuhën shqipe. Ato janë predha murtajash të rënda që janë prodhuar deri në vitin 1985 në Shqipëri. Pas lajmit të publikuar fillimisht nga “Top Channel”, ka reaguar Ministria e Mbrojtjes, e cila ka pranuar shitjen e predhave qeverisë së Kongos, por sipas këtij dikasteri shitja është bërë në mënyrë legale. Sipas Sekretarit të Ministrisë së Mbrojtjes, Ervin Kulluri, shitja është bërë në përputhje me ligjin dhe me dijeni e OKB-së.
“Në përgjigje të akuzave për të ashtuquajturin skandal të përdorimit të predhave shqiptare në luftimet e Kongos, Ministria e Mbrojtjes sqaron se, këtu nuk ka asnjë skandal dhe as lajm. Shitja e predhave 120 mm qeverisë së Republikës Demokratike të Kongos është ligjore. Kjo shitje është raportuar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ashtu siç edhe është e publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE). Ndaj për t’i kursyer televizionit në fjalë monitorimin e agjencisë së lajmeve “Reuters”, aktiviteti i tregtimit të mallrave ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes gjendet në këtë raport. Ky është raporti i AKSHE për vitin 2011, publikuar në faqen e internetit me adrese ‘ëëë.akshe.gov.al’ ku pasqyrohet shitja e 10 mijë predhave mortaja 120 mm”,- u shpreh Kulluri.
Tregtia e armëve të ushtrisë shqiptare është bërë shpesh arenë debati edhe në sallën e kuvendit, ku opozita shpesh ka akuzuar qeverinë për trafik armësh dhe se po ushqen konflikte të përgjakshme në vende të ndryshme. Opozita ka akuzuar qeverinë se ke shkelur edhe embargot e armëve me disa shtete, por për rastin e Kongos zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes mohoi të ketë embargo armësh.
23 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)