Me kosto 25-30 milionë dollarë, Tel Avivi deklaron suksesin e luftës së vet
Gjatë tetë ditëve të konfliktit të fundit në Gaza, u duk se palestinezët nuk ishin në gjendje të shkaktonin pothuajse asnjë dëm ndaj Izraelit, ndërsa Izraeli e pati të lehtë të rrafshonte gjithçka që e shihte të arsyeshme ta rrafshonte, duke shkaktuar 162 të vrarë. Palestinezët dhe raketat e tyre amatore shkaktuan pesë të vrarë. Suksesi i Izraelit sipas zyrtarëve të këtij vendi, qëndron në sistemin antiraketor i njohur si ‘Iron dome’. Sipas ministrit të Mbrojtjes Civile të Izraelit, Avi Dichter, sistemi i kushtoi këtij vendi 25-30 milionë dollarë dhe kjo gjë është shumë efikase nga pikëpamja ekonomike.
“Nëse ky sistem do të tregtohej në bursë, çmimi i aksioneve të tij do të ishte dyfishuar sakaq”, tha ministri.
Duke përdorur raketa të drejtuara nga radarët, pesë bateritë e ngarkuara në kamionë rrëzuan 421 nga rreth 1500 raketat e lëshuara nga Rripi i Gazës gjatë javës së luftës. Norma e suksesit të sistemit vlerësohet në masën 90 për qind. Për të ulur kostot, sistemi shenjëstroi vetëm raketat që kishin drejtim nga zonat e banuara, megjithëse shpesh u detyrua të lëshojë dy raketa njëherësh. Raketat e Palestinës vranë pesë izraelitë dhe plagosën disa të tjerë gjatë konfliktit, njoftoi policia. Tre prej të vrarëve, sipas prodhuesit të sistemit antiraketor, u shkaktuan për shkak të një defekti në sistem gjë që bëri që raketa e palestinezëve të godiste në objektiv. Por edhe shumë raketa të tjera të Hamasit arritën të kapërcejnë sistemin izraelit, duke u bërë shqetësim veçanërisht disa, që u nisën drejt kryeqendrës ekonomike të vendit Tel Aviv. Ky fakt bëri pothuajse të sigurt sulmin tokësor të Izraelit mbi Rripin e Gazës.
Por një zyrtar i lartë deklaroi se lufta tokësore mund t’i kushtonte Izraelit deri në 380 milionë dollarë në ditë, një shumë e konsiderueshme për një shtet të vogël si Izraeli. Të etur për të shmangur këtë rrezik, Shtetet e Bashkuara ndihmuan për të bërë sistemin izraelit funksional. Presidenti Barack Obama premtoi mbështetje të mëtejshme.
Izraeli thotë se ka nevojë për 13 bateri për një mbulim të kënaqshëm kombëtar. Një burim nga industria e mbrojtjes tha për “Reuters” se Izraeli mund të blejë çdo bateri për 50 milionë dollarë.
Objektivi i sulmit izraelit në Gaza ishte eliminimi i magazinave dhe impianteve të lëshimit të raketave të importuara apo të sajuara nga Hamasi e fraksione të tjera. Më e fuqishmja nga këto raketa është e dizenjuar nga Irani dhe njihet si Fajr 5. Ajo ka një rreze veprimi prej 75 kilometrash dhe mban kokë shpërthyese me peshë 175 kilogramë. Hamasi deklaroi se po përdor një variant të saj të prodhuar në Gaza me emrin Qassam M-75.
Irani thotë se nuk i ka furnizuar armatime Palestinës, por gazetarët e këtij vendi citojnë komandantin e rojës republikane duke thënë se ata i kanë dhënë teknologjinë banorëve të Gazës, të cilët e kanë zbatuar për të prodhuar raketa.