Aleanca Kuq e Zi ka prezantuar sot strategjinë e saj dhe planin e veprimit për zgjidhjen e çështjes çame, në një aktivitet në të cilin ishin të ftuar drejtues të Lëvizjes Çame dhe shoqatat që merren me studimin e problemit të kësaj çështje.
Kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu deklaroi se nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Greqinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, nëse nuk do të respektohen të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve në trojet e tyre etnike.
“Nuk mund të ketë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë nëse Greqia ndalon shqiptarët në kufi vetëm se kanë lindur në Çamëri. Qeveria kuqezi do të ndërtojë një politikë të jashtme vetëm në respektimin e parimit të reciprocitetit. Për dekada të tëra shqiptarët me origjinë çame u dëbuan nga qeveria greke dhe u izoluan si në “geto” në Durrës e Fier nga qeveritë shqiptare”,- deklaroi Spahiu.
Duke u ndalur tek niveli i përfaqësimit të çamëve në qeveritë shqiptare Kreshnik Spahiu lëshoi akuza të forta për përfshirjen e përfaqësuesve të minoritetit grek në kabinetet qeveritare të shtetasit Sali Berisha ndërsa përfaqësues të çamëve nuk përfshihen kurrë. “Për 70 vjet me radhë asnjë ministër çam në qeverisje, ndërsa ministra grek me dhjetëra, derisa në qeverinë e shtetasit Berisha kemi 3 grek në postin e ministrit dhe 13 filo grek por asnjë çam. Berisha po tenton në këtë 100 vjetor të varrosë çështjen çame njëherë e përgjithmonë duke i vënë emrin një sheshi, sepse e konsideron çështje të vdekur dhe të harruar, duke hequr emrin e emblemës shqiptare të Avni Rustemit pa veprën e të cilit nuk do të kishim as Çamëri dhe as Shqipëri. Çamëria nuk meriton një emër sheshi se nuk është çështje e vdekur, por është kauzë e së ardhmes dhe kjo ndan dy epoka mes demokratëve dhe kuqezinjve” deklaroi Spahiu.
Ai ka prezantuar konkretisht atë çfarë Aleanca Kuq e Zi do të bëjë për çështjen çame. “Aleanca Kuq e Zi do të realizojë censusin për regjistrimin e popullsisë çame, banesave dhe pronave të tyre në trojet e tyre etnike. Aleanca Kuq e Zi do të hapë konsullatën në Mërgëlliç të Çamërisë ashtu si grekët e kanë në Gjirokastër dhe Korçë, apo italianët në Shkodër. Aleanca Kuq e Zi do të bashkojë të gjithë faktorin çam dhe do të trajtojë çështjen çame jo si një çështje tregtare dhe pronash por si një çështje me interes kombëtar të veçantë. Për herë të parë politika e jashtme shqiptare do i ngrejë kokën çdo shqiptari që jeton në tokë shqiptare dhe do të formojmë një qeveri e cila punon 100% shqip, flet 100% shqip, qeveri etnike shqiptare dhe me 100% ministra shqiptarë”, theksoi ai.
24 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)