Historia
Katër në pranga, takimet dhe flirtet e Raviolës me Juliandin
Katër të rinj kanë shantazhuar një biznesmen, duke i kërkuar 100 mijë euro, pasi në të kundërt rrezikonte jetën e familjarëve. Ervin Gjana dhe Altin Dardha, të ndihmuar nga juristja Ravjola Lila dhe Rustem Koçi, i kërkonin biznesmenit Juliand D., nga 25 mijë euro kësti. Denoncimi i 36-vjeçarit dhe përgjimet e policisë kanë zbardhur të gjithë gjobëvënien. Mësohet se hetimet kanë nisur disa muaj më parë ndaj Gjanës dhe Dardhës, të cilët dyshoheshin se shpërndanin drogë, pranë gjimnazeve të kryeqytetit. Nga përgjimet rezultoi se të rinjtë piketonin biznesmenët, duke pasur parasysh të ardhurat financiare që mund t’u sillte një i tillë. Në mënyrë të organizuar, i ndiqnin hap pas hapi, duke mos u rënë në sy. Gjenin pikat e dobëta të tyre dhe miqtë më të cilin frekuentoheshin. Më pas dërgonin 24-vjeçaren Ravjola Lila si karrem për të krijuar lidhjen mes bandës dhe të rinjve. Lila, që njëkohësisht ishte e dashura e Ervin Gjanës, shkonte në baret apo lokalet që frekuentonte biznesmeni. Përpiqej që të binte në sy, duke flirtuar me ata, derisa t’i fuste në kurth. Më pas shfaqeshin 3 personat e tjerë, duke u thënë se ai kishte ngacmuar të dashurën e Gjanës. Juristja nga Tepelena, hiqej si viktimë, duke i kërkuar para të “dashurit” të ri, për t’ua dhënë atyre, pasi djemtë ishin të rrezikshëm. E njëjta histori ka ndodhur edhe me 36-vjeçarin Juliand M. ngjarja ka nisur të marrë jetë disa javë më parë.
Shantazhi ndaj biznesmenit
Ervin Gjana dhe Altin Dardha kishin grumbulluar informacion të bollshëm për biznesmenin 36-vjeçar. Të rinjve, u ka ardhur në ndihmë motra e Gjanës. Kjo e fundit dinte gjithçka për aktivitetin tregtar të Juliand M. Më pas Gjana dhe Dardha e ndjekin hap pas hapi, duke mësuar shtëpinë, vendin e biznesit, të ardhurat që siguronte nga aktiviteti tregtar, identitetin e bashkëshortes dhe dy fëmijëve, e të tjera. Pas këtij procesi, ata ndërtojnë planin, për të futur në kurth biznesmenin, që më pas të kishin mundësi për ta shantazhuar. Pjesë e lojës, bëhet sërish juristja nga Tepelena, e cila dyshohet se një gjë të tillë, nuk e bënte për herë të parë. E reja, nis të frekuentojë në mënyrë sistematike vendet e 36-vjeçarit. Sipas denoncimit që ai ka bërë në polici, 24-vjeçarja nis të flirtojë dhe fillimisht biznesmeni, nuk e ka pranuar shoqërinë e juristes. Gjithsesi, kjo nuk e ka penguar Raviola Lilën që të heqë dorë nga plani i ngritur me shumë kujdes. Ajo ka vijuar përpjekjet edhe për dy ditë të tjera, derisa ia arriti qëllimit. Në takimin e tretë godet në shënjestër, duke siguruar shoqërinë e 36-vjeçarit. Djemtë e kanë përgatitur Lilën për lëvizjet e radhës, në mënyrë që ajo të krijonte lidhje intime, gjë që ia ka arritur më së miri. Në një nga takimet e radhës, vajza 24-vjeçare, është ulur fare pranë biznesmenit, madje midis tyre kanë filluar edhe përkëdheljet. Në këtë çast, në vendin ku qëndronin Juliand M dhe Lila, kanë ndërhyrë Gjana dhe Dardha, të cilët kanë kërcënuar dhe ushtruar dhunë verbale mbi vajzën, për veprimet që kryente në publik. Pjesë e ofendimeve është bërë edhe i “dashuri” i saj, ndonëse ishin në një vend publik dhe i shoqëruar me disa persona të tjerë, duke u thënë se nuk kishin punë me 24-vjeçaren, pasi ajo ishte “vajza e tyre”. Dy gjobëvënësit kanë vazhduar lojën dhe njëri prej tyre ka tentuar edhe ta godasë, por personi tjetër e ka mbajtur dhe pas sharjeve janë larguar, duke bërë një lojë teatrale të trefishtë. Loja, nuk ka mbaruar me kaq. Pas largimit të dy të rinjve, juristja ka vijuar teatrin, duke u hequr si viktimë. Me lot ndër sy, ajo i ka qarë “hallin”, biznesmenit, duke i thënë se ata e kërcënonin vazhdimisht dhe se ishin persona shumë të rrezikshëm. “Nëse më do, siç më ke thënë, duhet të më largosh nga këta tipa, pasi ndihem e rrezikuar”, mësohet se i ka thënë vajza biznesmenit, ndërsa është larguar, për t’iu bashkuar grupit. Disa ditë më vonë pas ngjarjes, 36-vjeçari dhe Lila, janë ritakuar, ku kjo e fundit ka vijuar lojën e viktimizimit, e cila është rekomanduar sërish nga Ervin Gjana dhe Altin Dardha.
Gjoba me këste
Në takimin e radhës, i ka komunikuar mesazhin e djemve, duke i thënë se duhet të paguante një shumë të hollash, pasi dy personat kishin mësuar gjithçka për jetën e tij, si; vendbanimin, bashkëshorten, dy fëmijët dhe aktivitetin privat. Ndër të tjera, i tha biznesmenit se ata i kërkojnë një shumë prej 100 mijë eurosh, pasi në të kundërt do të hakmerreshin te fëmijët dhe bashkëshortja. Në këtë çast, në vendin e takimit, kanë mbërritur Ervini dhe Altini, të cilët i kanë thënë Juliandit se duhet të paguante 100 mijë euro për veprimin që kishte bërë. Duke bërë rolin e agresivit, me qëllimin për ta shantazhuar, e kanë urdhëruar që t’u japë të hollat, të cilat janë një shumë e madhe, prej 100 mijë eurosh. Gjana dhe Dardha, kanë kërkuar prej tij, që t’i paguante menjëherë, por biznesmeni u ka thënë se nuk kishte kaq para, pasi aktiviteti nuk i kishte ecur mirë në këtë kohë krize. Autorët e dyshuar për shantazhin janë treguar “tolerantë”, në këtë pikë, duke i dhënë mundësinë, që t’i paguante me këste. “Nëse gjendesh keq, atëherë paratë mund t’i paguash me këste, 25 mijë euro kësti”, kanë rekomanduar gjobëvënësit. Duke u gjendur në këtë situatë të ngushtë, biznesmeni ka pranuar verbalisht, kërkesën e të rinjve, për t’i paguar, duke u lënë një afat kohor, sepse nuk e dispononte me vete një shumë të tillë, prej 25 mijë eurosh. Mes tyre, është vendosur marrëveshja, që paratë të paguheshin me 23 nëntor të këtij viti.
Denoncimi në polici
Menjëherë pasi palët janë ndarë mes tyre, 36-vjeçari i është drejtuar Policisë së Tiranës, për të denoncuar rastin në fjalë. Në rajon, ai ka treguar të gjithë ngjarjen, duke mos lënë pa përmendur asnjë detaj, duke shpjeguar të gjithë mekanizimin e bandës, episod i cili ka nisur menjëherë pas njohjes me juristen. Uniformat blu, pasi kanë verifikuar për rastin, e kanë udhëzuar biznesmenin të bashkëpunojë, duke shkuar në vendtakim, por nga ana tjetër, agjentët e policisë do të ndërhynin menjëherë sapo ai t’u jepte kartëmonedhat. Ky ishte rasti ideal, që të rinjtë të arrestoheshin në flagrancë. Më 23 nëntor, biznesmeni niset të takojë djemtë, ashtu siç u kishte premtuar disa ditë më parë në lokal. Mesditën e së premtes, Ervin Gjana, Altin Dardha, Rustem Koçi dhe Raviola Lila, nisen me makinë në vendin e takimit, i cili do të ishte në bulevardin “Zogu i Parë”, në afërsi të ish-kinemasë “17 Nëntori”. Nga ana tjetër, policia kishte marrë masa me agjentë civilë, që do të monitoronin të gjitha veprimet. Në momentin që Ervin Gjana dhe Altin Dardha marrin një zarf, policia ndërhyn, duke i arrestuar në flagrancë. Gjithashtu në pranga ka përfunduar edhe Raviola Lila, si dhe shtetasi Rustem Koçi, të cilët akuzohen për gjobëvënie. Ndërkaq, polica po heton të gjithë aktivitetin kriminal të të arrestuarve. S.Muça
Vendimet
Precedentët me krimin e Gjanës dhe Koçit
Ervin Gjana dhe Rustem Koçi janë persona të lidhur me krimin. Disa vite më parë, ata janë dënuar për vepra të ndryshme penale. Sipas burimeve zyrtare, Gjana është arrestuar për armëmbajtje pa leje. Mësohet se ai është arrestuar në maj të 2010-s, gjatë një kontrolli rutinë, mbi mjetet e vjedhura. Pas kontrollit, në vendin e quajtur ish-parku, është bërë ndalimi dhe më pas kontrolli i mjetit tip “Benz Mercedes”, me ngjyrë të bardhë me targë Sp 8R, në pronësi të të pandehurit Ervin Gjana. Poshtë sediljes së mjetit, është konstatuar arma tip pistoletë e markës “Zastava”. Arma u sekuestrua me cilësinë e provës materiale dhe u dorëzua për ekzaminim në Institutin e Policisë Shkencore. Çështja shkoi në gjykatë, ku Gjana u dënua vetëm me 2 milionë lekë të vjetra. Ndërsa Koçi është dënuar, pasi ka plagosur me armë zjarri një shtetas, pas një konflikti mes palëve.
Jeta luksoze e grupit
Altin Dardha, i riu nga Bulqiza, dyshohet që të jetë kapoja i bandës. Në rrjetet sociale, ai shfaqet me armë zjarri, tip pistoletë, para, alkool drogë dhe femra. Në shumë prej fotografive të publikuara në “Facebook”, Altin Dardha shfaqet duke konsumuar hashash. Në të njëjtin status, shfaqen edhe personat e tjerë të grupit. Ata nuk kanë asnjë lloj ngurrimi, që të flasin hapur, në rrjet për armët dhe drogën, duke treguar se janë duke bërë një jetë të ekzagjeruar.