Sequi kërkon drejtësi në nivel të lartë të gjyqësorit
Kreu i OSBE – “Unë nuk jam me asnjë nga palët. Kam qenë, jam dhe do të jem për shtetin e së drejtës”
Ambasadori i BE – “Klasa politike duhet të plotësojë sa më shpejt e me korrektësi kushtet e vëna nga BE-ja, që të arrijë të bëhet pjesë e saj”
Edmond Hoxhaj
Inaugurimi i objektit “Europa Plazza” në Fier ka mbledhur bashkë ambasadorin Sequi, shefin e OSBE-së, Wollfarth, dhe kryetarin e opozitës, Edi Rama, të cilët nuk e kanë lënë mënjanë çështjen e qarkut, që vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, jo vetëm të politikës shqiptare, por edhe asaj ndërkombëtare për shtetin tonë. Ndërsa kreu i PS-së ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk heqin dorë nga zbatimi i vendimeve gjyqësore, Wollfarth ka kërkuar të zbatohet shteti i së drejtës. Ndërkombëtarët kanë përcjellë sërish dje, që prej qytetit të Fierit, mesazhe për gjetjen e konsensusit, zbatimit të ligjit dhe respektimit të shtetit të së drejtës. Gjatë inaugurimit në qytetin e Fierit të veprës më të madhe në vend dedikuar Bashkimit Europian, “Europa Plazza”, ambasadori i BE-së në Tiranë dhe ambasadori i OSBE-së, kanë bërë edhe një herë apel për zgjidhjen sa më të shpejtë të ngërçit politik që ka të bëjë me zotërimin e Këshillit të Qarkut të Fierit. Ndonëse me një gjuhë diplomatike, kreu i prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth, ka deklaruar hapur qëndrimin e tij, duke kërkuar respektimin e shtetit të së drejtës. Wollfarth e ka cilësuar debatin dhe akuzat e ndërsjella mes palëve për çështjen e Këshillit të Qarkut Fier, si një debat për çështjen e shtetit të së drejtës. Ai ka shtuar se për një çështje të tillë, duhet që palët të japin një zgjidhje që të jetë në favor të Qarkut të Fierit.
“Një zgjidhje e shpejtë dhe gjithçka do të bëhet siç duhet. Qytetarët duhet t’i kenë gjërat e qarta e kjo duhet zgjidhur. Unë nuk jam me asnjë nga palët. Kam qenë, jam dhe do të jem për shtetin e së drejtës”, theksoi Wollfarth pas interesimit të medias për këtë çështje. Ndërsa ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, ka përsëritur se klasa politike duhet të plotësojë sa më shpejt e me korrektësi kushtet e vëna nga BE-ja, që të arrijë të bëhet pjesë e saj. Sipas ambasadorit të BE-së, marrja e statusit është me rëndësi kombëtare, prandaj edhe politika duhet të punojë për të qenë pjesë e Europës, jo vetëm gjeografikisht. “Unë ju them se në Europë, drejtësia në gjyqësor është në shkallën më të lartë, prandaj kërkoj që edhe Shqipëria të veprojë njësoj si Europa”, deklaroi Sequi. Ndërkaq, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka lënë të kuptohet në deklaratën e tij, se e majta nuk do të tërhiqet nga çështja e Qarkut të Fierit. Kryesocialisti Edi Rama, duke falënderuar edhe kryebashkiakun e Fierit, Baftjar Zeqaj, ka pohuar se ky qytet tashmë është në Europë. “Janë dy mënyra për ta parë Europën. Mënyra e parë nuk është ajo, duke pasur Europën në majë të gjuhës, por duke e pasur vëmendjen tek ajo. Fieri e tregoi se është një qytet në Europë. E dyta, Europa të vijë këtu, të bëhet pjesë e njëri-tjetrit në marrëdhëniet shtet-qytetar”, ka theksuar ndër të tjera Rama.
Më tej, në fjalimet e rastit ka përshëndetur edhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, i cili ka vlerësuar veprën e veçantë dhe falënderoi të gjithë ata që u bënë pjesë e kësaj ceremonie, të cilën e ka cilësuar si një ndër më të rëndësishmet e këtij 100-vjetori të Pavarësisë. “Tashmë Fieri është një urë bashkëpunimi me eurodeputetët dhe Europën”, deklaroi Zeqaj. Në inaugurimin e sheshit “Europa”, në qytetin e Fierit ishte edhe ambasadori austriak i akredituar në vendin tonë, Florian Raunig, eurodeputeti Jozef Weindenholzer, deputetë të PS-së për Qarkun e Fierit, kryetarët e bashkive Sarandë, Durrës, e shumë personalitete të fushave të ndryshme.