Kukësi merr fitoren e radhës. Tomori e Shkumbini, pa gola
Tirana bie në Ballsh. Kryeqytetasit në javën e 12 të Kategorisë Superiore, u mundën me rezultatin minimal 1-0 nga Bylisi i Ballshit. Bardhekaltërit, të cilët pas dy fitoreve radhazi, u dukën sikur lanë pas krizën e klubit, nuk mundën të bënin asgjë përballë Bylisit, edhe pse shpesh ishin më të rrezikshëm se vendasit. Ekipi i Alban Tafajit u gjunjëzua para golit të Bakiut në minutën e 68. Edhe pse 24 herë kampionët e vendit u përpoqën për të barazuar rezultatin, në fund janë vendasit ata që marrin 3 pikët që u sigurojnë një pozicion komod në mes të tabelës së renditjes në Kategorinë Superiore.
Në ndeshjen tjetër të kësaj jave, Kukësi, i cilësuar si skuadra surprizë e këtij sezoni në kampionat, fiton bindshëm 3-1 ndaj Kastriotit të Krujës. Fillimisht ishin miqtë ata që kaluan në avantazh me një gol të shënuar që në minutën e dytë nga Daja. Por vendasit e Kukësit arritën ta marrin shpejt veten dhe në minutën e 25-të me anë të Progonit barazojnë rezultatin në 1-1 dhe shkojnë të qetë në dhomat e zhveshjes. Në pjesën e dytë të lojës, Kukësi dominon dhe për të siguruar fitoren mendojnë Popoviç dhe Allmuça, të cilët shënojnë respektivisht në minutën e 70 dhe 89.
Në Berat, tifozët vendas kanë mbetur përsëri të zhgënjyer, pasi ekipi i tyre, Tomori, nuk ka mundur të marrë më shumë se një pikë në shtëpi, përballë Shkumbinit të Peqinit.
Ndeshja Vllaznia – Flamurtari e luajtur në mbrëmje në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës ka mbyllur me shumë emocione dhe spektakël javën e 12 të Kategorisë Superiore, që shënon edhe mbylljen e fazës së parë të këtij kompeticioni.
Miqtë nga qyteti i flamurit kanë kaluar shpejt në avantazh dhe e kanë mbyllur pjesën e parë me diferencë të thellë 0-3, falë edhe një autogoli të një mbrojtësi shkodran. Pothuajse gjysma e pjesës së dytë ka vijuar me të njëjtin rezultat dhe me një lojë plot probleme nga ana e vendasve. Por në minutën e 63-të kur Rexha shënoi golin e parë për vendasit, loja mori një rrjedhë tjetër. Sulmet e njëpasnjëshme sollën golin e dytë pas 10 minutash dhe kontrolli i lojës ndërroi krah, nga Flamurtari te Vllaznia. Të përqendruar në sulm, shkodranët rrezikuan shumë dhe vetëm një gafë e Memellit i shpëtoi nga goli i katërt vetëm 5 minuta para mbylljes së kohës së rregullt. Në minutën e pestë dhe të fundit të shtesës së akorduar nga gjyqtari i ndeshjes, është sërish Rexha që pasi hyn në zonë dhe driblon dy mbrojtës të Flamurtarit e çon topin në rrjetë 3-3. Trajnerët Duro dhe Rubio dolën të pakënaqur nga stadiumi, edhe pse vendasit arritën të evitonin një humbje të thellë, ndërsa miqtë morën një pikë jashtë shtëpisë.
Rezultatet e djeshme nuk sollën asnjë ndryshim sa i përket kreut të renditjes, ku qëndron i vetëm Skënderbeu i Korçës, që duket se nuk ka rival në rrugën e tij drejt titullit.
ss