AGO NEZHA
Në memorien e popullit shqiptar përjetohet me emocion, krenari e mirënjohje për ato personalitete që sakrifikuan jetën e tyre për t’i sjellë vendit pavarësinë e ëndërruar në shekuj. Është vepra më e vyer në jetën e një kombi, pavarësia dhe liria e tij. Lavdia e saj, jo vetëm që nuk mund të errësohet e injorohet nga kushdo qofshin shërbëtorët e shovinizmit fqinjësor, përderisa ajo nuk shuhet nga kujtesa popullore. Edhe pse bien përditë kambanat e qeverisë dhe Kryeministrit Berisha, nëpërmjet megafonave të tij “TV Klan”, TVSH e bijëzave të tyre, për të rritur madhështinë e Mbretit Zog, ata gabojnë se nuk mund ta ngjisin dot në panteonin e personaliteteve të pavarësisë.
Jeta dhe vepra e Ismail Qemalit është një bohemë që duhet ta dijë përmendësh çdo shqiptar. Padija, keqdija, injoranca të çon në keqdashje, në keqpërdorim të fakteve historike. Plaku i mençur Ismail Qemali braktisi ofiqet e larta që i kish dhënë Perandoria Turke, sakrifikoi familjen dhe fëmijët për interesat e larta kombëtare, për formimin e shtetit të pavarur shqiptar. Për veprën e tij unike Pavarësinë e vendit, Ismail Qemali duhet pa tjetër të kish një bust në kryeqytet dhe pse jo edhe në shumë qytete të vendit, sepse ai nuk shpalli pavarësinë e Vlorës, por të Shqipërisë. Është kjo një harresë, një pamundësi apo një keqdashje diabolike e klasës sonë politike në historinë 100-vjeçare që po kremtojmë në këtë vit jubilar, dhuratë e Ismail Qemalit. Ditirambet dhe angazhimi i qeverisë për figurën e Mbretit Zog, për t’i sjellë eshtrat në Atdhe, në përvjetorin e Pavarësisë, i konvenojnë atyre që e sollën Zogun në pushtet dhe neozogistëve të sotëm që janë shërbëtorë besnikë të tyre. Zogu, si çdo figurë tjetër politike, nuk mund të shihet bardhezi. Ai ka meritat dhe dobësitë e veta. Por në gjykimin e personaliteteve politike duhet parë nga anon peshorja, nga pozitivja apo negativja.
Zogu, gjatë qeverisjes së tij prej 15 vjetësh, organizoi shtetin, bëri legjislacionin dhe vendosi rendin. Por mbajti një qëndrim krejt feudal duke zhdukur patriotët e mëdhenj të vendit, pikërisht ata që sollën Pavarësinë dhe lirinë, si Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Avni Rustemin etj. Dhe akti më i përgjegjshëm dhe i turpshëm për një kryetar shteti është tradhtia e tij në 1939-n, kur iku pa shkrepur një pushkë, si një hajdut ngarkuar me ar. Diktatorët vrasin mendjen e kombit. Këtë sindromë e kishte edhe Enveri, i cili vrau shokët e tij të luftës, anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë, ministra e gjeneralë, duke shfrytëzuar edhe vetitë e sistemit monist. Por edhe në demokracinë tonë autokratike, Saliu ndryshe nga dy të parët, i kryen vrasjet pa zë, në fshehtësi e legalitet.
Në bilancet qeverisëse ka tregues sintetikë që tregojnë supremacinë e individit drejtues. Në rast se këto 100 vjet do t’i copëzojmë në tre simbole: Koha e Zogut, koha e Hoxhës dhe koha e Berishës, dhe të krahasojmë veprimtarinë e tyre, do shohim prioritetet e njërit dhe të tjetrit. Ky trekëndësh piramidal, ku në krye të piramidës qëndron lideri i radhës që ka drejtuar vendin, në bazën e tij janë veprat që ka realizuar secili gjatë qeverisjes. Në sinoptikën e zhvillimit ekonomik, të shohim uzina, fabrika, hidrocentrale, plantacione me dru frutore, vepra social-kulturore, zhvillimi i arsimit, shkencës, shëndetësisë, etj., t’i krahasojmë në të tria kohët. Rezultatet për çdo epokë lexohen lehtë brenda sistemeve ekonomiko-shoqërore. Le t’i japim “Çezarit” atë që i takon.
Qeveria organizoi një ceremoni madhështore me rastin e ardhjes së eshtrave të Zogut, që normalisht është në nderin e të zotit të shtëpisë. Por ishte kjo qeveri, që tregoi një profil tjetër në rastin e prurjes së eshtrave të Dom Nikoll Kaçorrit që ishte zv.kryetari i Qeverisë së shpalljes së Pavarësisë, shtetit të parë shqiptar. Si ta kuptojmë këtë qëndrim të shtetit tonë “demokratik”, si një “harresë” apo mision në shërbim të tutorëve tanë fqinjësorë. Shqipëria megjithëse një vend i vogël, por përsëri ka simbole me famë kombëtare në të gjitha fushat. Është për të ardhur keq që historikisht, këto simbole nuk ka ditur t’i promovojë në opinionin ndërkombëtar, ose për mediokritet, ose për xhelozi, primitivizëm, injorancë apo cinizëm provincial. Mjafton të kujtojmë që Heroin tonë Kombëtar Skënderbeun, do ta kishte zili Europa, pa folur më Ballkani, që lakmojnë ta kishin pjellën e tyre. Ne, edhe pse e kemi, shpeshherë e anatemojmë, e komentojmë dhe pak e afirmojmë në mjediset e kancelarive të huaja. Në pasaportën tonë diplomatike, duhet të udhëtojmë kudo me emrat e Skënderbeut për trimëri, të Ismail Qemalit për mençuri, të Nënë Terezës për bamirësi dhe të Moisiut, Samiut, Nolit e Naimit për art, letërsi e filozofi.
Ajo që më shqetëson në vazhdimësi, është qëndrimi indiferent i institucioneve tona shtetërore. Por edhe institucionet shoqërore e fetare, pak bëjnë për të ngjallur ndjenjën tonë kombëtare. Ndryshe ndodh me fqinjët tanë tokësorë, si grekët, maqedonasit apo serbët, që investojnë shumë forca intelektuale dhe mjete financiare në këtë drejtim.
Pushtetet, kur ndërrojnë portat e majta dhe e djathta, mohojnë, nxijnë, baltosin dhe injorojnë gjithë arritjet e paraardhësve të tyre. Kjo vjen nga filozofia e klasës tonë politike që ka humbur krenarinë kombëtare dhe nuk kursejnë fyerjet, sharjet dhe denigrimin reciprok.
Ne, e kemi për krenari që të vetëshahemi, vetëmohojmë, vetëbaltosemi para të huajve, duke injoruar edhe historinë tonë të lavdishme dhe heronjtë tanë kombëtar. Jemi i vetmi popull, që të keqen që e pjellim vetë, e kërkojmë përgjegjësinë te të tjerët.