Egjipt


Autoritetet ligjvënëse e vlerësojnë dekretin e Mursi si “sulm të paprecedentë” 


Mbështetësit e opozitës në Egjipt u grumbulluan për të dytën ditë radhazi në sheshet dhe rrugët e Kajros për të protestuar kundër dekretit të Presidentit Mohamed Mursi që shfuqizon të gjitha autoritetet e tjera, përfshirë këtu atë gjyqësor nga aftësia për të rrëzuar vendimet e tij. Opozita bëri thirrje për vazhdimin e protestave në mbrojtje të revolucionit që rrëzoi regjimin e Presidentit Hosni Mubarak që sipas saj me dekretin e fundit është në hapat e parë të vendosjes së një regjimi të ngjashëm me atë të rrëzuar muajt e parë të vitit të kaluar. Protestuesit hodhën gurë dhe sende të tjera të forta ndaj forcave të sigurisë, ndërsa kjo e fundit u përgjigj me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome. Mediat ndërkombëtare raportojnë për dhjetëra të lënduar si nga protestuesit ashtu dhe nga forcat e sigurisë. Protesta e opozitës është mbështetur edhe nga autoriteti ligjvënës egjiptian, Këshilli Suprem. Sipas këtij të fundit, dekreti i Presidentit Mursi përfaqëson “një sulm të paprecedentë” mbi pavarësinë e gjyqësorit. Gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të mbledhur pas vendimit të Morsi, Këshilli i ka kërkuar presidentit të “heqë nga ky dekret gjithçka që cenon autoritetin gjyqësor”. Ndërsa në Aleksandri, magjistratët kanë vendosur të bojkotojnë të gjitha proceset në shenjë proteste. Sakaq, në Kajro është mbledhur Asambleja e Përgjithshme e Magjistraturës, ku ka marrë pjesë edhe ish-prokurori i përgjithshëm, Abdel Maguid Mahmoud. “Dekreti i Presidentit është nul. Autoritetet ligjvënëse janë të vetmet që kanë të drejta të marrin vendime që lidhen me magjistratët”, ka deklaruar Mahmoud. Opozita ka paralajmëruar për të martën një manifestim kombëtar në shenjë proteste për vendimet e fundit të Morsit. “Po përballemi me një moment historik, në të cilin ose do të plotësojmë revolucionin tonë ose do ta braktisim, duke lejuar të biem pre e një grupi që ka vendosur interesat personale mbi ato kombëtare”, thuhet në një komunikatë të opozitës. Ditën e martë pritet që edhe Vëllezërit Myslimanë, mbështetësit e Presidentit Mursi, të zhvillojnë një manifestim. Shtetet e Bashkuara thanë të premten se supozimi i marrjes së pushtetit gjithëpërfshirës nga Presidenti i Egjiptit, Mohamed Mursi, është një çështje shqetësuese, derisa një raund i ri i protestave ka kapluar vendin. “Vendimet dhe deklarimet e shpallura më 22 nëntor rrisin shqetësimet e egjiptianëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Një nga aspiratat e revolucionit ishte sigurimi se pushteti nuk do të koncentrohej tepër në duart e ndonjë personi apo një institucioni”, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Victoria Nuland.


Reagimi


Vëllezërit Myslimanë, mbështetësit e Presidentit Mursi, kanë paralajmëruar se do të zhvillojnë një manifestim si kundërpërgjigje ndaj protestave të këtyre ditëve të fundit