Tirana ka startuar zyrtarisht festimet për 100 vjetorin e Pavarësisë, të cilat janë parashikuar të zgjasin tre ditë dhe do të kulmohen më 28 Nëntor. Ashtu siç ishte parashikuar edhe më parë në axhendën festive, rreth orës 11:00, është vendosur mozaiku i flamurit kombëtarë tek Ura e Tabakëve. Vepra është realizuar në gurë nga mjeshtri Gëzim Hidri, me gurë të përzgjedhur nga vende ku janë zhvilluar beteja për mbrojtjen e trojeve ndër shekuj.


“Si sot 100-vjet më parë në këtë vend u ngit flamuri i Pavarësisë në Tiranë. Sot në këtë ditë të rëndësishme për qytetin tonë që ka nisur festën në çdo lagje, unë dua të ndalem dhe të nderoj firmëtarët e ngritjes së flamurit të Pavarësisë në Tiranë. Mirënjohje për jetë për ta dhe familjen e tyre. Para 100 vitesh Tirana qytet i vogël me zemër të madhe dhe bujare. Qytetarët e Tiranës hapën dyert dhe zemrat më pas për shqiptarët nga treva të tjera. Ky qytet nisi të rritej së bashku me Shqipërinë e pavarur, deri sa u bë kryeqendra e kombit shqiptar. Tirana është sot qyteti që rrezaton shpresë dhe besim anë e mbanë kombit shqiptar. Zoti e bekoftë Tiranën tonë të bukur, zoti e bekoftë Shqipërinë”, u shpreh kryebashkiaku Basha gjatë fjalës së tij përshëndetëse.


Gjatë ditës së sotme janë parashikuar aktivitete të ndryshme, mes të cilave çelja e panairit “Blej produkte shqiptare”, hapja e ekspozitës historike e AQSH “100 vjet Tirana”, koncerte me grupe rok, ceremonia e inaugurimit të sheshit “Shqiponjës”, etj.


Këshilltarët e majtë të bashkisë, ekspozitë për 100 vjetorin e ngritjes së Flamurit në Tiranë


Me rastin e 100 vjetorit të ngritjes së Flamurit në Tiranë, sot në “Hotel Tirana International”, këshilltarët e majtë të Këshillit Bashkiak të Tiranës organizuan ekspozitën me fotografi të kryeqytetit të viteve të para të pavarësisë.


Të pranishëm në takim ishin familje autoktone tiranase, të cilat kanë bërë historinë e kryeqytetit. Ekspozita përbëhej nga mbi 40 fotografi dhe fjalën e rastin e mbajti kreu i këshilltarëve të opozitës në Këshill, Aldrin Dalipi. “Mirënjohje burrave që realizuan një akt i cili nderon qytetarët e djeshëm e të sotëm, të gjithë ata që ky qytet i pret me bujarinë dhe fisnikërinë e qytetarëve themelues  dhe familjeve trashëguese të emrave të mëdhenj të Tiranës. 26 Nëntori i 1912 i parapriu ngritjes së flamurit në Vlorë duke shënuar krijimin e shtetit amë. Ismail Qemali punoi ngushtësisht me dy delegatët dhe përfaqësuesit e popullit të Tiranës në qeverinë e parë me Abdi Toptanin ministër ne qeveri dhe në pleqësinë e shtetit shqiptar pranë qeverisë  me Murat Toptanin”, u shpreh Dalipi.


26 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)