Misteri
Tre ekipe të ndryshme shkencëtarësh do të analizojnë kampionet. Dyshohet se është helmuar me polonium
Eshtrat e udhëheqësit palestinez, Jaser Arafat, do të zhvarrosen ditën e martë dhe tre ekipe shkencëtarësh nga Franca, Zvicra e Rusia do të marrin kampione për t’i analizuar. Secili ekip do të kryejë analizat e tij në mënyrë të pavarur, e më pas eshtrat do të varrosen sërish me nderime ushtarake. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarët palestinezë të cilët kanë saktësuar se trupi i liderit historik të palestinezëve do t’u nënshtrohet testeve për të vërtetuar nëse vdekja e tij është shkaktuar nga helmimi me polonium. Të dhënat mjekësore flasin për një iktus, por Franca çeli hetimet për vrasje në gusht, pasi ekspertët zviceranë zbuluan gjurmë poloniumi radioaktiv -210 në sendet e tij personale. Varri i tij, në Ramallah në Bregun Perëndimor u mbyll që në fillim të këtij muaji.
Kërkesa
Vendimi për zhvarrosjen e eshtrave të liderit historik palestinez u mor pas një kërkese të vejushës Arafat, Suha. Ajo i kërkoi Autoritetit Palestinez për të lejuar nxjerrjen e eshtrave, pas dyshimeve që dolën nga ekzaminimet e një grupi shkencëtarësh zviceranë. Sipas tyre, në sendet personale të Arafat, tesha dhe furçën e dhëmbëve, janë vërejtur nivele anormale të poloniumit, ndaj është e nevojshme të ekzaminohen prania e helmit në kocka për të arritur në një konkluzion përfundimtar nëse kemi të bëjmë me një rast helmimi. Fillimisht dyshimet u bënë publike në një emision televiziv të kryer nga televizioni “Al Jazeera”. “Gjatë analizave të bëra mbi sendet personale dhe kampionëve biologjikë të liderit palestinez, që mbylli sytë rreth 7 vjet më parë, në spitalin ushtarak “Percy”, në jug të Parisit, u gjend një nivel domethënës poloniumi”, shpjegoi në dokumentar Franois Bochud, drejtor i Institutit për Fizikën e Rrezatimeve në Lozanë. Poloniumi është përdorur edhe për helmimin e ish-agjentit sekret të KGB-së, Litvinenko, i cili vdiq në vitin 2006 në Londër.
Akuzat
Lideri historik i palestinezëve, Jaser Arafat u ndie keq në selinë e tij në Ramallah. Pas dy javësh ai u transportua në Francë, ku dhe vdiq në 11 nëntor të vitit 2004, në moshën 75-vjeçare. Arsyet e vdekjes së tij mbeten ende misterioze. Rreth 50 mjekë, që u kujdesën për të, nuk e specifikuan motivin e saktë të përkeqësimit të shëndetit të tij. Në vitin 2005, “New York Times” publikoi një kopje të dosjes mjekësore të Arafatit ku thuhej se ai vdiq për shkak të hemorragjisë cerebrale masive të shkaktuar nga një infeksion i panjohur. Por ish-këshilltari i tij, Bassam Abu Sharif, asokohe deklaroi se Arafati u helmua nga shërbimi sekret izraelit, Mossad, duke i vendosur një sasi helmi në barërat që ai përdorte. Të tjerë kishin thënë se ai ishte helmuar me ushqim, por prova të vërteta askush nuk kishte. Pas akuzave të palestinezëve reaguan funksionarë të lartë izraelitë, të cilët mohuan çdo lidhje të mundshme të Izraelit në vdekjen e Arafatit.