Rakipi – Në vitin 2002 Kryeprokurori i Republikës, Arben Rakipi, u shkarkua nga një aleancë fluide mes PD dhe një pjese të PD-së


Sollaku – Në vitin 2007 Prokurori i përgjithshëm, Theodhori Sollaku u shkarkua nga Presidenti i sapozgjedhur Bamir Topi me mbështetjen e PD


Vendimet – Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime për shkarkimet e dy kryeprokurorëve nga Parlamenti të cilat i ka cilësuar antikushtetuese


Afati – Kësaj radhe nëse çështja shkon në Gjykatën Kushtetuese nuk do merret si precedent vendimet e para pasi nuk bëhet fjalë për motivin por afatin


Eksperti: Mandati i kryeprokurores Ina Rama përfundon në 2013-n


“Partia Socialiste e kishte dhe e ka mundësinë ligjore për ankimim. Çështja është a duhej të vihej në lëvizje Partia Socialiste për këtë dilemë, sepse sot kjo forcë politike  është në trilemë”


“Nga mënyra dhe forma se si u zgjodh edhe së fundmi KQZ-ja, mungesa e transparencës në aktivitetin dhe veprimin e deritanishëm të saj, si dhe numri i madh i kompetencave që i ka lënë ligjbërësi këtij institucioni thellësisht të politizuar dhe jo kompetent, do të ketë rrjedhoja ndoshta më dramatike se i kaluari”


Ylli Pata


“Mandati i Kryeprokurorit të Republikës përfundon vitin tjetër”. Është i qartë juristi Sokol Hazizaj, ish-zv.ministër i Drejtësisë dhe ish-nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, i cili në një intervistë për “Shqip”, analizon situatën e krijuar pas deklarimit të Presidentit të Republikës për të dekretuar shkarkimin e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Hazizaj, i cili është dhe pedagog në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës, thekson se mandati i prokurorit është një aspekt që buron vetëm nga ligji dhe nuk mund të ketë një interpretim alternativ, ngaqë nuk ka një dispozitë kalimtare të ligjit aktual. Ndërkaq, Hazizaj ka lëshuar kritika të forta ndaj mënyrës sesi u konfigurua Komisioni i Zgjedhjeve duke paralajmëruar pasoja të rënda dhe dramatike sesa KQZ e mëparshme…


Z.Hazizaj, opinioni publik, politika dhe ekspertët janë ndarë në dy qëndrime në lidhje me përfundimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. Cili është mendimi juaj?


Lidhur me institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe kohëgjatësinë e veprimtarisë së tij, debati ka qenë i kahershëm, për faktin e thjeshtë se në ligjin e mëparshëm dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pa ndryshimet e vitit 2008 mandati i tij ka qenë i pakufizuar, rrjedhimisht nga politika e atyre kohëve, brenda debatit të saj mbi pëlqimin ose jo të ish-prokurorëve të përgjithshëm nuk është diskutuar asnjëherë mandati i tyre, por në thelbin e diskutimit ka qenë pëlqyeshmëria ose jo ndaj individit Prokuror i Përgjithshëm. Sot diskutimi mbas ndryshimeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë me Ligjin Nr.9904, datë 21.4.2008, pasqyruar në ndryshimet ligjore të kryera me Ligjin 10051, datë 29.12.2008 “Mbi organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSH”, ka në fokus të vet përgjigjen e pyetjes, nëse do të konsiderohet i plotëkonsumuar mandati pesëvjeçar i Prokurorit të Përgjithshëm? Sipas detyrimit ligjor të parashikuar në Kushtetutë dhe në ligjin organik, lexuar thjeshtazi dhe ndryshe nga tradita ligjore e trajtuar deri tani, Presidentit të Republikës i takon vetëm të numërojë ditët kur është emëruar Prokurori i Përgjithshëm dhe sipas detyrimit ligjor të sotëm të ushtrojë detyrën për nxjerrjen e dekreteve të duhura lidhur me largimin e të parës dhe emërimin e të ardhshmit. Në një vështrim tjetër, të cilit i përkas edhe unë, përkundrazi mandati i prokurorit të përgjithshëm nuk mbaron këto ditë, por vitin tjetër. Ky vizion vjen për disa arsye, midis të cilave janë pamundësia e një ligji organik dhe atij kushtetues për të pasur fuqi prapavepruese, mungesa e dispozitave kalimtare që janë konstatuar në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 lidhur me mandatet e filluara më parë nga ato, si dhe me ndërprerjen e tyre, ose me parime të tilla siç janë ato të sigurisë juridike, sepse në fund të fundit edhe Prokurori i Përgjithshëm dhe mandati i tij duhen trajtuar si të drejta që burojnë nga ligji dhe vetëm nga ai. Në këtë kuptim i qëndroj idesë se Presidenti i Republikës përpara se të mblidhte faktorët politikë duhej të diskutonte lidhur me zgjidhjen dhe përgjigjen e pikëpyetjeve të mësipërme.


Për ta ankimuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese PS ka “ngritur duart” duke thënë se tagrin e ankimimit në këtë rast e ka vetëm Prokurorja në detyrë. Nuk i njihet kjo e drejtë një grupi deputetësh?


Lidhur me mundësinë e Parisë Socialiste për të çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, mjafton t’i qëndrosh besnik nenit 134/c të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila pohon haptazi se të drejtën për ta vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese është jo më pak se një së pestës së deputetëve, që do të thotë se Partia Socialiste e kishte dhe e ka këtë mundësi ligjore. Por kjo nuk lidhet më shumë me mundësinë se sa me faktin se politikisht a duhej të vihej në lëvizje Partia Socialiste për këtë dilemë, sepse sot kjo forcë politike nuk është më në dilemë, por në trilemë. Ndërsa lidhur me mundësinë për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese vetë Prokurori i Përgjithshëm i deritanishëm, kjo varet prej saj, por praktika e deritanishme ka treguar se moto e institucione tona ka qenë fjala popullore “pas meje ndodhtë qameti”.


Kemi rastet e dy prokurorëve të Përgjithshëm: Arben Rakipit dhe Theodhori Sollakut, ku Gjykata Kushtetuese i cilësoi antikushtetuese shkarkimet e tyre, megjithatë ata nuk u kthyen në detyrë, por edhe vendimet nuk u morën si precedentë nga vendimet e krerëve të shtetit dhe parlamenteve respektive. Si e shpjegoni këtë anomali?


Ritheksoj se ka një ndryshim midis rasteve të prokurorëve të Përgjithshëm të sipërpërmendur dhe rastit të sotëm që lidhet ngushtësisht me kohën e ushtrimit të mandatit prej saj në detyrë. Rasti i të parëve kishte të bënte me shkarkimin, shkaqet, arsyet, motivet për të cilat Kuvendi mori vendimin e shkarkimit, për të cilat Gjykata Kushtetuese mbajti qëndrim në favor të kërkuesve, gjë e cila tregon se Kuvendi i Shqipërisë ka gabuar. Sa i përket kthimit në detyrë, kjo është bërë e pamundur, sepse në këtë vend padrejtësia ndryshe nga drejtësia është bërë gjë e zakonshme, e parëndësishme dhe nuk ia vlen të diskutohet. Në këtë vështrim dhe Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të jetë rast përjashtimor.


Bashkimi Europian vendosi si kriter për vendet aspirante funksionimin e shtetit ligjor, pra mosndikimin e gjyqësorit nga politika. Sa i infektuar është gjyqësori në Shqipëri?


Kjo është një çështje shumë sensibël, ku përgjigjet dhe arsyet për të dhënë ato janë të shumta. Megjithatë, them me bindje se edhe gjyqësori si çdo pushtet tjetër i ashtuquajtur i pavarur është tërësisht i varur politikisht, jo vetëm për shkak të financimit, por dhe të mënyrës se si qeveriset, mënyrës se si është organizuar dhe mënyrës se si funksionon. Bashkimi Europian ka kuptuar se në vendin tonë ekzistojnë dy kahe, ku nga njëra anë janë ligjet dhe nga ana tjetër morali tërësisht i korruptuar politik dhe më tej, të cilat janë alla shqiptarçe. I vetmi moment që u ka ngelur në dorë europianëve për të kryqëzuar politikën dhe moralin e deformuar tanimë dhe që ngjajnë si vëllezërit siamezë, është vendosja e kushteve ligjore. Por me bindje e them se në se edhe ky moment kryqëzimi kapërcehet nga politika si gjithë të tjerat, dëshpërimi që do të zërë njerëzit do të quhet i vogël përballë fenomeneve që mund të ndodhin.


KQZ e nisi punën që në fillim me një kontestim në lidhje me llogaritjen e mandateve për deputet në qarqe. Mos po përsëritet historia ku do të kemi vendime të njëanshme dhe mospranim nga njëra palë. Pse po ndodh kjo?


Duke qenë i bindur, por jo pesimist vazhdoj të besoj se të vetmet momente, të cilat i bënin të interesuar reciprokisht politikën dhe njeriun për njëri-tjetrin kanë qenë Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor. Me ndryshimet e fundit është hequr dorë nga ky reciprocitet, që do të thotë se politika nuk ka më nevojë për njerëzit dhe anasjelltas njerëzit gjithmonë do të jenë të papërfaqësuar dhe të papërfillshëm për politikën. Në këtë kuptim nga mënyra dhe forma se si u zgjodh edhe së fundmi KQZ-ja, mungesa e transparencës në aktivitetin dhe veprimin e deritanishëm të saj, si dhe numri i madh i kompetencave që i ka lënë ligjbërësi këtij institucioni thellësisht të politizuar dhe jo kompetent, do të ketë rrjedhoja ndoshta më dramatike se i kaluari.