140 mandatet
PS e Kukësit: Ka rritje artificiale, shtohen banorë nga Kosova
Votimi i tri ligjeve në Parlament nuk i ndryshon marrëdhëniet mes pozitës dhe opozitës. Edhe nëse votohen, nuk kemi besim se mazhoranca do t’i zbatojë
Kolegji – Pas mosvotimit të ndarjes së 140 mandateve të deputetëve nga KQZ, pritet të merret një vendim nga Kolegji Zgjedhor
Ish-kryeministri Pandeli Majko nga qyteti i Korçës akuzoi Partinë Demokratike për marrjen e mandateve në tavolinë, duke i dhënë Qarkut të Kukësit 7 mandate. “Partia Demokratike po bën gjithçka për të fituar deputetë në tavolinë. PD po bën llogaritë e veta për të fituar në tavolinë, PS po bën llogaritë e veta mbi këtë çështje. Edhe në Qarkun e Korçës hesapet janë bërë pa hanxhinj, por do të jenë qytetarët që do të japin verdiktin e tyre”, deklaroi deputeti socialist, Pandeli Majko, në lidhje me bllokimin e mandateve nga KQZ, çështje e cila, do të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese. Majko bëri të ditur se PS-ja po e ndjek nga afër një çështje të tillë. Ish-kryeministri u fokusua dhe te debati për Qarkun e Fierit, ku mazhoranca dhe opozita akuzojnë njëra-tjetrën. “Tashmë Fieri nuk është një problem rajonal, por kombëtar. Qarku i Fierit ka probleme, pasi nuk janë mbyllur ende zgjedhjet e vitit 2011. Votimi i tri ligjeve në Parlament nuk ndryshon marrëdhëniet mes pozitës dhe opozitës. Edhe nëse votohen tri ligjet, nuk kemi besim se mazhoranca do t’i zbatojë, përmendim këtu Gjykatën e Lartë”, tha Majko. Sipas tij, çështja e qarkut qëndron pikërisht në thelbin e kushteve për marrjen e statusit të vendit kandidat, atë të respektimit të shtetit ligjor, vendimit të gjykatave dhe respektimit të votës së lirë. Një tjetër temë që ish-kryeministri Paneli Majko u ndal ishte dhe mënyra e festimeve, duke akuzuar qeverinë se ka harruar 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit të vendit. Deputeti socialist ironizoi edhe deklaratat e Kryeministrit se më 28 Nëntor do të theren 1000 qengja për të festuar 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. “Festa e 100-vjetorit të Pavarësisë nuk do jetë festa e deshve, por e derrave të kënaqur”, tha Majko.
PS, organizim në Kukës
PS e Kukësit ka nisur verifikimet për numrin e popullsisë, pasi pretendohet për rritje artificiale të tyre, me qëllim marrjen e një mandati të katërt të deputetëve. Kryetari i PS-së, Ylber Duraku, në një prononcim për “AS TV” theksoi se janë ngritur grupe pune për të verifikuar numrin e popullsisë në ato komuna që dyshohen. Socialistët në Kukës pretendojnë se në komuna të veçanta po sillen në mënyrë të paligjshme shtetas kosovarë si votues të mundshëm në zgjedhjet e ardhshme. “Në Komunën e Shishtavecit, në Komunën e Surroit, në Komunën Tërthorëz, në Komunën Topojan, e në disa komuna të tjera që qeverisen nga drejtues të PD-së po ndodh një shtim fiktiv, pra shtim jologjik i këtyre shtetasve për të marrë mandate në rishpërndarjen e re që po bën KQZ. Nuk do të tolerojmë shtime fiktive siç është bërë herë të tjera me shtetas të ndryshëm, ndoshta të ardhur edhe nga Kosova, në disa komuna që kufizohemi me shtetin e Kosovës”, tha Duraku.