Mjekësia Ligjore: Viktima nuk u gjymtua, nuk iu prenë gjenitalet


Hysen Likdisha


Përplasja e varianteve të dy familjeve për motivin e ngjarjes e rëndë në Klos, ku pronari i një lokali dyshohet se bashkë me vëllain dhe një shokun e tij vranë kamerierin, pritet të zbardhet vetëm nga dëshmia e “mollës së sherrit”, e cila është gruaja e biznesmenit. Familja e të ndjerit ka deklaruar se djali i tyre u vra vetëm se pa një skenë tradhtie, ndërkohë që autorët kanë ngritur pretendimin se ai ngacmonte gruan e pronarit, duke i dërguar SMS. Por ajo që mund të hedhë dritë mbi këtë ngjarje, ende nuk është marrë në pyetje, sepse, që nga momenti i vrasjes së të riut dhe arrestimit të të dyshuarve, ajo ka pësuar goditje të rëndë psikike. Prokuroria e Matit ka tentuar disa herë të marrë në pyetje bashkëshorten e Përparim Bojës, por mendohet se kjo do të realizohet të hënën, kur pritet të jepet edhe masa e sigurisë për bashkëshortin e saj. Nga ana tjetër, Mjekësia Ligjore ka saktësuar edhe ekspertizën e kryer ndaj viktimës, ku ka rezultuar se ai ka pasur çarje në kafkë, brinjë të thyera dhe dëmtime në organet gjenitale, por jo prerje të tyre, apo të ndonjë pjese tjetër trupi, pasi vdekja e tij mendohet se ka ardhur me mbytje ose nga goditjet në kokë dhe në trup.


Sa u përket varianteve mbi motivet e ngjarjes së rëndë, Liman Barmeta, babai i viktimës Fatjon Barmeta, u shpreh natën që u gjet trupi i pajetë i të birit, se ai ishte vrarë, pasi kishte parë një skenë tradhtie. Sipas dëshmisë së tij, ai kishte parë bashkëshorten e Përparim Bojës, e cila kryente veprime intime me shokun e të shoqit. Në këto kushte, Fatjonit i kanë dhënë 120 mijë lekë të vjetra, me qëllim që të mos tregonte te burri i saj. Por, nga ana tjetër, të arrestuarit, Përparim Boja, vëllai i tij, Astriti, dhe shoku i tyre, Fatjon Cani, e kanë mohuar tradhtinë bashkëshortore dhe kanë deklaruar se 24-vjeçari kishte ngacmuar bashkëshorten e Përparimit. Ndërsa prokuroria mendon se janë të vërteta të dyja variantet. Sipas prokurorisë, i riu ka “zënë mat” gruan dhe më pas, duke menduar se ajo nuk do të tregojë gjë, ka filluar t’i dërgojë SMS, pasi kjo vërtetohet edhe nga SMS-të e gjetura në telefonin e tij. Megjithatë, gruaja mund të jetë dëshmia e vlefshme për motivin e kësaj ngjarjeje, por sipas prokurorisë, i rëndësishëm është fakti i zbulimit të autorëve dhe dëshmitë e tyre, ku e pranojnë kryerjen e krimit. Sipas të dhënave, Flora Boja, bashkëshortja 32-vjeçare e Përparim Bojës, ka qenë disa herë në spital gjatë këtyre ditëve dhe për këtë arsye është shtyrë marrja në pyetje e saj, pasi në bazë të dëshmisë dhe provave të tjera do të vlerësohet edhe implikimi i saj në këtë krim të rëndë.


 


Saktësimi


Raporti i mjekësisë ligjore në lidhje me vdekejen e Fatjon Barmetës ka rrzuar disa të dhëna që kishin dalë në media gjatë hetimeve paraprake. Kështu rezulton se kufoma nuk ka pasur gjymtime, pra nuk ka pasur prerje të organeve gjenitale, ndërsa është hedhur poshtë edhe hipoteza se ai ishte varrosur i gjallë. Gazeta u kërkon ndjesë familjarëve të viktimës për publikimin e disa informacioneve jo të sakta që dolën prej grupit hetimor.