Letra e ministrit – Kopje e letrës me firmën e ministrit të Financave, ku kritikon më datë 19 janar 2012, një muaj para se skandali të plaste në publik, se procedurat e ndjekura nga KfW-ja nuk janë transparente
Letërkëmbimi
Kreu i Financave: Banka KfW shpalli fitues në mënyrë subjektive ofertën me vlerën e lartë, bazuar tek ana teknike
ARD KOLA
Fituesi – Qeveria shqiptare kërkoi të shpallte fituese shoqërinë boshnjake “Energoinvest”, pasi ofroi çmim të ulët, por KfW-ja përzgjodhi kroaten “Dalekovod”, pasi ishte më e aftë teknikisht
Skandali me linjën energjetike me Kosovën, e cila me afatet e kaluara duhet të kishte përfunduar, përmban një konflikt të hapur mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane, ku kjo e fundit është gati të ndërpresë çdo financim në rast nuk i jepet zgjidhje.
Tenderi për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë, është zhvilluar rreth tre vjet më parë dhe ende nuk ka një fitues për ndërtimin e veprës, ndërsa me zbardhjen e korrespodencës mes qeverisë shqiptare dhe bankës gjermane KfW, e cila përfaqëson edhe interesat e shtetit të saj, mëson se raportet mes tyre janë krisur gati një vit më parë, ndërsa aktualisht ndodhen të ngrira.
Gazeta “Shqip” disponon kopje të përgjigjes së ministrit të Financave, drejtuar KfW-së mbi vlerësimin e tenderit, me vlerë 75 milionë euro. Në letrën e datës 19 janar 2012, ministri, nisur nga shkresa shqetësuese e OST-së (datë 25 dhjetor 2011) mbi “mënyrën se si KfW ka shpallur fituesin”, i shkruan bankës se tenderi konsiderohet jo korrekt dhe aspak transparent.
Në dijeni edhe të Kryeministrit Sali Berisha, ministri i Financave arrin deri aty sa dyshon te subjektivizmi i KfW-së për shpalljen e fituesit, duke shtuar se me “kriterin teknik”, firma kroate është “përcaktuar” fituese që në raundin e parë, pa marrë në konsideratë ofertën financiare.
E thënë ndryshe, qeveria shqiptare jo vetëm që anuloi tenderin, duke e zvarritur prej dy vitesh nisjen e punimeve, por hedh hije të forta dyshimesh mbi procedurat e ndjekura nga banka e shtetit gjerman, se gjoja fituesi i shpallur është jo transparent.
“Duke parë argumentet e dhëna nga OST-ja, të cilat motivojnë paraqitjen e shqetësimit të tyre për sistemin e vlerësimit të ofertave (propozimi teknik dhe ekonomik), mendoj që vërejtjet e paraqitura janë legjitime dhe meritojnë vëmendje”, i shkruan ministri bankës.
“Më konkretisht, shqetësimi i paraqitur nga OST-ja lidhet me procedurën që ndiqet nga KfW-ja në procesin e tenderimit, dhe veçanërisht në procesin e vlerësimit të ofertave, duke i dhënë një peshë shumë të madhe vlerësimit teknik (70 për qind dhe 60 për qind), kundrejt vlerësimit teknik (30 me 40 për qind)”, vijon ministri.
Më tej në letër, shefi i Financave hedh dyshimet e forta për mënyrën se si u zgjodh fituesi, por natyrisht, duke treguar kujdes, në përpjekje për të shmangur çdo nënkuptim.
“Sipas OST-së, vlerësimi teknik i ofertave në formën e tij aktuale përmban subjektivizëm të pashmangshëm për disa zëra, duke ‘përcaktuar’ ftuesin që pas hapjes së propozimit teknik, pavarësisht vlerës së ofertës ekonomike, për shkak të peshës shumë të madhe që kriteri teknik ka krahasuar me atë ekonomik”, thotë ministri.
Sipas këtij kombinimi, vijon ai, procedura rezulton në përzgjedhjen si fitues të ofertuesit që paraqet koston më të lartë dhe këto kosto nuk mund të neglizhohen, sepse ato arrijnë 8.3 milionë euro për projektin e parë dhe 9 milionë euro për projektin e dytë, të cilat do të paguhen vetëm si rezultat i shpërndarjes së peshës së pikëve, në një kohë kur të dy ofertuesit i plotësojnë kriteret teknike të nevojshme për të konkurruar. “Kjo gjë ka shqetësuar OST-në, e cila ngurron të japë aprovimin për draft-vlerësimin final, pikërisht për shkak të kostove të larta”, thotë ministri.
Pra, sipas tij, të dyja kompanitë, si kroatja me ofertën më të lartë 8 milionë euro, “Dalekovod”, ashtu edhe boshnjakja “Energoinvest”, e cila ka ofruar çmim më të ulët, e realizojnë teknikisht projektin, ndaj nuk ka pse merret oferta më e lartë. Ministri i thotë bankës se detyra e tij është të menaxhojë sa më mirë paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe ka për qëllim të realizojë projekte me koston më të lirë.
Në letër ministri vë në dukje faktin se procedurat e KfW-së nuk janë konform rregullave shqiptare të prokurimit, të cilat janë më transparente se të bankës. Rreth dy javë më pas, KfW-ja i kthen përgjigje ministrit, ku i hedh poshtë pretendimet e paraqitura nga ai, duke i dhënë argumente të shumta, se pse duhet shpallur fitues kompania me vlerën më të lartë, por më shumë e sigurt në realizimin e një projekti të rëndësishëm mbi kapacitetin e linjave shqiptare të energjisë.
Haxhinasto: Duhet t’i japim zgjidhje të shpejtë projektit
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, duke folur dje për situatën në tërësi sa u takon disa proceseve që ka ministria, komentoi edhe bllokimin e projektit për ndërtimin e linjës me Kosovën. “Është një problem, i cili është ezauruar edhe në media. Besoj që tani është e domosdoshme për të përcaktuar hapat e tjerë që ky projekt shumë i rëndësishëm, shumë vital midis dy vendeve të përfundojë”, tha Haxhinasto për “Top Channel”. Një pjesë e procesit ndiqet edhe nga ministria, por kjo e fundit pak është marrë me çështjen në fjalë, duke ia lënë në dorë zgjidhjen Ministrisë së Financave dhe OST-së, institucion në varësi të saj.
Sa i takon “Albpetrolit”, ministri u shpreh optimist se negociatat do të mbyllen shpejt. “Po vlerësojmë strategjinë dhe hapat që do të ndërmerren për të konkluduar marrëdhënien problematike, besoj se brenda dy-tri javëve të ardhshme do të kemi një përcaktim të qartë të asaj që duhet bërë për ta zgjidhur këtë marrëveshje apo situatë problematike”, tha Haxhinasto. Ai foli edhe për CEZ-in, kompani e shpërndarjes së energjisë elektrike, të cilës qeveria kërkon t’i heqë licencën.
“Është një moment ku secila palë dëshiron të garantojë dokumentacionin respektiv për sa i takon një kontrate të tillë me rëndësi shumë të madhe për vendin. Jemi brenda të gjitha afateve ligjore dhe jam optimist që do të përfundojë me sukses”, tha ministri.
