Kolegji Zgjedhor ka tagrin të urdhërojë KQZ-në për ta marrë vendimin doemos. Por një tjetër opsion që po diskutohet nga juristët e PD-së është ai i shpërndarjes së mandateve nga vetë Kolegji


Zgjedhjet 


KQZ nuk ndan dot mandatet. PD i kërkon “ndihmë” Kolegjit


Përfaqësuesit e Partisë Socialiste bënë dje të ditur për “Shqip” se Kolegji nuk kishte tagrin të shpërndante mandate


Fatjona Mejdini


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti dje të gjente kompromisin e duhur për sa i përket ndarjes së të re të mandateve të deputetëve në qarqe. Ishin tre përfaqësuesit e KQZ-së të propozuar nga opozita, të cilët nuk pranuan të miratonin as parimisht aktin për ndarjen e këtyre mandateve, sipas të dhënave që kishin ardhur në KQZ nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, në varësi kjo të Ministrisë së Brendshme. Mosbesimi i përfaqësuesve të opozitës ndaj shifrave të reja të sjella nga ministria, në të cilat ka një rritje të madhe të numrit të qytetarëve në Kukës, bëri që akti i paraqitur për miratim nga ana e kryetares së KQZ-së të mos merrte pesë votat e kërkuara për miratim. Në këto kushte, Partia Demokratike përmes përfaqësuesit të saj, Njazi Kosovrasti, si palë e interesuar për çështjen pritet ta ankimojë atë në Kolegjin Zgjedhor, institucion i cili ka tagrin të urdhërojë KQZ-në për ta marrë vendimin doemos. Por një tjetër opsion që po diskutohet nga juristët e PD-së është ai i shpërndarjes së mandatave nga vetë Kolegji Zgjedhor, i cili është dhe organi i fundmë vendimmarrës për çështjet zgjedhore në vend. Veprim që pritet të hapë sërish një konflikt të ri si precedenti i zgjedhjeve të 8 majit në Tiranë ku mandati i kryetarit të bashkisë u dha nga Kolegji Zgjedhor.


Debatet


Mbledhja e djeshme e KQZ-së u shoqërua me debate të shumta për sa i përket mosmiratimit të tre anëtarëve të këtij institucioni të aktit të shpërndarjes së mandateve. Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, deklaroi dje se përgjigjja që kishte ardhur nga Ministria e Brendshme mbi shifrat e dyshimta të shtimit të popullsisë ishte e cekët dhe nuk siguronte informacionin e nevojshëm për të dhënë votën pro. “Ministria e Brendshme ka deklaruar se të dhënat për qytetarët që unë kam kërkuar janë konsideruar si personale. Por duhet të kuptohet se unë këto të dhëna nuk po i kërkoj si qytetar, por si anëtar i një institucioni që duhet të bëjë vendimmarrje”, deklaroi Biba, duke kërkuar më shumë kohë. Por kryetarja e këtij institucioni, Lefteri Lleshi, theksoi se kohë nuk kishte, pasi për ndarjen e mandatave ky ishte afati i fundit. Nga ana tjetër, ajo deklaroi se pavarësisht dyshimeve që mund të kishte një pjesë e anëtarëve të KQZ-së, ky institucion duhet të vijonte punën dhe mos të krijonte bllokime. Anëtarja e KQZ-së, Vera Shtjefni, deklaroi se kjo ishte hera e parë që anëtarët e KQZ-së nuk jepnin as votën për kalimin në parim të një drafti, duke e quajtur këtë lëvizje si të motivuar politikisht.


Kolegji


Me një KQZ të bllokuar që në nisje të punës për procesin e ardhshëm zgjedhor në lojë hyn dhe Kolegji Zgjedhor, i cili sipas Kodit Zgjedhor është instanca e fundme e vendimmarrjes për zgjedhjet e ardhshme. Përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, deklaroi dje se demokratët do t’i drejtoheshin Kolegjit Zgjedhor për sa i përket çështjes së ndarjes së mandateve nisur nga bllokimi i KQZ-së. Por një debat i ri duket se është në shteg mes dy forcave kryesore politike në KQZ, PD-së dhe PS-së dhe lidhet me të drejtën e Kolegjit Zgjedhor për t’i ndarë apo jo mandatet pas mungesës së kuorumit në KQZ. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste bënë dje të ditur për “Shqip” se Kolegji nuk kishte tagrin të shpërndante mandate dhe duhet ta kthente çështjes mbrapsht në KQZ për zgjidhje, duke e urdhëruar këtë institucion të gjente patjetër një zgjidhje. Tashmë pritet që Kolegji Zgjedhor të thotë fjalën e tij, pavarësisht se për socialistët ky institucion është tepër i kontestuar si pasojë e akuzave që ata u bënë anëtarëve të tij për mosdhënien e drejtësisë gjatë zgjedhjeve lokale të 2011-s për çështjen e Bashkisë së Tiranës. Zgjedhjet e ardhshme pritet të jenë të mbushura me tensione në një kohë kur lidershipi i PD-së dhe PS-së vijojnë të jenë të ndarë për shumë çështje thelbësore.


 


Biba – “Ministria e Brendshme ka deklaruar se të dhënat për qytetarët që unë kam kërkuar janë konsideruar si personale. Por duhet të kuptohet se unë këto të dhëna nuk po i kërkoj si qytetar, por si anëtar i një institucioni që duhet të bëjë vendimmarrje”


Ndërhyrja – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u vizitua dy ditë më parë nga ana e ambasadorit të Komisionit Europian në Shqipëri, Etore Sekui, i cili theksoi se mes palëve duhej bashkëpunim


Parashikimi – Raporti vjetor i OSBE-së në lidhje me zhvillimet e kaluara dhe ato të pritshme në vendin tonë fliste për një situatë të acaruar gjatë të cilës do të mbaheshin zgjedhjet e ardhshme


Konsensusi – Bashkëpunimi mes anëtarëve të KQZ-së shihet i vështirë në një kohë kur klasa politike shqiptare vijon të jetë thellësisht e ndarë si pasojë e konflikteve PD-PS


Data – Sipas kodit të ndryshuar, anëtarët e rinj të Kodit Zgjedhor përzgjidhen me short, i cili hidhet jo më vonë se pesë ditë nga dekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti


Akuza – Anëtarja e KQZ-së, Vera Shtjefni, akuzoi anëtarët e opozitës duke e quajtur këtë lëvizje si të motivuar politikisht