“Euronews” publikon pamjet. Ministria e Mbrojtjes: Ne i shitëm ligjërisht


Këto predha të kalibrit 120 milimetra janë prodhuar në uzinën e Poliçanit dhe përdoren për artileri të lehtë


Armët shqiptare përfundojnë në një konflikt civil në Afrikë dhe ndodhen në duart e një grupi të armatosur rebel që po lufton me qeverinë e Republikës Demokratike të Kongos. Ky fakt dje ka bërë xhiron e botës nëpërmjet pamjeve të televizionit të njohur “Euronews”, i cili ka paraqitur një kronikë mbi luftimet në Republikën e Afrikës Qendrore. Ndërsa në mesin e kronikës ku flitej për grupimin e armatosur rebel po prezantoheshin armatimet dhe municionet e luftëtarëve të quajtur M23, bie në sy një armë me predha mortajash të vendosura në një arkë druri, ku janë të shkruar emërtime në gjuhën shqipe: Predhë-E-TH-120 mm. 31-85-37. Copë 2 bruto 50 kg. Majtas është shënuar një shkurtim ME dhe më poshtë ndodhet shkrimi: djegore. Këto predha të kalibrit 120 milimetra janë prodhuar në uzinën e Poliçanit dhe përdoren për artileri të lehtë. Ata janë në duart e  rebelëve kongolezë, të quajtur M23, që kanë pushtuar një qytet të rëndësishëm, të quajtur Goma dhe synojnë të marshojnë edhe në kryeqytet, pavarësisht thirrjeve të liderëve afrikanë apo të komunitetit ndërkombëtar për t’u dorëzuar. M23 është një grup ish-ushtarësh, të zemëruar me qeverinë, të cilën e akuzojnë se nuk ka mbajtur premtimet, me të cilat erdhi në pushtet. Një muaj pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-se deklaroi se ka ndërmend të vendosë sanksione ndaj liderëve të lëvizjes rebele M23 dhe të gjithë atyre që shkelin embargon e armëve të vendosura Republikës Demokratike të Kongos, kryengritësit morën nën kontroll Goma-n dhe refuzojnë të largohen prej andej. Pas marrjes se Goma-s, lëvizja rebele M23, që besohet se mbështetjet financiarisht, por edhe me armë nga Ruanda është betuar të çlirojë të gjithë vendin, duke përshkallëzuar sërish tensionet në rajonin e paqëndrueshëm.


Ministria


Menjëherë pas daljes së lajmit në “Euronews”, i cili kishte si bazë agjencinë “Reuters”, Ministria e Mbrojtjes ka dalë në një konferencë për shtyp, jo për të sqaruar opinionin publik po për të sulmuar televizionin kombëtar “Top Channel”, i cili paraqiti pamjet e dhëna nga rrjetet prestigjioze ndërkombëtare. Ervin Kulluri, sekretari i Përgjithshëm i MM-së, deklaroi se Shqipëria i ka shitur legalisht armë Republikës së Kongos, por kontrolli i tyre nga rebelët nuk është në përgjegjësinë e Ministrisë së Mbrojtjes. “Shitja e predhave 120 mm qeverisë së Republikës Demokratike të Kongos është ligjore. Kjo shitje është raportuar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ashtu siç edhe është e publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE)”, deklaroi Kulluri, i cili thekson se janë shitur rreth 10 mijë predha mortajash në Kongo. “Shitja i është bërë qeverisë së Republikës Demokratike të Kongos konform të gjithë rregullave dhe akteve ligjore. Nëse rebelët kongolezë kanë shtënë në dorë këto armatime, kjo nuk është përgjegjësi e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë”, tha Kulluri. Një raport i detajuar i Agjencisë së Kontrollit Shtetëror të Import-Eksportit të Mallrave Ushtarake (krijuar pas Gërdecit dhe shkrirjes së MEICO-s), tregon se në vitet 2008 deri në 2011-n, janë shitur tonelatat me fishekë, mortaja dhe predhave drejt vendeve të ndryshme. Shqipëria shet kryesisht fishekë, lëndë plasëse, predha etj., dhe blen pistoleta, mitraloza dhe snajperë. Shitjet i kemi të përqendruara kryesisht në shtetet si Mali i Zi apo Çekia, kurse armët i blejmë në Itali, ku, me sa duket, qeveria shqiptare do të ketë lidhur marrëveshje speciale, pasi është vendi kryesor nga ku furnizohet Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës.


 


Reagimi – Ministria e Mbrojtjes ka dalë në një konferencë për shtyp, jo për të sqaruar opinionin publik, por për të sulmuar televizionin kombëtar “Top Channel”