“Më morën 70 mijë lekë mall”, thotë Avdiu. Një tjetri i sekuestrojnë biçikletën
Shpresa Mezini
Konfiskimi i kanoçeve apo mbetjeve të tjera urbane duket se është kthyer në “trendin” e fundit të Bashkisë së Tiranës, aksion që më shumë sesa i ligjshëm përngjan me një “pirat”.
Ndonëse policia bashkiake kishte rënë në qetësi prej disa javësh, në rrugët e kryeqytetit, edhe pse atmosferë festash, është rikthyerndjesia e dhunës që po ushtrohet ndaj komunitetit rom. Kjo, duke qenë se kjo kategori personash është drejtpërdrejt e lidhur me këtë lloj “biznesi”.
“Të mërkurën, policia më vodhi 70 mijë lekë mall. Në karrocë kisha kanoçe, shishe plastike, duralumin. Morën mallin, karrocën. Isha në rrugën ‘Mine Peza’, po mblidhja plehrat e kazanëve. Unë me ato ushqej fëmijët. Kam 5 fëmijë. Unë dhe gruaja jemi pa punë. Isha në punën time, ata më zbritën nga karroca, më vodhën mallin tim”, tha Avdiu, një burrë rreth të 40-ave. Ai ishte i tensionuar, dhe në vështirësi për të gjetur fjalët që shpjegojnë ngjarjen që i kishte ndodhur.
Avdiu tregon për gazetën “Shqip” se është i martuar, baba i 5 fëmijëve, 3 vajzave dhe 2 djemve. Jeton në rrugën “5 Maji”, në një kasolle të improvizuar në formën e një shtëpie. Avdiu thotë se ka punuar në Ndërmarrjen e Gjelbërim-Pastrimit në Bashkinë e Tiranës, prej 10 vjetësh, por duke qenë se ka 7 vjet që e kanë pushuar nga puna, ka zgjedhur të futet në koshat e mbeturinave për të seleksionuar mbetjet, me shpresën se shitja e tyre do të ushqejë 7 frymë.
“Dua të punoj. Po s’më merr njeri. Të gjithë më nxjerrin jashtë. Unë s’kam shkollë. S’di të bëj asgjë përveçse të pastroj, të bëj punë hamallëkshe. Asnjeri s’më afron. Unë jam rom, ne njerëzit nuk na duan”, shton Avdiu, viktimë e sekuestrimit të kanoçeve nga policia bashkiake.
Rasti i zotërisë nuk është i vetmi. E njëjta situatë u ka rënë mbi “kokë” edhe personave të tjerë që mbledhin mbetje në koshat e mbeturinave, të pozicionuara në rrugë të ndryshme të kryeqytetit.
Afrimi është një tjetër qytetar, që i përket komunitetit rom, i cili prej më shumë se 25 vjetësh njeh me rrënjë e dhëmballë lagjet, ku koshat e mbeturinave kanë mall të mirë, siç i quan vetë ai.
“Një javë më parë, ishte ora 09:30, kisha lënë biçikletën me dy arka në cep të kazanit, njërën prej arkave e kisha mbushur në rrugën ‘Bardhyl’, tjetrën po e mbushja në rrugën ‘Myslym Shyri’, te shkolla ‘Arben Broci’. Isha futur kokë e këmbë në kosh, kur erdhi policia. Më thanë të dilja dhe t’ua jepja të gjitha atyre, unë s’doja. Dy prej tyre më mbanin, një tjetër i mori të gjitha e i futi në makinë, biçikletën, arkat dhe ikën. Pse na ndodh vetëm ne kjo? Unë s’dua të futem në kosha. Unë e bëj nga halli. Pse s’më gjejnë punë? Nëse punoj, s’futem fare në kosha. Me çfarë t’i ushqej fëmijët? Shokët më kanë thënë që Lulzim Basha i do për vete, ne s’kemi shkollë, po ca gjëra i kemi dëgjuar. E dimë që kunati i vet do të bëjë një fabrikë riciklimi. Kush dreqin po e di çfarë po bëjnë? Ne duam vetëm të hamë bukë”, rrëfen i shqetësuar Afrimi, baba i 3 fëmijëve, ndërsa pret që muajin e ardhshëm t’i vijë në jetë fëmija i katërt.
Siç duket aksionet e Policisë Bashkiake nuk ka mundur t’i ndalojë as festa e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Edhe pse qeveria shqiptare dhe institucionet përbërëse të saj janë përgatitur për këtë ditë të madhe, duket se policia bashkiake nuk ka ndër mend të heqë dorë nga urdhri për ndalimin e të gjithë personave që, sipas tyre, ndotin ambientin duke seleksionuar mbetjet në trotuare.
Situata – Rikthehet aksioni i policisë bashkiake. Sekuestrojnë 7 mijë lekë kanoçe, plastikë, karoca, biçikletë dhe arka
Deklarata – Të mërkurën, policia më vodhi 70 mijë lekë mall. Në karrocë kisha kanoçe, shishe plastike, duralumin. Morën mallin, karrocën
Rasti – Dy policë më mbanin, i treti i mori të gjitha ato që kisha mbledhur, i futi në makinë bashkë me biçikletën e arkat
Dyshimi – Në s’kemi shkollë, por kemi dëgjuar që kunati i Lulzim Bashës do të bëjë një fabrikë riciklimi dhe i do plehrat për vete
Bashkia – Mbledhja e kanoçeve në kazanët e mbeturinave ndot ambientin, pasi mbeturinat seleksionohen në trotuare