Sot pasdite është përuruar në kryeqytet busti i themeluesit të pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali, i cili është vendosur në lulishten në krah të kuvendit të Shqipërisë.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm e Kryeministri Berisha, kryeparlamentarja Topalli, kryebashkiaku Basha, ministri i Kulturës, Bumçi. Në fjalën e tij mbajtur me këtë rast, kryeministri e vlerësoi Ismail Qemalin si atin e pavarësisë, si një politikan të kalibrit botëror që i njihte planet antishqiptare të fqinjëve dhe që arriti të shpallte pavarësinë e Shqipërisë në kushte të vështira historike. Kryeministri theksoi se Ismail Qemali është dhurata më e bukur që i është bërë Shqipërisë nga familja e tij me emër, pasi është jo vetëm babai i pavarësisë, por edhe themeluesin i qeverisë së parë shqiptare dhe Shqipërisë etnike.
“Jemi mbledhur sot për të përuruar shtatoren e atit, babait të pavarësisë së Shqipërisë, një prej burrave më të shquar, më vizionarë të historisë së kombit tonë, pasardhës i njërës prej familjeve më të fuqishme shqiptare, Ismail Qemal Vlora. Ai do të ishte dhurata më e bukur e kësaj familjeje për kombin. Ky burrë, reformator i përmasave botërore bëri gjithçka për të reformuar një perandori ku jetonin dhe shqiptare. Ai ishte ndër të parët që kuptoi se kjo perandori nuk mund të reformohej. Si politikan i një kalibri botëror, ai kuptoi se Aleanca Ballkanike ishte një aleancë kryekëput antishqiptare. Pas një udhëtimi biblik, 27 ditor në të cilin kaptoi dete, male, ai zbarkoi në Durrës dhe rendi në Vlorë për të shpallur aty pavarësinë më 28 nëntor 1912 për të ngritur flamurin kombëtar, flamurin e Skënderbeut. Ai jo vetëm është ati i pavarësisë, por krijoi dhe themeloi qeverinë e parë shqiptare. Ai është babai i Shqipërisë etnike”, – theksoi kryeministri.
Duke iu drejtuar bustit të Ismaili Qemalit kryeministri Berisha u shpreh: “27 ditë t’u deshën për të kaluar 7 vende e mijëra kilometra, ndërsa një shekull për të dalë në sheshin e kryeqytetit tënd. Ai bëri thirrje që historia të lexohet në mënyrë të drejtë, duke theksuar se ëndrra më e madhe e të gjithëve është bashkimi kombëtar i shqiptarëve.
26 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)