Klos/ I dyshuari për vrasjen e Fatjon Barmetës në gjykatë: Vëllai im bashkëpunoi me Fatjon Canin
Nuk jam unë vrasësi i Fatjon Barmetës. Atë e ka vrarë vëllai im Përparimi me Fatjon Canin. Kështu ka deklaruar dje para trupës gjykuese në Gjykatën e Matit, Astrit Boja, i arrestuar para tri ditësh si autor i kësaj vrasjeje, së bashku me Fatjon Canin. Dy të arrestuarit për ngjarjen e rëndë, ku u vra brutalisht 23-vjeçari Fatjon Barmeta, i cili u gropos me fadromë i gjallë në afërsi të Klosit, vetëm rreth 2 kilometra larg, buzë lumit të Matit, Astrit Boja dhe Fatjon Cani, kanë dalë para trupit gjykues, për masën e sigurisë.
I ndaluari për këtë ngjarje, Astrit Boja, ka deklaruar se është i pafajshëm, pasi vrasjen e ka kryer vëllai i tij, Përparim Boja dhe Fatjon Cani. Edhe vetë Fatjon Cani, i dyshuar si i përfshirë në këtë ngjarje të rëndë, ka deklaruar se nuk është i përfshirë vetë në vrasjen e Fatjon Barmetës. Gjykata e Matit, përkundër dëshmive të tyre ka dhënë masën e sigurisë burg pa afat për ta.
Burime nga Prokuroria e Matit bëjnë me dije se nga ana e grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, po vijojnë intensivisht hetimet, ku priten të tjera ndalime për persona të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje si bashkëpunëtorë. Deri më tani, të akuzuar si të dyshuar për kryerjen e vrasjes mbeten vëllezërit Përparim e Astrit Barmetaj dhe i afërmi i tyre Fatjon Cani, i cili u akuzua nga babai i viktimës, Liman Barmeta, si i dashuri i gruas së pronarit të lokalit, Flora Boja, 32 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, e cila është bërë “molla e sherrit” e kësaj ngjarje të rëndë. Duket se thashethemnaja për ngjarjen e ditëve të fundit në qytezën e Klosit, ku për çështje nderi u vra brutalisht 23-vjeçari Fatjon Barmeta, ende vazhdon ta mbajë të mbërthyer qytezën, duke prodhuar e riprodhuar versione nga më të ndryshmet për të.
“Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar dhe fakti se prej disa kohësh, viktima Fatjon Barmeta është kërcënuar dhe kanosur për jetë nga i dyshuari Astrit (Luis) Boja dhe pjesëtarë të tjerë të familjes së tij”, pohojnë burime të Prokurorisë së Burrelit. Hetimet e mëtejshme do çojnë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë, ku grupi i ekspertëve ka zbuluar se kamerieri është groposur i gjallë, duke u mbuluar me zhavorr. Të gjitha thëniet e kundërthëniet e deritanishme të dy familjeve, Barmeta e Boja, pothuajse kanë rënë, përjashtuar atë të babait të viktimës, Liman Barmeta, i cili akuzoi se krimin e ka kryer Përparim Boja, i cili u vu në pranga një ditë më parë nga policia si i dyshuar për vrasjen dhe nesër pritet të jepet masa e sigurisë për të nga gjykata.
Hysen Likdisha