Përplasja


Kryeministri sulmon rivalin: Pengon statusin. Kreu i PS: PE konfirmoi qëndrimin tonë


Dy liderët e politikës shqiptare: Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama, kanë zhvilluar dje një aktivitet intensiv në lidhje me Maqedoninë, njëri në Tiranë dhe tjetri në Tetovë. Kryeministri Berisha ka zhvilluar dje një takim me homologun e tij të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ndërsa kryetari i PS-së, ka qenë në Tetovë për rrugëtimin e flamurit, ku ka bashkuar për të parën herë dy rivalët e politikës shqiptare në Maqedoni: kreun e BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi.


Berisha


Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka zhvilluar dje një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku është pritur me protokoll të plotë nga homologu i tij, Sali Berisha. Mes dy kryeministrave janë firmosur dy marrëveshje të rëndësishme ndërshtetërore: ajo e hapjes së një pike kufitare në Trebisht të krahinës së Gollobordës në Qarkun e Dibrës dhe njohjen e ndërsjellë të patentave të drejtimit të automjeteve. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, gjatë konferencës së përbashkët të shtypit ka sulmuar rivalin e tij politik. Duke iu referuar kundërshtimit të Greqisë për hapjen e negociatave me BE për Maqedoninë, Berisha tha se “Në rastin e parë (kontesti mes Shkupit dhe Athinës për emrin) kemi të bëjmë me një bllokim nga jashtë, në rastin e dytë kemi të bëjmë me një bllokim nga brenda. Në qoftë se ne rastin e parë ka një angazhim ndërkombëtar për të ndihmuar të dy vendet për të gjetur zgjidhje, në Parlamentin Europian, në Komisionin e Jashtëm është votuar për rekomandimin e këtij institucioni kryesor për statusin e kandidatit për Shqipërinë. Do të doja që zoti Rama ta lexonte këtë votim”.


Rama


Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, së bashku me ideatorin e ekspozitës për flamurin kombëtar, Artan Lame, ka zhvilluar një takim të zgjeruar në Pallatin e Kulturës së Tetovës ku kanë marrë pjesë dy rivalët e politikës shqiptare të Maqedonisë, eveniment jo i zakonshëm ky, pasi ata nuk marrin pjesë së bashku dhe në aktivitete të rëndësishme. Vetë Rama, në faqen e tij në “Twitter” ka postuar foto dhe impresione. “Ekspozita e Flamurit Kombëtar në 100 vjet bashkon në Tetovë Menduh Thaçin me Ali Ahmetin. Emocion, nder e kënaqësi e dyfishtë. Vlorë 28 nëntor”. Ndërkaq, më poshtë Rama i është përgjigjur Berishës për rezolutën e PE: “Propagandë për të budallallepsur kë të munden! Parlamenti Europian foli qartë e nënvizoi një më një çfarë thotë PS prej më shumë se një viti”.


 


Zhvillimet


Gruevski – Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, zhvilloi dje një vizitë në Tiranë ku u firmosën dy marrëveshje për hapjen e një pike kufitare e njohjen e patentave


Rama – Kreu i PS-së, Edi Rama, ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës për flamurin në Tetovë ku kanë marrë pjesë kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi dhe i BDI-së, Ali Ahmeti


Integrimi – Berisha akuzoi Ramën se po e mban peng integrimin e Shqipërisë dhe Parlamenti Europian e mbështeti, ndërsa kryetari i PS theksoi se PE rikonfirmoi qëndrimin e PS


 


Pogradec


Meta: Pa 29 nëntorin nuk do të kishin 28 nëntorin


Ilir Meta, kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklaroi gjatë një takimi në Pogradec, se nuk do kishte sot 28 nëntor 1912 nëse nuk do ishte për 29 nëntorin 1944. Madje, madje, Meta shkoi më larg, duke thënë se janë karagjozë ata që thonë se nuk ka pasur luftë antifashiste. “Kujtojmë sot Ismail Qemalin dhe gjithë patriotët shqiptarë, të cilët shpallën pavarësinë e vendit tonë. Kujtojmë sot të gjithë rilindësit tanë, për të cilët Pogradeci, Korça, Kolonja kanë një kontribut të jashtëzakonshëm, të cilët e çuan kombin tonë, duke iu rikthyer figurës më të lavdishme, asaj të Skënderbeut për të mbërritur në 28 nëntor 1912 në Vlorë. Pogradeci ka pasur përfaqësuesit e tij që nga Isuf Çollaku e të tjerë, ashtu sikurse jemi sot për të kujtuar faktin se pa 29 nëntorin e vitit 1944 Shqipëria nuk do ta kishte sot 28 nëntorin e vitit 1912”, tha Meta.