Qeveria ndryshon nenin që përcakton kufi 60% të PBB-së. Bëhet 62.6. Malaj: Elektorale


ARD KOLA


Në mënyrë aspak transparente dhe pa u konsultuar me opozitën, mazhoranca, nën drejtimin e Kryeministrit, ka vendosur të heqë limitin që ruan borxhin publik të vendit. Projektligji është hartuar nga ministri i Financave dhe do të diskutohet sot në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, ku natyrisht do të ketë debate të forta. Aktualisht niveli i borxhit publik është 59.8 për qind (të dhënat deri në shtator 2012), pra shumë afër nivelit ligjor të lejuar, prej 60 për qind, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).


Sipas nenit 58 “Kufijtë e borxhit publik”, paragrafi i fundit thotë se, “borxhi total publik, përfshirë garancitë, nuk duhet të tejkalojë limitin 60 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto”. Ky nen ndryshon, por shqetësues shihet fakti se ministri i Financave nuk ka vendosur se cili do të jetë kufiri i ri.


Në relacionin shpjegues të projektit, Financat e argumentojnë rishikimin me faktin se pesha e investimeve publike për 2013-n zë rreth 5 për qind të PBB-së dhe se deficiti buxhetor do të jetë 3.4 për qind, duke sjellë një rritje të borxhit publik në 62.6 për qind, gjithnjë për vitin tjetër.


Kufiri i borxhit u vendos me ligj në vitin 2008, periudhë kur nisi “epoka” e krizës financiare botërore, dhe me rekomandimet e forta të FMN-së dhe të Bankës Botërore. Në atë vit, qeveria “Berisha” I, u angazhua ta ruante borxhin, por në vitin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, borxhi u rrit, nga 54 për qind, në 58 për qind, dhe më tej mbeti i lartë, duke arritur këtë vit shumën 60 për qind të PBB-së. Kapërcimi i borxhit në 2009-n, për shkak edhe të ndërtimit të rrugës së kombit (Durrës-Kukës) për më shumë se 1 miliard euro, krijoi situata të acaruara me FMN-në, e cila në fillim të 2010-s, me kërkesë të qeverisë shqiptare, ndërpreu marrëdhënien për monitorimin dhe certifikimin e financave shqiptare.


Tashmë pasi e ka rritur objektivin për borxhin publik në 62.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në projektbuxhetin 2013, qeveria po nxiton që të heqë tavanin ligjor prej 60 për qind të PBB-së. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që u zhvillua dje, Ministria e Financave paraqiti projektligjin për “Menaxhimin e sistemit buxhetor” (ligji për buxhetin dhe borxhin), si dhe projektbuxhetin e vitit 2013.


Duke analizuar shifrat, borxhi publik i shqiptarëve do të rritet me 500 milionë euro, aq sa do të jenë edhe investimet publike për 2013-n, kurse në total do të arrijë në 6 miliardë euro.


Kjo do të thotë se 70 për qind e gjithë rritjes në vlerë të buxhetit nuk do të shkojë për të mbështetur më shumë sektorët prioritarë si arsimi, shëndetësia apo dhe qytetarët në nevojë, por gërryhet nga fatura e borxhit. Në vitin 2013, interesat dhe shlyerja e kredive do të marrin 15.7 për qind të të gjithë shpenzimeve të buxhetit. Kjo shifër është ndër më të lartat në Europë, e krahasueshme vetëm me vendet që janë në krizë të thellë financiare si Greqia. Sipas Bankës Botërore, nëse Shqipëria do i çonte shpenzimet totale për borxhin në nivel të krahasueshëm me ekonomitë e tjera të rajonit, fondet e kursyera do i mundësonin përgjysmimin e numrit të të varfërve.


Sakaq, vijnë reagimet e para nga opozita. N/kryetarja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Mimi Kodheli, e konsideroi të rrezikshme rritjen e borxhit dhe lëvizje e paligjshme, e cila vjen pa u konsultuar më parë me opozitën, sikur borxhi dhe buxheti të jetë i kësaj qeverie dhe jo i shqiptarëve. “Qeveria ka për detyrë të komunikojë me qytetarët se çdo do të ndodhë në vitin 2013 me pasuritë e tyre. Sigurisht do të ketë presione populiste dhe do të shohim se si kjo qeveri e ka përdorur buxhetin për qëllime elektorale”, thotë nga ana tjetër, deputeti i PS-së, Arben Malaj.