Hetimet


Viktima nuk ishte objektivi i atentatit – Policia e Shkodrës ka pohuar se atentati në afërsi të konvikteve të Universitetit “Luigj Gurakuqi” kishte si objektiv Lekë Markun dhe jo viktimën Aleksandër Qarri. Në këtë ngjarje u plagosën Lekë Marku, objekti i atentatit dhe studenti August Begaj.


 


Breshëria


Atentati rrezikoi dhjetëra jetë – Ngjarja krijoi panik dhe terror te kalimtarët e shumtë, pasi zona ku ndodhi krimi është zona më shumë lëvizje e qytetit të Shkodrës. Një nga dëshmitarët ka pohuar se preknin trupin se mos kishin marrë plumba, ndërsa autori u ka kërkuar falje.


 


Shkodër


Historia e hakmarrjeve mes familjeve Vuka dhe Marku daton para 18 viteve


Policia e ShkodresUnë e kreva vrasjen, pasi shteti asnjëherë nuk i prangosi autorët që më vranë njerëzit e familjes. Kam dashur të qëlloj në drejtim të shtetasit Lekë Marku. Do e vrisja, pasi nga fisi im janë vrarë katër persona. Për tre të vrarë askush nuk është dënuar. Kështu ka deklaruar para oficerëve të policisë gjyqësore Alfred Vuka, 16-vjeçari i arrestuar për vrasjen e Aleksandër Qarrit, për të cilin thotë se e ka qëlluar pa dashje, pasi i ka dalë situata nga duart. Thotë se i vjen keq për viktimën dhe për të plagosurit e tjerë, pasi sulmi ishte nisur për Lekë Markun.


 


Arrestimi


Policia e Shkodrës ka vënë nën pranga autorin e ngjarjes së rëndë së ndodhur disa ditë më parë, ku në qendër të qytetit, një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Autori i ngjarjes, sipas policisë, është shtetasi i mitur Alfred Vuka, 16 vjeç, nxënës i vitit të parë në Shkollën Pyjore të Shkodrës. Autori ka deklaruar në polici se e ka kryer ai vrasjen, pasi shteti asnjëherë nuk i prangosi autorët që i vranë njerëzit më të afërt të familjes.


Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shënjestër për t’u vrarë nuk ka qenë viktima Aleksandër Qarri, 24 vjeç, por objektivi për t’u qëlluar ka qenë shtetasi Lekë Marku, 37 vjeç, i cili ka mbetur i plagosur. Motivi ka qenë gjakmarrja, pasi mes dy familjeve Vuka dhe Marku, që nga viti 1994, janë shënuar pesë të vrarë dhe dy të plagosur. Zv/drejtori i Policisë së Shkodrës, për rendin dhe sigurinë publike, Asllan Shyti, në një komunikim me mediat, është shprehur se, nga ana e policisë, është arritur të bëhet një punë profesionale, ku janë arritur të sigurohen prova të mjaftueshme që kanë arritur të zbardhin plotësisht ngjarjen dhe arrestimin e autorit.


 


Dëshmia


viktima Aleksander Qarri ne Shkoder


Burime nga Policia e Shkodrës pohuan se 16-vjeçari e ka pranuar krimin në polici dhe është shprehur se ka qëlluar duke bërë vetëgjyqësi, pasi shteti asnjëherë nuk vuri në pranga autorët që vranë tre pjesëtarë të familjes, ku njëra nga viktimat është femër. “Unë jam personi që qëllova. Jam afruar te dyqani që ai ka dhe në momentin që po hapte ruletën e kam qëlluar, pastaj gjithçka ka dalë jashtë kontrollit nuk e di se çfarë kam bërë. Më vjen keq për viktimën, pasi atë nuk kam dashur ta qëlloj, po ashtu edhe personin tjetër që është plagosur. Kam dashur të qëlloj në drejtim të shtetasit Lekë Marku. Qëllova, pasi nga fisi im janë vrarë katër persona, dhe për tre të vrarë nuk është dënuar askush, ndaj u hakmora”, ka pohuar 16-vjeçari.


 


Hetimet


Zbardhja e kësaj ngjarjeje për Policinë e Shkodrës ka pasur një specifikë të veçantë. Burime nga grupi hetimor tregojnë për gazetën “Shqip” etapat e hetimit, ku në fillim të gjitha hetimet u përqendruan te viktima, por kur morën në pyetje të plagosurin Lekë Marku, i cili deklaroi se familja e tij kishte pasur probleme gjakmarrjeje, devijuan hetimet dhe gjithçka u përqendrua në këtë pistë. Nga arkivat e hapura në polici rezultoi se familja e tij me familjen Vuka kishin një histori të thellë e të gjatë gjakmarrjeje. Më pas është bërë kontroll në banesat e familjeve Vuka në Shkodër e Bardhaj, ku është arrestuar një shtetas, Sandër Vuka, për armëmbajtje pa leje dhe 16-vjeçari Alfred Vuka, i cili nga hetimet e mëvonshme ka rezultuar autor i ngjarjes. Policia, në banesën e 16-vjeçarit, ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe armën e zjarrit automatik. Burime nga policia pohojnë se në armën e zjarrit nuk janë gjetur gjurmë, pasi dyshohet se gjurmët janë prishur pas ngjarjes.


 


Filmimet


Gjithashtu një material mjaft me vlerë për policinë kanë qenë pamjet filmike të marra nga kamerat e sigurisë të një objekti privat, ku paraqesin autorin me një kapele në kokë me biçikletë, duke u afruar pranë objektivit dhe më pas duke hapur zjarr. Pamjet filmike janë sekuestruar nga policia. Ardi Hoti


 


Policia


Gjakmarrja 18-vjeçare, para se të lindte Alfredi


Historia e gjakmarrjes mes dy familjeve Vuka dhe Marku, që të dyja nga zona e thellë e Shllakut, ka fillesën 18 vite më parë, kur autori i ngjarjes, 16-vjeçari Alfred Vuka, ishte ende i palindur. Sherri mes dy fiseve ka shkaktuar 4 të vrarë e një të plagosur në fisin Vuka dhe një të vrarë e një të plagosur në fisin Marku. Në vitin 1994, dajat e shtetasit të plagosur tri ditë më parë, Lekë Marku, të quajtur Gjergj dhe Kolë Luli, kanë vrarë me armë zjarri, pas një debati të çastit, shtetasin Simon Vuka, ku për këtë ngjarje autorët Gjergj dhe Kolë Luli janë dënuar, njëri me 25 vite burg, ndërsa tjetri me 22 vite burg. Më pas, në shenjë gjakmarrjeje, familja Vuka në vitin 1997 qëllon për vdekje Tom Markun, që është nipi i dy të arrestuarve për vrasje, Gjergj e Kolë Luli. Një vit më pas, më 1998-n, e ka radhën për të marrë gjakun familja Marku, e cila në një atentat ndaj Sandër Vukës mbeti e vrarë shtetasja Pashka Vuka, që është nusja e xhaxhait e Sandër Vukës, ku ky i fundit mbeti i plagosur. Sërish në vitin 1999 vritet Albert Vuka, por vrasjet ndaj familjes Vuka vazhdojnë në vitin 2000, ku vritet në fshatin Mes, Pjetër Vuka. Një histori prej dy dekadash hakmarrje dhe gjakmarrje me pesë të vrarë dhe dy të plagosur, mes dy familjeve Vuka dhe Marku, janë shembulli i fenomenit të gjakmarrjes dhe pasojave të saja në zonat e thella të Shkodrës. A.H.