Partia Socialiste i ka bërë sërish një apel ditën e sotme kryeministrit Berisha që të zhbllokojë procesin e integrimit, duke i kërkuar të zbatojë thjesht dhe vetëm vendimet e formës së prerë të Gjykatave për çështjen e Qarkut Fier.


Deputeti socialist, Besnik Baraj në një komunikim me mediat tha se janë dy filozofi krejt të ndryshme për integrimin e vendit në BE; ajo e palës tjetër që në 8 vjet nuk ka arritur të hedhë asnjë hap në këtë drejtim, dhe ajo e socialistëve.


“Ne duam integrimin e vërtetë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ne jemi të vetëdijshëm se integrimi kalon nga plotësimi i kushteve të vendosura nga Brukseli, kushte të cilat përmirësojnë realisht jetën e shqiptarëve në vend. Prandaj ne kemi këmbëngulur plot 8 vjet për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Prandaj ne qendër të programit tonë Për një Rilindje Shqiptare është punësimi, taksimi i ndershëm, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, – tha Baraj duke nënvizuar qasjen e Partisë Socialiste ndaj këtij procesi shumë të rëndësishëm për vendin.


24 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)