Kanuni 


viktima Aleksander Qarri ne Shkoder


Dy ditë pas arrestimit të 16-vjeçarit Alfred Vukaj, i cili tentoi të vriste për motive gjakmarrje Lekë Markun, kanë dalë në dritë përplasjet e fshehta mes dy familjeve në hasmëri. Burime nga Policia lokale e Shkodrës pohuan për gazetën se i plagosuri Lekë Marku është shprehur se “nuk kam lidhje me vrasjet që kanë ndodhur, por di që meshkujt e fisit tonë kanë pasur besë për të dalë, ndaj dhe unë kam dalë lirisht dhe nuk e kam pritur se do qëllohem, pasi e dinim se ishim me besë që sipas Kanunit, kur jepet besa, nuk preket njeri”. Krejt ndryshe ka deklaruar familja Vuka, ku si 16-vjeçari ashtu dhe xhaxhai i tij Sandër Vuka, ky i fundit i arrestuar për armëmbajtje pa leje, janë shprehur se “besë nuk ka pasur”. Ata kanë shtuar se familja Marku i ka vrarë katër persona ku njëra është femër, ndërsa familja Marku ka humbur vetëm një person.


Këto deklarata të bëra në polici, jo vetëm që kanë nxjerrë përplasjet mes dy familjeve në lidhje me faktin se sa u respektua Kanuni, por i kanë hapur rrugë policisë që të rihetojë vrasjet e pazbardhura pa autor të tre meshkujve dhe një femre të fisit Vuka.


Hasmëria e dy dekadave mes dy familjeve nga zona e thellë e Shllakut u bë e njohur vetëm pas ngjarjes së pak ditëve më parë, kur 16-vjeçari Alfred Vuka qëlloi me breshëri automatiku ndaj Lekë Markut, ku gjatë atentatit u vra një kalimtar i rastësishëm, Aleksandër Qarri dhe u plagos një person tjetër. Alfredi mori përsipër të kryente një vrasje në emër të gjakmarrjes, për një ngjarje të nisur 18 vite më parë, kur ai nuk kishte lindur ende.


A.Hoti


 


Të vrarë nga familja Vuka


1994, Simon Vuka


1998, Pashka Vuka


1999, Albert Vuka


2000, Pjetër Vuka


Të vrarë nga familja Marku


1997, Tom Marku