Vrasjet – I dyshuari për vrasjen e Mark e Gentian Shkretës, dhe plagosjen e Emanuelit, ka pohuar pas arrestimit se kërkonte të hakmerrej për vrasjen e të birit 9-vjeçar
Seria e hakmarrjeve
Fatmir Llani ishte strehuar në Firence, pasi në këtë qytet kishte edhe të afërmit e vet
Hetimet – Drejtësia ka nisur hetimet për zbardhjen e të gjitha ngjarjeve, të cilat janë zhvilluar në një hark kohor prej 6 muajsh
Silvana Muça
Interpoli ka arrestuar në Itali 33-vjeçarin Jetmir Llani, i cili akuzohet se ka vrarë në kohë të ndryshme Mark dhe Gentian Shkretën, babë e bir, ndërsa ka plagosur Emanuelin, pjesëtarin tjetër të familjes, pas një atentati. Sipas mediave italiane, 33-vjeçari është arrestuar mbrëmjen e së hënës, në Firence të Italisë, për llogari të drejtësisë shqiptare, e cila e akuzon për vrasje dhe plagosje për motive hakmarrjeje. Burimet bëjnë me dije se Llani dyshohet që të ketë kaluar kufirin mes dy shteteve, në mënyrë ilegale, menjëherë pas atentatit të ekzekutimit të Gentian Shkretës dhe plagosjes në gjendje të rëndë të vëllait të viktimës, Emanuel Shkreta mbrëmjen e 4 nëntorit të këtij viti.
Arrestimi në Itali
“I arrestuarit Llani mbahet në burg, në pritje të ekstradimit drejt Shqipërisë. Në kohën që ai është arrestuar nga agjentët e policisë së Interpolit, 33-vjeçari u ka treguar atyre fotografinë e djalit të vrarë më 5 qershor, duke u thënë se kërkonte të hakmerrej për vrasjen e të birit. Ndër të tjera, ai është shprehur se djali i tij nuk jeton më. Disa muaj më parë, Jetmir Llani, në një intervistë për televizionet shqiptare, kishte pohuar qëllimin në lidhje me hakmarrjen ndaj vrasësve të të birit. Në bazë të hetimeve nga autoritetet shqiptare, Llani mund të jetë përgjegjësi i dy vrasjeve dhe një tentative vrasjeje, gjithmonë në dëm të familjes kundërshtare, familjes Shkreta. Së shpejti pritet ekstradimi i tij”, citojnë mediat italiane, duke bërë një kronologji të të gjithë historisë së vrasjeve mes familjes Shkreta dhe Llani. Fatmir Llani ishte strehuar në Firence, pasi në këtë qytet kishte edhe të afërmit e tij, të cilët duket se e kanë strehuar menjëherë sapo ai u ka trokitur në derë. Ai është arrestuar afër një metroje, menjëherë pasi autoritetet shqiptare u kanë dorëzuar kolegëve të shtetit fqinj një kopje të dosjes, në emër të 33-vjeçarit. Agjentët e Interpolit nuk e kanë pasur fare të vështirë që ta identifikojnë, lokalizojnë dhe arrestojnë. Në kohën që është ndeshur me agjentët, nuk ka bërë asnjë rezistencë, por thjesht është dorëzuar, duke u bërë të ditur vuajtjen që i kishte shkaktuar humbja e djalit gjatë atentatit.
Vrasjet për hakmarrje
Zinxhiri i vrasjeve mes familjes Llani dhe Shkreta ka nisur në qershor të këtij viti. Ngjarjet filluan në Mamurras dhe organet kompetente nuk kanë arritur të ndalin hakmarrjet mes dy familjeve, që dikur kanë qenë mike me njëra-tjetrën. Më 5 qershor, Altin dhe Alban Shkreta, të cilët u arrestuan nga policia, kanë ekzekutuar të miturin 9-vjeçar, Indrit Llani. Njëkohësisht në këtë atentat është plagosur rëndë edhe xhaxhai i viktimës, Muharrem Llani. Babai i vogëlushit nuk ka dashur që çështjen ta marrë në dorë drejtësia, e për pasojë dyshohet është hakmarrë, duke vrarë në kryeqytet babanë e autorëve të vrasjes së të birit, Mark Shkreta, 71 vjeç. Si autor të kësaj vrasjeje, policia ka identifikuar dhe akuzuar Jetmir Llanin, por nuk ka mundur që ta mbajë të izoluar. Më 19 shtator 2012, është kapur në flagrancë për armëmbajtje pa leje, por u la i lirë. Ndërkaq, më 4 nëntor, vëllezërit Shkreta, të cilët ruheshin nga hakmarrja e familjes Llani, janë bërë pre e një atentati, që si autor dyshohet të jenë Jetmir dhe Muharrem Llani. Nga kjo ngjarje mbeti i vdekur në vend Gentian Shkreta dhe u plagos vëllai i tij, Emanueli. Trupi i viktimës është gjetur disa metra larg vendit të ngjarjes, për arsye ende të paqarta. Organet kompetente kanë nisur hetimet për zbardhjen e të gjitha ngjarjeve, të cilat janë zhvilluar në një hark kohor prej 6 muajsh. Si pasojë kanë mbetur 3 të vdekur dhe dy të plagosur, mes të cilëve njëri ishte vetëm 9 vjeç. Nëse nuk merren masa të forta sigurie nga autoritetet përgjegjëse, atëherë jetët e dy familjeve Shkreta dhe Llani kërcënohen seriozisht nga njëra-tjetra.
Kronologjia
5 qershor – Altin dhe Alban Shkreta, të cilët u arrestuan nga policia, kanë ekzekutuar të miturin 9-vjeçar, Indrit Llani
17 shtator – Jetmir Llani dyshohet se është hakmarrë, duke vrarë në kryeqytet babanë e autorëve të vrasjes së të birit, Mark Shkreta, 71 vjeç
4 nëntor – Vëllezërit Shkreta kanë rënë pre e një atentati, që si autor dyshohet të jenë Jetmir dhe Muharrem Llani. Mbeti i vdekur Gentiani