Rastet kriminale të djemve nga Bulqiza, që nga përgjimet u zbuluan shantazhet seksuale
Një përgjim i nisur për zbulimin e një grupi shpërndarësish lëndësh narkotike në gjimnazet e Tiranës, ka zbuluar një rrjet gjobëvënësish, kryesisht ndaj biznesmenëve, duke u zhvatur mijëra euro. Hetimet për Ervin Gjanën e Altin Dardhën, të arrestuar, kanë nisur muaj më parë, pas disa informacioneve se në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë qarkullojnë dy individë që dyshohet se shpërndajnë hashash. Agjentët e antidrogës, pas identifikimit, zbuluan se bëhej fjalë për dy djem nga Bulqiza, të cilët qëndronin afër gjimnazeve, madje shoqëroheshin edhe me kontingjent policor. Duke dashur të zbulojnë rrjetin e madh të trafikut, hetuesit vendosën numrat e tyre në përgjim, ndërsa filluan edhe vëzhgimet. Fillimisht u provua shpërndarja e drogës, e cila nuk ishte shumë e vështirë, pasi Gjana dhe Dardha vepronin haptas, madje në rrjetet sociale kishin vendosur fotografi të tyre duke pirë hashash. Agjentët kërkonin të mësonin se ku e merrnin lëndën narkotike, por nga përgjimet u zbuluan fakte të tjera.
Skema
Grupi i tyre shantazhonte biznesmenë të ndryshëm, ndërsa në të gjitha rastet skemat kanë qenë pothuajse të njëjta. Në lojë kishte hyrë edhe një 24-vjeçare nga Memaliaji i Tepelenës, Raviola Lila, e cila hynte në shoqëri me biznesmenët, madje duke i joshur seksualisht. Ajo flirtonte me ta, derisa të siguronte një takim intim në një nga hotelet e Tiranës. Në momentin që siguronte takimin intim, ndërhynin Gjana dhe Dardha, duke shantazhuar gjoja 24-vjeçaren, e cila kishte përfunduar shkollën e lartë për Juridik në një universitet privat dhe më pas u vërsuleshin biznesmenëve. Rasti i 36-vjeçarit Juliand M. nuk ka qenë i vetmi për këtë grup, pasi ata e kishin futur Raviolën edhe te disa biznesmenë të tjerë. Skema ka funksionuar në një rast, pasi biznesmenët, të cilët në të shumtën e rasteve ishin të martuar, pranonin në heshtje këtë marrëveshje, me qëllim që të mos denigroheshin në publik. Madje, ata nuk denonconin shantazhin, duke i hapur rrugë grupit që të vepronte lirisht, madje të provonte edhe në biznesmenë të tjerë.
Dëshmitë
Burime nga Policia e Tiranës thanë për gazetën se janë marrë në pyetje katër të arrestuarit, midis të cilëve edhe vajza, të cilët, duke u përballur me provat, kanë pranuar indirekt përfshirjen. Ervin Gjana dhe Altin Dardha, dy organizatorët, kanë pohuar se e njihnin Raviolën kohë më parë, madje Ervini e kishte edhe të dashur. Sipas tyre, ata nuk kanë pasur dijeni se 24-vjeçarja shoqërohej me një biznesmen. Plani u ka lindur në momentin që e kanë zënë “mat” me Juliandin, pasi më parë nuk kanë pasur asnjë qëllim. Ndërkohë, policia saktëson se ka informacione se grupi e ka mirëmenduar këtë gjobëvënie, pasi grupi ka pyetur për të gjitha lëvizjet e biznesmenit të fushës së reklamave, vendbanimin, bashkëshorten, dy fëmijët, të ardhurat që fitonte, si dhe për vendet që frekuentonte. Madje, ata kanë udhëzuar edhe Raviolën që t’i afrohej. Nga hetimet e deritanishme kemi zbuluar vetëm një rast, thotë policia, ndërsa kërkojnë dëshmi të reja për gjobëvëniet. s.ç