Trajneri Alban Tafaj: Vendi i dytë në klasifikim do të ishte arritje pozitive


Altin Manallari


E çuditshme, por e vërtetë. Kur ende nuk është mbyllur faza e parë e Kategorisë Superiore, Tirana, skuadra 24-herë kampione e vendit, e gatuar që në gjen të ketë luftën për tituj, vendos të heqë dorë nga trofeu më prestigjioz i kampionatit shqiptar të futbollit. Një gjë të tillë e ka konfirmuar në deklaratën e tij të djeshme trajneri i bardhebluve, Alban Tafaj, i cili, duket se është dorëzuar i pari, ndoshta i ndikuar edhe nga diferenca prej 8 pikësh me Skënderbeun kryesues. Klubi rekordmen i vendit për sa u përket titujve të fituar, në këtë sezon ka arritur të grumbullojë vetëm 19 pikë në 11 javët e para. Kjo duket se i ka detyruar bardheblutë të ndryshojnë objektivat sezonalë, duke deklaruar se do të ishin të kënaqur me vendin e dytë, pozicion që të çon në Europa League. “Do të thosha se po të arrijmë të marrim pikët maksimale në dy ndeshjet e radhës, atë herë ne do të mund të pretendojmë për vendin e dytë, i cili do të ishte pozitiv për ne, pasi nga vendi i parë deri te vendi i tretë janë pozitive”, u shpreh dje Tafaj. Gjithsesi, ende nuk është e qartë, nëse ky është vërtet objektivi i ri i Tiranës, apo është një strategji e bardhebluve për “t’u hedhur hi syve” rivalëve për titull. Kjo deklaratë e teknikut bardheblu ka befasuar jo pak opinionin sportiv. Ndeshja e radhës e bardhebluve, është ajo e sotmja ndaj Bylisit në transfertë. Skuadra ballshiote po kalon një moment të vështirë pas largimit të trajnerit Agim Canaj. Këtë fakt e prek edhe trajneri bardheblu, por gjithsesi ai nuk harron të respektojë skuadrën e Bylisit, të cilën e konsideron një kundërshtar të vështirë për t’u mundur, sidomos në fushën e saj. “Kemi një ndeshje që është mjaft e vështirë, mjaft delikate, për vetë faktin sepse luajmë në një fushë në thonjëza ‘të vështirë’. Do të kemi përballë një ekip mjaft të fortë, ndërsa terreni në ‘Adush Muça’ është i mirë. Bylis është një skuadër që të vë në vështirësi, por që ka probleme me largimin e trajnerit. Ndoshta kjo mund të ndikojë. Megjithatë, ne kërkojmë të marrim fitoren”. Megjithatë, për takimin e sotëm, trajneri Alban Tafaji nuk do të ketë në dispozicion dy nga lojtarët e formacionit titullar, mbrojtësin Dushku për arsye dëmtimi dhe mesfushorin Gilman Lika, që vuan nga një gjendje gripale.