Qarku i Fierit/ Prokuroria ngre akuzë ndaj Dashnor Agaçes, ngriti dorën në vend të këshilltarit Eduard Dogani
Edmond Hoxhaj
Hetimi lidhur me denoncimin e kryetarit të majtë të Qarkut të Fierit, Vangjel Ndreka, i cili akuzonte rivalin e tij Artur Shehu për manipulime dhe falsifikime të mbledhjes paralele të zhvilluara nga të djathtët më 24 prill, ka konkluduar në një akuzë ndaj punonjësit të Policisë Ndërtimore të Komunës Strum, Dashnor Agaçe. Ky i fundit do të përballet me akuzën e përvetësimit të titullit apo të detyrës shtetërore. Burime nga Prokuroria e Fierit thanë se nga hetimet është arritur të konkludohet se Agaçe ka qenë i pranishëm në mbledhjen e 24 prillit dhe se ka ngritur dorën kur është thirrur emri i këshilltarit të Komunës Strum Eduard Dogani. Pritet që në ditët në vazhdim, Agaçes t’i komunikohet akuza, nëse ai do të paraqitet pranë organit të akuzës. Burimet e sipërcituara pohojnë se nga pamjet e sekuestrua pranë televizionit “Top Channel”, ku gjatë emisionit “Fiks Fare” u transmetuan pamje nga mbledhja e drejtuar nga Shehu, dukej qartë se Agaçe përgjigjej në vend të këshilltarit Dogani. Ky i fundit rezultonte që më datë 24 prill ndodhej jashtë Shqipërisë, në Greqi. Ky fakt është vërtetuar edhe pas verifikimit të sistemit TIMS, nga ku ka rezultuar se këshilltari i Komunës Strum të Rrethit të Fierit, Eduard Dogani, i cili e përfaqëson këtë njësi vendore në qark, është larguar nga Shqipëria një ditë para mbledhjes dhe është rikthyer më pas. Por, pavarësisht këtij fakti, firma e tij figuron në listë-prezencën e mbajtur gjatë mbledhjes së zhvilluar nga të djathtët më 24 prill të këtij viti.
Dëshmia
“Fiks Fare” denoncoi publikisht se Agaçe ka qenë personi që ka ngritur dorën në vend të këshilltarit Eduard Dogani, gjatë kryerjes së apelit nga sekretari Janku. Ai deklaroi para kamerave të “Fiks Fare” se ishte ai që kishte ngritur dorën në vend të Doganit. Por, gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, e ka mohuar këtë gjë, duke pretenduar se dora nuk është e tij. Më tej ai është shprehur se ka pohuar para personave që e kanë filmuar fshehtazi se e kishte ngritur dorën në vend të këshilltarit Dogani, për t’u mburrur.
Firmat
Në kallëzimin penal të Ndrekës, pretendohet se në listë-prezencën e mbajtur në mbledhjen e të djathtëve më 24 prill, janë falsifikuar disa firma. Nga burimet e akuzës mësohet se tashmë është konkluduar fakti se firma e këshilltarit Eduard Dogani është e falsifikuar, por nuk është arritur të gjendet autori i saj. Kjo, pasi në përgjigjen e laboratorit kriminalistik pranë Ministrisë së Brendshme thuhet se nuk mund të konkludonin nëse firma e Doganit ishte ose jo e falsifikuar.
Në listën që ka sekuestruar prokuroria figuron edhe firma e këshilltarit tjetër, Aulent Toli, i cili në pamjet e transmetuara në emisionin investigativ “Fiks Fare” vërehej të ishte i pranishëm në mbledhjen e zhvilluar nga kryetari i majtë i Qarkut të Fierit, Vangjel Ndreka dhe jo në atë të organizuar nga Artur Shehu. Gjithashtu, mësohet se prokuroria ka siguruar në cilësinë e provës materiale edhe deklarimet e këshilltarit të Komunës së Rremasit të Rrethit të Lushnjës, Veiz Dervishi, i cili ka pohuar se nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e organizuar nga Artur Shehu në “Hotel Fieri”. Sekretari i Qarkut të Fierit, Gjergji Janku, ka deklaruar para hetuesve gjatë marrjes së deklarimeve të tij në cilësinë e personit nën hetim, se nuk e dinte pse ndodhej aty firma e këshilltarit Eduard Dogani, i cili rezulton të ketë qenë jashtë shtetit. Ai është shprehur se jua ka kaluar regjistrin këshilltarëve pjesëmarrës, të cilët e kanë pasuar nga njëri tek tjetri. Më tej, Janku ka pohuar se nuk i njihte gjithë këshilltarët e qarkut.
Deklarata
Kreu i PS në Fier, Olldashi: Berisha të ndalojë fyerjet ndaj Ndrekës
Partitë politike të grupimit politik “Aleanca për të Ardhmen”, kanë dalë dje në një deklaratë të përbashkët për shtyp, ku kanë përshëndetur qëndrimin e Partisë Socialiste dhe aleatëve të majtë, lidhur me ngërçin e Qarkut të Fierit. Kryetari i degës së PS-së për Fierin dhe njëkohësisht juristi i Vangjel Ndrekës për çështjen e Qarkut, Andius Olldashi, ka deklaruar në emër të së majtës se qëndrimi i deputetëve të opozitës është i qartë dhe mjaft sqarues për opinionin publik. Ndërkaq, Olldashi theksoi se e majta dënon shpifjet e Kryeministrit të vendit Sali Berisha. “Ne përshëndesim qëndrimin e deputetit Gramoz Ruçi dhe të PS-së e aleatëve për çështjen e Qarkut të Fierit, por dënojmë po ashtu shpifjet dhe gënjeshtrat e Kryeministrit Berisha, për përgojimin që ka bërë ndaj kryetarit të Qarkut të Fierit, Vangjel Ndreka. Ky i fundit është një person me ndershmëri dhe integritet e moral të lartë”. Po ashtu Olldashi u shpreh se ky grupim politik i bën apel OSBE-së dhe Komisionit Europian që të reagojnë për shkeljet në drejtim të Këshillit të Qarkut të Fierit. “I bëjmë apel OSBE-së dhe KE-së, të reagojnë ndaj shkeljeve flagrante të së drejtës tonë për të përfaqësuar popullin e Fierit në këshillin e qarkut edhe pse disponojmë të gjitha vendimet e nevojshme të gjykatave” ka theksuar ai. Olldashi ka përfunduar duke thënë se degët e partive të majta të Fierit mbështesin çdo hap për integrimin e vendit në BE, por kërkojnë që të zbatohet ligji dhe që në Shqipëri t’u jepet fund qeverisjeve paralele.