Marrëveshja – Në vitin 2009, të dyja vendet pranojnë të firmosin marrëveshjen e huasë për realizimin e disa projekteve energjetike, si ajo e ndërtimit të linjës 400 kv me Kosovën dhe Unazën 110 kv të Jugut
Kredia – Banka gjermane KfW pranon t’i japë kredi qeverisë shqiptare me vlerë 75 milionë euro (një pjesë do të paguhet nga pala kosovare), me kushte interesi lehtësuese për realizimin e veprës
“Nuk mund të jem pjesë e kushteve në një tender, garantoj huanë”
ARD KOLA
Më datë 30 gusht, ministri kërkon sqarime nga KfW se pse nuk i jep drejtim realizimit të investimit
Banka i përgjigjet se nuk mund të pranojë ribërjen e tenderit, në rast se ministri nuk firmos kushtet
Përgjigjja e datës 31 korrik, lëshuar nga ministri i Financave drejtuar bankës gjermane për zhvillim, KfW, ka ndezur një tjetër konflikt. I pari ishte anulimi i tenderit, i kërkuar nga qeveria shqiptare, që hapi “betejën”, më pas është letra e ministrit, pas 6 muaj tratativash për të zgjidhur çështjen, ku thotë se nuk pranon të jetë pjesë e kushteve të bankës në një tender, pasi shefi i Financave shqiptare luan tjetër rol.
Ja çfarë i shkruan Bode Bankës KfW, duke sjellë reagimin e kësaj të fundit, deri në paralajmërim për bllokim financimesh, madje e deri në largim.
“Referuar letrës tuaj të datës 10 korrik 2012, të drejtuar Operatorit shqiptar të Transmetimit (OST), shprehem si më poshtë: Ministri i Financave në rolin e huamarrësit nuk mund të jetë palë në procesin e tenderimit. Interesimi i ministrit të Financave përligj detyrimin e tij publik për të siguruar minimizimin e shpenzimeve publike, duke ruajtur rëndësinë dominuese të çmimit më të ulët në tender dhe plotësimin parakualifikues të aftësisë teknike të operatorëve ekonomikë konkurrues. Ministri i Financave nuk mund të bëhet pjesë e një deklarate për të respektuar një proces tenderimi, por vetëm garanton zbatimin me rigorozitet ligjor të marrëveshjes së huasë”.
Natyrisht që kjo përgjigje solli reagimin e KfW, jo me fjalë, por me heshtje, duke refuzuar t’u përgjigjej letrave të njëpasnjëshme të OST dhe KOST-it të Kosovës. Por me një tjetër letër që ministri i Financave, i dërgon më 30 gusht KfW, duke i kërkuar shpjegime se pse po vonon ritenderimi dhe projekti i Unazës së Jugut, përgjigjja e bankës gjermane është e menjëhershme.
“OST dhe KOST janë njoftuar me kohë për kushtet e vendosura nga ne”. Banka i thotë ministrit që palët duhet të pranojnë respektimin e rregullave të KfW për bërjen e tenderëve.
Sa i takon çmimit në tender, banka pranon se diferenca është e lartë, por në raport me eksperiencat e mëparshme që KfW ka pasur në vende të ndryshme dhe për raste të ngjashme, kjo vlerë është brenda normave të lejuara.
I gjithë debati vërtitet rreth diferencës 8 milionë euro, të ofruar nga kroatët më shumë se boshnjakët, kompani kjo e preferuar nga qeveria shqiptare, por që KfW e kundërshton. Banka sqaron se ana teknike ka shumë rëndësi në realizimin e linjave të transmetimit. Duke marrë si shembull rastin e ndërtimit të linjave të transmetimit me Malin e Zi, banka i kujton qeverisë shqiptare se u pranua oferta me çmim më të ulët, por vonesat për realizimin teknik dhe pengesat e shumta sollën rritje të kostove.
Pra, argumentet e palës shqiptare nuk qëndrojnë sa i takojnë vlerësimit teknik dhe atij financiar. Bode thotë në letër se do të pranojë çmimin më të ulët, por banka këmbëngul në realizimin e një objekti sa më të sigurt, nisur nga rastet e mëparshme.
Konflikti nisi rreth një vit më parë, kur pasi OST shpalli fitues kompaninë kroate, më pas e anuloi atë, me pretekstin e çmimit të lartë në tender. Banka reagoi, duke thënë se kështu kishin rënë dakord që në fillim dhe se duhen respektuar procedurat e tenderit.
Qeveria pranon ta anulojë, po ashtu dhe banka, por me disa kushte, që pala shqiptare të argumentojë me fakte se pse po e anulon, dhe së dyti, në rast se ribëhet tenderi, të firmoset paraprakisht se bihet dakord për të mos pasur probleme të ngjashme dhe se qeveria shqiptare pranon të marrë përsipër kostot shtesë. Këto kushte nuk janë pranuar nga ministri i Financave, për rrjedhojë, projekti i linjës me Kosovën, mbetet pezull.