Ceremonia
Dhjetëra manifestues vijnë nga Struga. Inaugurohet shtatorja e Lef Nosit
Bardha Nergjoni
Më 25 Nëntor 1912, Elbasani ngriti i pari flamurin e Pavarësisë, duke vënë kështu gurin e parë në themelin e Pavarësisë kombëtare. 100 vjet më vonë, qytetarët kanë zbritur në shesh me flamuj, i madh e i vogël, të ardhur edhe nga rrethet e tjera, nga jashtë kufijve me urime të ndërsjella për të festuar 100-vjetorin e ngritjes së flamurit në qytetin e Elbasanit. E pikërisht në monumentin e Aqif Pashës, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, ngriti simbolikisht flamurin 100 vjet më pas pranë monumentit të flamurtarit të Elbasanit, Aqif Pashë Biçakçiu.
Kryeministri Berisha
Kryeministri Berisha zgjodhi ta kalojë këtë ditë në Elbasan së bashku me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, në aktivitetet e parashikuara në këtë ditë të shënuar. Nën tingujt e himnit kombëtar dhe prefektin e qarkut, Shefqet Deliallisi, zbuluan pllakën në nderim të 37 firmëtarëve të Pavarësisë së Elbasanit. Festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë së Elbasanit u hapën nga kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, i cili evidentoi faktin se i pari qytet që shpalli Pavarësinë në vitin profetik ishte Elbasani dhe ende nuk e ka marrë vendin që meriton. Ndërkohë, në fjalën e marrë, Kryeministri Sali Berisha është shprehur se patriotët elbasanas dhe patriotët e tjerë të mbarë trojeve shqiptare me Ismail Qemalin në krye, ndërmorën udhëtimin biblik për të ngritur flamurin e heroit të të gjitha kohërave të shqiptarëve, Skënderbeut. “Sot, ne përulemi para këtij burri vigan, siç ishte Aqif Pasha, i cili me një kurajë mbinjerëzore shpalli Pavarësinë e Elbasanit”, tha ai.
Shqiptarë nga Struga
Kjo ditë e veçantë për Elbasanin do të kishte disa të veçanta. Ndër to do të ishin personazhet e ardhur nga Struga, aktorë të veshur si Skënderbeu, Ismail Qemali, Adem Jashari, të ardhur si flamurtarë për të marrë pjesë në këto festime. Ata kanë sjellë edhe flamurin e qëndisur në Strugë, duke përcjellë mesazhe patriotike për një bashkim shpirtrash shqiptarë 100 vjet më pas. Kreu i bashkisë i ka përcjellë titullin e mirënjohjes kryetarit të Bashkisë së Tetovës. Përfaqësuesi i tij ka deklaruar se këtë 100-vjetor, Tetova e feston me zemër të thyer dhe 100 vjet e ndarë nga Shqipëria. “Kjo festë, për shqiptarët e Maqedonisë është një ditë zie, por edhe shprese, që një ditë do të jenë të gjithë bashkë në trojet amësore”, thanë të ardhurit nga Struga.
Simpozium shkencor
Kontributi i Elbasanasve në 100 vjet shtet ka ardhur nëpërmjet një simpoziumi jubilar, “Elbasani në 100-vjetorin e shtetit shqiptar”, që është realizuar në teatrin “Skampa”. Kreu i bashkisë u shpreh se, shpreson që ky simpozium të jetë vetëm fillimi i një studimi të plotë të historisë së kombit. Ai tha se të gjitha kumtesat e këtij simpoziumi do të botohen në një vëllim në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Elbasanit dhe pavarësisë kombëtare. Në këtë 100-vjetor, Elbasani nuk ishte përqendruar vetëm tek Aqif Pashë Biçakçiu. Kryeministri i ka hapur rrugë prefektit Shefqet Deliallisi të zbulojë shtatoren e Lef Nosit, bashkë me kryetarin e bashkisë dhe skulptorin Arben Bajo. Ky monument i realizuar në një kohë rekord, meritonte të ishte në Elbasan në këtë 100-vjetor, për kontributin madhor të tij në të gjitha fushat dhe sidomos në ruajtjen e Deklaratës së Pavarësisë, rolin e tij në Qeverinë e Vlorës dhe në shumë ngjarje të mëdha politike.