Takimi/ Parashikohet një samit i ri në janar-shkurt 2013
Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kërkojnë shkurtime të thella në buxhetin gati 1 trilion euro
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u tregua skeptike dhe kishte paralajmëruar se dyshonte se mund të arrihej një marrëveshje
Mbyllet pa marrëveshje Samiti i Brukselit, gjatë të cilit pritej të miratohej buxheti 2014-2020 i Bashkimit Europian. Në përfundim të takimit dyditor, burime diplomatike kanë pohuar se samiti, i ka ngarkuar kreut të Këshillit Europian, Herman Van Rompuy “mandatin” për të prezantuar një projektbuxhet të ri që do diskutohet në takimin e ardhshëm. Kancelarja gjermane Angela Merkel u tregua skeptike dhe kishte paralajmëruar se dyshonte se mund të arrihej një marrëveshje për buxhetin e ardhshëm të Bashkimit Europian. “Mendoj se kemi bërë përparime, por dyshoj se do të jemi në gjendje të arrijmë një marrëveshje. Të gjithëve do t’u duhet të jenë të gatshëm për kompromis. E njohim mirë njëri-tjetrin, e prapë them se ka shumë gjasa që të shkojmë drejt një raundi të dytë bisedimesh”, tha Merkel mbrëmjen e së enjtes. Pavarësisht deklaratave të kancelares gjermane, dje në mëngjes pati një sërë përpjekjesh për të arritur një rrugëzgjidhje. Kryeministri italian Mario Monti zhvilloi një takim të veçantë me kreun e Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, ndërkohë që Presidenti francez Francois Hollande u takua me Kryeministrin britanik David Cameron. Shumica e anëtarëve të BE-së mbështesnin një rritje të buxhetit, por disa vende thonë se kjo është e papranueshme në një kohë të kursimit. Ndërkaq Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kërkojnë shkurtime të thella në buxhetin gati 1 trilion euro, por vendet e tjera si Franca dhe Polonia kërkojnë të ruajnë nivelin aktual të fondeve të BE-së në fusha të tilla si bujqësia apo fondet e zhvillimit për rajonet e varfra.
Presidenti i Këshillit Europian Herman Van Rompuy, mbrëmjen e së enjtes, hodhi një propozim për të rishikuar të buxhetit të ri dhe u shpreh optimist se mund të arrihej kompromisi. “Propozimi që vura në tryezë është një buxhet i moderuar, që i përshtatet kohës. Të bësh më shumë, me më pak para, përfshin edhe zgjedhje politike. Është e dhimbshme edhe atëherë kur shkurtimet shpërndahen në mënyrë të barabartë. Duhet të jemi të ndjeshëm dhe realistë, por nuk duhet të harrojmë se është një buxhet për të gjithë pjesën tjetër të dekadës”, theksoi Van Rompuy. Por në përfundim të diskutimeve të gjata nuk është arritur asnjë marrëveshje.
Mbretëria e Bashkuar ka qenë ndër vendet kryesore që kërkonte shkurtime të buxhetit. “Jo, unë nuk jam i lumtur me të gjitha”, tha Kryeministri David Cameron në lidhje me ofertën e Van Rompuy. Për Kryeministrin e Luksemburgut, njëherësh dhe president i eurogrupit, Jean-Claude Juncker, “buxheti ishte një progres, por jo i mjaftueshëm. Ka shumë gjasa që të zhvillohet një samit tjetër mbi bilancin janar-shkurt 2013”.
Ndërsa Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë se do të duhen negociata të vështira për të arritur marrëveshje për buxhetin prej 1 trilion eurosh të BE-së, për periudhën 2014-2020.