Ministria e Punëve të Jashtme Shqiptare ka shprehur keqardhje për incidentet e ndodhura gjatë vizitës së Kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski në Shqipëri.
“Ministria e Punëve të Jashtme distancohet dhe i dënon këto akte, të cilat nuk kontribuojnë në klimën e marrëdhënieve dypalëshe, por as në atmosferën e madhe festive të 100-vjetorit të pavarësisë së vendit. Lidhur me këto ngjarje, Ministria e Punëve të Jashtme, siguron se autoritetet përkatëse janë angazhuar për zbardhjen e tyre dhe vendosjen e autorëve përpara ligjit.
MPJ ashtu si edhe herë të tjera, do të vazhdojë të inkurajojë frymën e dialogut, marrëdhënieve të mira ndër-etnike dhe respektin për simbolet, historinë, gjuhën e kulturën e gjithësecilit vend në kuadër të aspiratave europiane dhe integruese të të gjithë rajonit”, thuhet në reagimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme. Gjatë vizitës së djeshme të kryeministrit maqedonas u qëllua me vezë eskorta e tij dhe u dogjën disa flamuj maqedonas.
24 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)